Ndue Pal Shllaku Poeti i zemrës së drithëruar...

Ndue Pal Shllaku  Poeti i zemrës së drithëruar...

Emrin e Ndue Pal Shllakut për herë të parë si aktor amator në Shoqërinë Antoniane, e “takova” në librin me kujtime “100 vjet teatër në Shkodër” (1879 – 1979) i autorit Andrea Skanjeti. Më vonë mësova se aktori Shllaku kishte edhe disa interpretime të tjera në skenat teatrore të kësaj shoqërie, ku kishte realizuar disa personazhe. Plotësime të mëtejshme të biografisë artistike të Ndue Pal Shllakut i gjeta, më vonë, edhe në shkrimet e studimet e aktorit Gjon Karma, Artist i Merituar, në gazetat “Tomori” dhe “Tomori i vogël”, si dhe në arkivin e njohësit të historisë së teatrit të Shkodrës, Gjush Sheldia. 

Nga studiuesit mësojmë se, Ndue Pal Shllaku hyri në Shoqërinë Antoniane rreth viteve 1935 – 1936. Si interpretues në fushën e aktrimit lë shenjë në komedinë “Shjor Puci” (komedi në tre akte) me autor Zef Gianini, përkthyer nga Dom Lazër Shantoja. Është për t’u përmendur se në këtë shfaqje ishte i pranishëm dhe poeti Gjergj Fishta. Më vonë, dhe është qershori i vitit 1941, kur Ndue Pal Shllaku mban një fjalim në përkujtim të këtij poeti të shquar. Gjithashtu, Ndueja interpretoi edhe në dramën me tre akte “Kur orët lajmojnë” të Ernest Koliqit, (të cilën  vetë e përpunoi dhe vetë luajti personazhin e Gegë Markut); në farsën “Loja e mijvet, gazmendi i dacave” (komedi, përpunuar nga Çesk Vuksani). Jo vetëm kaq po Ndueja luajti rolin e Sulejmanit; te “Sekretari esnafë” (komedi me një akt), luajti rolin e Palushit. Në muajin prill të vitit 1941 luan personazhin kryesor në tragjedinë me pesë akte “Thomas Moore” të Silvio Pelicës (dramë e përkthyer nga padër Agustin Ashiku), e cila si premierë u dha në vitin 1941. U shfaq katër herë me 1200 spektatorë. Ndërsa në tragjedinë me një akt “Një natë tragjike” (dramatizim nga Ndue Pal Shllaku) mbështetur në kapitullin “Gjak Romanjolas”, shkëputur nga libri “Zemra” i E. De Amiçis; vetë Ndueja luajti rolin e plakut (gjyshit). Po në  këtë muaj me rastin e festës së kësaj shoqërie, interpreton në komedinë me një akt “Mnistari” (përkthyer nga italishtja e përshtatur në shqip nga At Silvestër Hila). Këtu luan rolin e doktorit. Më pas interpretoi në komedinë me një akt “Gjyqi” me autor padër Frano Kiri. Premiera u dha më, 16.04.1936 me këto interpretues: Lin Gjonej, Gjon Karma, Ndoc Harapi, Pjetër Gjoka, Gaspër Bicej, Shan Zadrima, Ndue Pal Shllaku (në rolin e gjykatësit dhe ishte 14 vjeç). Ndërsa interpretimi i fundit është në tetor të vitit 1941, në dramën me pesë akte të titulluar “Ferdinandi i Agrigjentit”, e cila u shfaq pesë here. Ndue Pal Shllaku interpretoi rolin e Ferdinantit. Duke parë afirmimin e personalitetit të tij si aktor e si krijues, interesat e tij artistike erdhën gjithnjë në rritje. Kështu Ndueja rreth viteve 1940 – 1941 u zgjodh sekretar i Shoqërisë Antoniane.

