Shoferët e kompanive transportuese nga Maqedonia e Veriut, Serbia, Mali i Zi dhe Bosnje-Hercegovina po vazhdojnë edhe sot bllokadën në kufijtë me BE-në, duke ndalur hyrjet dhe daljet e mallrave, raporton Radio Europa e Lirë. Shkak mbeten rregullat e reja të Schengenit që sipas shoferëve ua vështirëson punën dhe ua shkurton kohën e qëndrimit në vendet e BE-së
Sot janë bllokuar edhe hyrjet në terminalet e mallrave në disa pika kufitare të Ballkanit Perëndimor me BE-në. Një nga pikat kryesore të bllokuara është Batrovci, në kufirin mes Serbisë dhe Kroacisë. Protestuesit kërkojnë zgjatje të qëndrimit të lejuar në BE në 4 muaj nga 3 që është aktualisht brenda një periudhe gjashtë mujore. Ata kanë paralajmëruar se nëse nuk gjendet një zgjidhje, bllokadat mund të zgjasin deri në 7 ditë
Bllokada pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në tregjet kosovare, raporton Radio Europa e Lirë. Sipas të dhënave të saj, dogana e Kosovës, vendi importon mbi 7 miliardë euro mallra në vit, një pjesë e madhe përmes Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, ndërsa eksportet arrijnë rreth 942 milionë euro në vit.
Kryetari i Odës Ekonomike, Lulzim Rafuna, i tha Radios Europa e Lirë se vendi do t’ia ndjejë pasojat bllokadës.
“Për shkak të bllokadës së kufijve, Kosova nuk do të mund as të eksportojë dhe as të importojë mallra”, tha ai për Radio Evropa e Lirë.
Sipas agjensisë së lajmeve, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë e Kosovës i ka dërguar letër shefes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, duke kërkuar ndërhyrje për zgjidhjen e situatës.
Sistemi i ri EES (Entry/Exit System) nisi të zbatohet gradualisht në kufijtë e jashtëm të zonës Schengen më 12 tetor 2025 dhe pritet të jetë plotësisht funksional deri më 10 prill 2026.
Ky sistem lidhet me rregullin “90/180 ditë”, që u lejon shtetasve nga vendet jashtë Schengenit të qëndrojnë maksimumi 90 ditë brenda një periudhe 180-ditore.
Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Markus Lammert, ka deklaruar më 26 janar se BE-ja po shqyrton mundësi që disa profesione, përfshirë shoferët e kamionëve, të mund të qëndrojnë më gjatë në Zonën Schengen.
Sipas tij, institucionet evropiane janë të vetëdijshme për shqetësimet e transportuesve dhe janë në kontakt me partnerët e Ballkanit Perëndimor.
Komente










