Të huajt po investojnë më shumë para në Shqipëri. Vetëm në tremujorin e tretë të vitit (korrik-shtator) investimet e huaja direkte arritën në 449 milionë euro, krahasuar me 406 milionë euro që ishte vlera vjet në të njëjtën periudhë.
Ndërsa si periudhë 9-mujore u regjistrua shifër rekord sa i takon parave të huaja të injektuara në ekonominë vendase. Nga janari deri në shtator investimet e huaja arritën 1.2 miliardë euro, duke u rritur me 51 milionë euro krahasuar me vjet.
Ky vit po e thellon edhe më shumë ‘fiksimin’ e të huajve për të blerë prona në Shqipëri, duke u larguar gjithnjë e më tepër nga sektorët tradicionalë si energjia, apo industria nxjerrëse.
Banka e Shqipërisë thotë se në tremujorin e tretë të këtij viti 31% e investimeve të huaja u futën në sektorin e pasurive të paluajtshme, ndjekur më pas ndërmjetësimi financiar, hidrokarburet, energjia dhe në fund komunikacioni.
Praktikisht 1 në 3 lekë të huaja të investuara këtë vit në Shqipëri ose rreth 392 milionë euro ka shkuar për blerje pronash, ndërsa vjet kjo vlerë ishte 269 milionë euro. Për ekspertët e tregut të pasurive të paluajtshme, Shqipëria është ende një treg me leverdi për të huajt, pasi çmimet e pronave për ata janë të përballueshme.
Por edhe shqiptarët po rrisin investimet e tyre në tregjet e huaja. Vetëm ne 3 mujorin e tretë të vitit investimet e shqiptarëve jashtë ishin 72 milionë euro thotë banka qendrore me rritje prej 24% krahasuar me vjet. Ndërsa si periudhë 9-mujore rezulton se zotërimet e shqiptarëve jashtë në formën e investimeve direkte ishin 232 milionë euro.
Komente









Me hapjen e negociatave pritet ne 2026 te kete rreth 30-40% me shume investime te huaja !
Përgjigju