Krahas rrugës aktoreske e asaj fillestare në rrugën e dramaturgjisë (nëpërmjet dramatizimit), djali nga Shllaku fshihte thellë në shpirtin e tij tragjik dashurinë për letërsinë. E dashuroi atë si vetë ëndrrën për të ëndërruar, e dashuroi atë si vetë jetën për të jetuar. E kishte kredo të viteve që i kishin mbetur për të jetuar. “Me kangë të shpirtit tim këndon edhe jeta” dhe më tej Ndueja vazhdon: “… shpirtin… qi vuejti përherë në heshtje”. E ky njeri me shpirt njeriu, mori një dimension të ri e befasues në hulumtimet e studimet e mia. Shkas u bë, një ditë vjeshte, një bisedë krejt e zakonshme me ish aktoren e talentuar  të teatrit “Migjeni” Antoneta Fishta (tashmë e ndarë nga jeta), në shtëpinë e saj. Teksa unë interesohesha për jetën e saj artistike në fushën e aktrimit, ajo më përmendi emrin e Ndue Pal Shllakut, ashtu krejt rastësisht, nga që biseda me ish aktoren e mirënjohur, tashmë, kishte hyrë në hullinë e vlerave të panjohura që ende i ruan qyteti ynë. Unë mbeta për një çast i habitur. Për momentin pranova heshtjen dhe në heshtje gërmova në kujtesën time. I tregova se çfarë dija për personazhin që përmendi pak më parë. Ajo qeshi, me atë të qeshurën e saj karakteristike e paksa burrërore dhe njëkohësisht më befasoi, kur me bujarinë, dashamirësinë e fisnikërinë e saj më vuri në dispozicion arkivin e tij letrar. Tani “do të bisedoja” me faqe të shkruara e të panjohura (poezi, prozë, studime, etj.), ku shpaloseshin konceptet estetike dhe botëkuptimi i tij, qëndrimet dhe shtysat, motivet dhe realiteti i krijuar prej tij… “T’falëm o diell vezllimesh! / E ju rreze të shkëlxyeshme. / Që n’hare puthni mallet / N’largim për i dit’ dëfrimesh / Që agon me ngjyra t’ndryshme! / Plot zemër e gjith i botë u falet!” (Diellit…, autori: Ndue P. Shllaku, botuar: Tomori, 05.06.1942)

Zj. Fishta më përmendi edhe një amanet: “Im shoq, Lec Fishta e ka ruajtë me kujdes e dhembshuri për 50 vjet me radhë. Me shpresën për ditë më të bukura, me besimin se një ditë do t’ia jap lexuesit të gjitha këto”. Dhe unë pas një pauze të shkurtër i thashë se do të vijë një ditë që zëri poetik i Ndue Pal Shllakut do të bëhet i njohur.

Materiali i shfletuar  me kujdes, më ofron ndjesinë e kohës së humbur e njëkohësisht kohës së fituar. Nocioni i kohës, i raportit të saj me autorin, me sensibilitetin e fluiditetin moshor, shpirtëror, që ruan e kondenson herë një romantizëm engjëllor e herë një romantizëm shpresëvakët e shpesh pesimist, mbeten dukuri të veçanta e interesante që vijëzojnë individualitetin e tij krijues si fllad ngjashmërie kah Gaspër Pali e si revoltë ndaj padrejtësive kah Migjeni. I themi këto se si poezia ashtu edhe proza (përshirë edhe temat hartimore, esetë, etj.) janë reflekse të dalë prej shpirtit të tij, prej dhimbjes burimore të tij. Nuk e ke të vështirë të kuptosh se kemi të bëjmë me një shpirt të ndryem brenda shpirtit të vet përherë ndër vuajtje, si një shembull i durimit në heshtje, apo siç thotë vetë poeti: “Kje diçka, nji i luftës kundër valëvet të jetës”. Kësaj të vërtetë të dhimbshme janë dëshmitarë të heshtjes shumë vite të jetës së tij, që e vunë në prova e rrethana shumë të vështira, por Ndueja me kurajo, me vullnet pse jo nganjëherë edhe me nota dëshpëruese, por me guxim moshe u mundua t’i kapërcejë. Ndonëse viti 1942 nuk ishte i mbarë, i jetës (ishte caku i fundit i të jetuarit) për Nduen. Në këtë gjendje të vështirë shëndetësore, ku shpirti i tij ende ruante si margaritar dashurinë për jetën, Ndueja me forcën e sublimitetit të shpirtit shkruan pa pushim… Dhe muajin e fundit e kuptoi se lulet dhe diellin e qershorit nuk do të arrinte t’i shihte më. Jeta për të çdo ditë vakej, tashmë ishte një shpresë e kotë… Megjithatë ai vazhdonte të shkruante… ashtu i shtrirë në copa letrash e në faqe të plota. Edhe pse dora dridhej e fjalët ishin të pasigurta. “VORFNIJA asht nji grue e shkretë / Me zemër plot mjerime; / Gjithmonë udhton n’deshprime, / Shpesh t’mson me e gzue kët jetë. / PAS’NIJ’ a’j zojush’ e terbueme; / Të knaq’njat-her’ kur e ke, / Me t’ikë, at-her’ i mjer’je / Vishtir’m’e ba ma t’hatrueme.” (VORFNIJA e PASUNIJA, autori: Ndue P. Shllaku, poezi në dorëshkrim)

