Rritja e diasporës shqiptare po shton remitancat në vend. Në 9-mujorin e këtij viti është regjistruar një tjetër rekord sa i takon dërgesave të emigrantëve për të afërmit e tyre në Shqipëri. Banka e Shqipërisë thotë se nga janari deri në shtator, vlera e remitancave arriti në 817 milionë euro, ose 45 milionë euro më shumë se e njëjta periudhë vjet.

Vetëm në tremujorin e tretë të vitit që përkon edhe me sezonin veror, dërgesat e emigrantëve përmes transfertave arritën në 285 milionë euro, më e larta e dërguar ndonjëherë në një periudhë tremujore. Por kjo vlerë është shumë më e lartë pasi një pjesë e konsiderueshme parash vjen në cash, për shkak të kthimit të shqiptarëve për pushime në vend.

“Gjatë periudhës u evidentua rritje si në dërgesat përmes kanaleve formale, ashtu edhe në prurjet në cash, duke reflektuar besim të qëndrueshëm të emigrantëve në ekonominë vendase”, thotë Banka e Shqipërisë.

Emigrimi që nga njëra anë është kthyer në problem serioz për tregun e punës, nga ana tjetër po mban me para gati 1/3 e familjeve shqiptare. Vetëm në dekadën e fundit 2015-2025, dërgesat e emigrantëve për të afërmit e tyre kanë arritur në 8.2 miliardë euro duke pasur një kontribut të rëndësishëm edhe në uljen e varfërisë në vend.

Por vlera e remitancave nuk më e njëjtë si para 1 dekade, monedha evropiane është tkurrur me 30%, duke prekur direkt edhe paratë e emigrantëve. Nëse në vitin 2015, euro këmbehej me deri 140 lekë, sot vlera e saj është 96 lekë, duke zhvlerësuar direkt edhe vlerën e remitancave, kur kthehen nga euro në lekë.

 

DËRGESAT E EMIGRANTËVE
Janar-Shator 2024         772 mln euro
Janar-Shator 2025         817 mln euro
DIFERENCA               +45 mln euro
 
DËRGESAT E EMIGRANTËVE
Korrik-Shator 2024         262 mln euro
Korrik-Shator 2025         285 mln euro
DIFERENCA                  +23mln euro