Mbrëmjen e sotme u ekstradua në Shqipëri nga Turqia, Izet Haxhia i dënuar me 25 vite burg si bashkëpunëtor në vrasjen e Azem Hajdarit. Pas mbërritjes së tij në Rinas, ndër të parët që ka reaguar ka qenë ish-kryeministri Sali Berisha duke e rreshtuar në krahun e Edi Ramës. Sipas tij, Haxhinë e solli Rama, pasi i ka premtuar rihapjen e dosjes. 

Një kriminel më shumë në krah të Edi Ramës. Ai është një kriminel i dënuar në Shqipëri me 25 vite burg, i dënuar në Greqi përjetë sipas mediave dhe vjen në krah të Edi Ramës. Ministria i ka premtuar hapjen e çështjes. Nuk i hap kurrë ministria. I hap drejtësia çështjet. Vjen një kriminel më shumë në krahët e Edi Ramës, siç është Lul Berisha, Emiljano Shullazi. Rama është një frikacak që ka frikë nga hija e tij. Për 20 vite që i ka ikur drejtësisë shqiptare ai merr dënim suplementar.

Deklarata e Sali Berishës

Por, pavarësisht se sonte deklaroi se Izet Haxhinë e solli Rama, se i ka premtuar rihapjen e dosjes, ishte Berisha që bëri kërkesën e parë për ekstradimin e tij nga Turqia për të vuajtur dënimin në Shqipëri.

Pas arrestimit të Izet Haxhisë në Turqi në vitin 2006, dy vite më vonë në 2008, në mandatin e parë të qeverisë Berisha, Ministria e Drejtësisë kërkoi që ish-trupëroja të ekstradohet në Shqipëri. Por sot, Berisha e cilësoi ardhjen e tij si një kriminel më shumë në krah të Ramës. 

Ekstradimi i tij në Shqipëri mund të çojë në rihapjen e dosjes ‘Hajdari’, pasi Izet Haxhia është shprehur vazhdimisht se ka prova që fajësojnë ish-kryeministrin Sali Berisha si pjesë e skenarit që çoi në ekzekutimin e Azem Hajdarit pak metra larg selisë blu 12 shtatorin e vitit 1998.