Turizmi është transformuar në një nga shtyllat më të forta të ekonomisë shqiptare ku të ardhurat prej saj sipas Bankës Botërore në raportin e fundit arritën në 683 milionë euro më tepër vetëm gjatë 3 mujorit të fundit të 2018.
Viti i kaluar është cilësuar si më i suksesshmi në historinë e turizmit ku u shënuan 6,9 milionë turistë që e vizituan Shqipërinë. Zv/ Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Ornela Çuçi ka pohuar për Report tv se edhe gjatë këtij viti pritshmëritë janë të larta për të pasur numër në rritje të turistëve madje edhe pse jemi në muajin shkurt kanë mbërritur në Durrës edhe kroçierat e para që janë ankoruar në Durrës.
Në të njëjtin mendim janë edhe operatorët turistikë, ku njëra prej përfaqësueseve Jetmira Hoxha pohon se viti i kaluar solli një bum turistësh në vend, madje edhe nga vende që më parë ishin skeptik për Shqipërinë, ndërkohë që kanë vlerësuar edhe ndërhyrjet që janë bërë si heqja e TVSH për hotelet me 5 yje, përmirësimi i infrastrukturës rrugore etj
Vazhdimisht mediat e huaja vijojnë ta rendisin Shqipërinë në atraksionet më të rëndësishme turistike. Për 2019 vendi ynë është renditur në top 10 vendet e listuara si atraksionet që duhet vizituar. OBT raporton se deri në 2030 numri i turistëve në zonën e Mesdheut do të dyfishohet, për të cilën ndikim do të ketë edhe turizmi shqiptar.