E ndarja nga jeta e Ndues, në at’ vjeshtë me “qiell të vrasuemun”, lë gjurmë frymëzimi, dashurie dhe përjetësie te një autor me pseudonimin ‘Lodja’, ku i kushton Ndues, këtë poezi mortore: “Krahasoj prendveren t’ime: / Me vjeshtën që don me ardhë / Me jeten që Ty t’a mardhë, / Me naten që s’ka m’u zbardhë / Kurr ma. // E lott m’rrjedhin heshtueshem / N’per zemren e gandueme / N’per mollxat e zverdhueme / N’per vargjet e vorfnueme / O vlla. (Vjeshtë!.. -kushtue Ndue P. Shllakut-, autori: Lodja, gaz. Tomori, 24.11.1942)

Teksa  shfletoj arkivin e krijuesit në fjalë, ndiej se koha e ka humbur nocionin abstrakt të saj dhe tani është konkrete e reale, mirënjohëse dhe fatlume. Shumë fletëve të dorëshkrimeve u bie pluhuri, por nuk u ikën ngjyrat e verdha dhe të vjetërsisë së tyre, paçka se vende-vende detyrohesh të punosh edhe me lupë, falë një dhurate të çmueshme nga ana e mikes sime, Dirës, e cila i kuptoi menjëherë vështirësitë e mia dhe hallin se si punoja… Por nuk e kishe të vështirë të vështirë para krijimeve të autorit Ndue Pal Shllakut, se ajo vlerë që tani ndodhej para meje, që në “komunikimin” e parë të impononte respekt, sepse ishte shkruar me një shkrim të bukur e të admirueshëm (që vërtetë kishe zili), se ishte shkrim i tipit bukurshkrim (tashmë i harruar në shkollat tona), grafi që ta japin vetëm shkollat serioze, siç ishte ajo e Kolegjit të Françeskanëve dhe ajo e Gjimnazit të Shtetit, ku krijuesi nisi udhën e dijes me plot ëndrra, e udhën fisnike të letrave shqipe me plot talent e dëshira, por që nuk u realizuan dot, se vdekja e mori atëherë kur nuk duhej ta merrte: në moshë rinore, 20 vjeç. Krahas botimeve në gazetat “Tomori” e “Tomori i vogël”, në revistën “Zani i Shna Ndout” e në fletoren “Sporti shqiptar”, Ndue Pal Shllaku la mjaft dorëshkrime të botuara, si: 30 poezi, 10 novela e novelëza, një ditar, një përrallë dhe shumë përkthime, ku mund të veçojmë dramën “Mbas njimdhet vjet”sh" të autorit italian Camilo Federici. Është për t’u përmendur edhe puna që nisi me një dramë origjinale të titulluar “Omeri i ri” që arriti deri te akti i parë, pasi sëmundja nuk e la që të vazhdonte më tej.(Poezia, proza dhe dramaturgjia do të jenë shqyrtime të studimeve të mia të ardhshme.)

Duke iu rikthyer botimeve, vërejmë se shkrimi i parë mban datën 7 janar 1939 dhe titullohet: “Kujtime” (botuar në fletoren “Sporti shqiptar”), ndërsa vjersha e fundit mban titullin “Jeh i vetmuar” (botuar në gazetën “Tomori”, në vitin 1924). Në këtë gazetë ka botuar poezitë: “Muzg vjeshte”, “Ushtima”, “Mramja”, “Hanës” dhe novelën “Kulla e çekiçi”. Kurse në revistën “Zani i Shna Ndout” boton novelën “Streha dëshmuese”.

Ndoja lindi më 25.02.1922 në Shllak. Ishte biri i Pal Vuksanit dhe i Katrinës (i thoshin dhe Kate) së Kolë Ndout, e cila ishte bijë prej Dushmanit (Shllak). Babai i vdiq shumë herët dhe nuk e njohu atë. Ndoja ishte një vjeç. Më vonë poeti i ardhshëm do të shkruante në ditarin e tij: “… që në fëmini dishroj babën. Trupi i tij përkundej në shpinën e ngarkuese të s’amës. Kjante e veç lotët e syevet tue rige mbi mollza ia lmojshin faqet Ndout ferishte. Strehë pushimi dituer për Ndoun, ishte ndo’   i hije peme nder ara të zharituna ku e ama punonte për t’ushqye vedin e të voglin e sajë. Atë nuk e lmuen kurr duer delikate; por dy duer të vrazhda pune po shum të dashura nane. Kangë gjumi ishte për të zani i natyrës”.

