Larg fjordeve skandinave, në Stipanici, në kodrat më të buta të Bosnjës, një burrë i mbështjellë me gëzof endet mbi kalin e tij: është Stipe Pleic, i cili shtatë vjet më parë, pas një jete të kaluar në kantieret detare gjermane, vendosi të hiqte dorë nga gjithçka për të jetuar si një Viking modern.
Pika e kthesës erdhi nga një pasion që u bë obsesion: seriali Vikingët dhe protagonisti i tij, Ragnar Lothbrok. Ajo botë luftëtarësh dhe lirie absolute e magjepsi aq shumë sa e shtyu të ndryshonte jetën e tij. Dhe emrin e tij, në fakt, ai tani e quan veten Ragnar Kavurson.
Pleic u kthye në fshatin e tij për të jetuar, sa më shumë që të ishte e mundur, si një Viking modern. I veshur me tunika dhe pelerina, ai farkëton armë në shtëpinë e tij prej guri, hedh sëpata në kohën e lirë dhe mirëpret vizitorë kuriozë për transformimin e tij.
Sot, ai jeton duke shitur sëpata dhe vegla të zbukuruara me runa, të cilat i bën me dorë, dhe mirëpret udhëtarë nga e gjithë bota, nga Kanadaja në Afganistan.
Shtëpia e tij është një lloj seti filmash nordik: mburoja, shpata, lëkurë dhe madje edhe një fron i zbukuruar. Dhe në kopsht, ai ka ndërtuar një imitim të vogël të një ‘drakkar’, varkës me fund të sheshtë të marinarëve skandinavë.
"Hoqa dorë nga një rrogë e mirë në Gjermani për të ndjekur ëndrrën time dhe për të qenë i lirë", thotë ai. "Liria kushton, por nuk do hiqja dorë prej saj, për asgjë në botë."
Komente