Rreth viteve 1924 – 1925 së bashku me nënën i dhanë “lamtumirën” Shllakut, (ku e ëma përpiqej të siguronte kafshatën e bukës) dhe zbritën për të jetuar në Shkodër, (ku e ëma punonte aty-këtu dyerve të panjohura për të siguruar minimumin e jetesës.) Ndueja, tashmë, ishte tre vjeç.

 Strehohet për mëshirë në një dhomë përdhese të një familjeje bamirëse shkodrane. Dhe për Nduen e vogël strehë ditore bëhen Motrat Servite, ku ai merr edukatën e parë. Shkollën fillore e kryen pranë Kolegjit të Françeskanëve (1929 – 1930, 1933 – 1934). Pas mbylljes së saj, klasën e pestë e kreu në shkollën pranë Dugajve të Reja. Në vitet 1934 – 1935 regjistrohet në Liceun shtetëror (është fjala për Gjimnazin e Shkodrës), ku vazhdoi deri në klasën e katërt të kursit të lartë. Nga fundi i vitit shkollor, pra, në mars të vitit 1942 u sëmurë rëndë. Matura për të, tani, është vetëm një ëndërr e parealizuar. Vdiq më 28.05.1942.

Kur mosha duhej t’i fliste pranverës, Ndueja përjeton tragjizmin e jetës e tragjizmin e sëmundjes së tij… (Në vetvete poeti dhe prozatori i panjohur, tashmë i njohur, është personazh tragjik. Ky lloj përkimi gjen terren edhe në shënimet e tij, ku lexojmë: “Migjeni, ah, po, te shkrimet e tij shikoj aty këtu vetvehten e jetës teme”. (Lindi 11 vjet më vonë se Migjeni dhe vdiq 4 vjet më vonë se ai. Ndueja vdiq 20 vjeç, kurse Migjeni 27 vjeç. Të gjitha këto shënime flasin se midis tyre ka pasur vite bashkëkohësie, njohjeje, leximi e studimi.)

Pasioni dhe interesat për letërsinë kanë një fushë të gjerë. Ka lexuar me dëshirë dhe vëmendje Migjenin, Gj. Fishtën, Nd. Mjedjen, F. Nolin, N. Frashërin, D. Aligerin, V. Hygonë dhe Leopardin. Dhe ky spektër kulturor reflekton  në krijimet e tij, si: në lexime origjinale (italisht e gjermanisht që i di shumë mirë) në përjetimet e rrëfimeve të personazheve, të shkrirjes së unit lirik, apo të skenave të ndryshme: epike a lirike qofshin ato, në zbërthimin e ideve e argumentimin e tyre, ndriçime e këndvështrime të shkrimtarëve në raport me veprat dhe kohën e tyre, citime nga krijimet e autorëve, përqasja dhe elementet krahasuese, etj., etj.

Kodi poetik i krijuesit Ndue Pal Shllaku në marrëdhënie me kohën e realitetin shoqëror në të cilin jetoi, mendoi, që duhet vendosur në këto rrafshe: 1. Realiteti dhe problemet e tij. 2. Realiteti dhe shpirti i tij. (Këto poezi e copëza të saj janë faza e fundit e krijimtarisë së poetit. Raportet me vdekjen bëhen më të ngushta. Rrëfimi gjithashtu. Jeta ka trajtën e të jashtëzakonshmes e të tragjikes. Kënga e poetit, tashmë, më shumë është për vete, ka më shumë karakter autobiografik që konturohet me një rrëfim të dëshpëruar për një çast të caktuar të jetës. E vërteta e poezisë, vrulli dhe fuqia e poetit kanë gjendje dhe ritëm të shqetësuar. Dashuria është aq e zjarrtë, vullkanike sa edhe e dëshpëruar, në kacafytje, kësaj radhe të poetit me vetveten. Ai i kërkoi jetës t’i marrë sa më shumë jetë. Për të Koha është Jetë.

Në hapësirat e poezisë së krijuesit Ndue Pal Shllaku lëviz hija. Poeti thotë: ”Mërzija / dhe hija / me kangët e shpirtit t’im / Ushtojnë në mjerim”. (“Ushtima”, 14.07.1941.) Lëviz hana. Poeti thotë: “N’qetsin’ qiellore, o han’, shtrihesh / plot hire / n’mjerime t’njerzvet s’ngihesh e dëshire / Me t’pa, dikush sa s’ka mbarue.” (Hanës…, 11.11.1941.) Lëvizin: muzgu, mbramja, zemra, shpirti, retë që falen me diell, kujtimi, vetmia, andrra plot uzdajë, heshtja, dashuria e pafat, etj., në qerthullin e mjerimit. Në qoftë se te Migjeni trajtimi i kësaj teme lidhet edhe me qëndrimin e dukshëm të poetit, te Ndue Pal Shllaku trajtimi i kësaj teme e ka pikënisjen te shpirti i tij dhe hapësira poetike është sa vetë shpirti i tij. Këtu duhet ta kërkojmë realitetin shoqëror, i cili kornizohet dhe merr karakterin e intimitetit. Mbi bazën e kësaj metafore përcepton edhe motivin, ndërton strukturën e poezisë e sistemin figurativ të saj. Kjo vërehet: në imazhet e vendlindjes, në lirikën e peizazhit, si edhe në atë të dashurisë. Tek poezia “Mbramja”, dukuritë ‘arkaike’  nuk e cënojnë aspak poetikën a frymëmarrjen e krijimit. E mbështetur në leksikun autentik të trevës së vet me të cilin operon përmes detajeve poetike, poeti idealizon fshatin, botën e tij, natyrën dhe njerëzit…, një pamje gjithë ngjyra romantike, realitet që është pjesë e fëmijërisë së tij. Dhe poeti e përcjell këtë poezi me këto fjalë: “Asht vështirë me e përshkrue bukurinë e mbrëmjes së fshatit t’im. Duhet me i ngjye shpesh herë gishtat në shllinë; duhet me fjetë në fierë me trup nënë krye në një zdatk me vathin e berrevet; duhet me i ndie e me u deshprue nga grahmat e fuqishme të malsorëvet punëtorë; për me mbujtë me e paraqitë mbrëmjen e jetën e hareshme të fshatit tim”. (gusht, 1941).

Ndue Pal Shllaku ishte një krijues jo shumë i përmendur, ndonëse botoi herë pas here poezi e proza në shtypin e kohës. Vdekja i shoi rininë e moshës. Arkivi me krijimtarinë letrare që la pas i ndrit rininë e moshës dhe i fal pavdekësinë e krijimit dhe të krijuesit.

Nga arkivi që kam në dorë, dhe nga fotografitë (të cilat janë të pakta), vetiu më vjen ndërmend një bisedë e bërë shumë vite më parë me regjisorin  Lec Shllaku. Leci e kishte pasur  Nduen, shok klase. Më bën këtë portretizim: “Ndueja gjithmonë më kujton Zherar Filipin tek “E kuqja dhe e zeza”. Tip sportiv, i veshur bukur (i kërpitur), hollak, inteligjent, (inteligjenca shtrihej në të gjitha gjërat që e rrethonin e ku depërtonin sytë e tij shprehës), kishte buzë të trasha. Ndueja ishte formati i intelektualëve të asaj kohe. Paraqitja e bukur e intelektualit, që di e që mundet. Që don t’u thotë të tjerëve: “Kujdes kur të bisedoni me mua!””

Ndue Pal Shllaku është poet i drithërimës e i zemrës së drithëruar. Shpirtin ia fali poezisë. Poezia iu bë shpirt, jetë dhe dhimbje. Kështu foli në heshtje me “re dëshiri”. Dhe m’u kujtuan ca vargje të poetit polak Adam Asnyk: “Se çdo ëndërr, gëzim, gjithçka tretet, / edhe ëndjet, pasionet në botë ‘ perëndojnë… por dhimbja veç mbetet”. (poezia: “Dëborë”) Bashkë me dhimbjen edhe magjia e një poeti të talentuar, që quhet: Ndue Pal Shllaku.  

Shkodër, qershor 2019

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • veli stafa: 17/06/2019 08:46

    Poet i talentuar qe vetem trualli i Shkodres di te nxjerre !

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Jubileu 2025, Papa Françesku hap derën e shenjtë në burg

Jubileu 2025, Papa Françesku hap derën e shenjtë në burg