Në dorë të kujt do mbesë PD?

Në dorë të kujt do mbesë PD?
Para disa ditësh një studjues i politikës m’u afrua me synimin që të bënim një studim të thelluar shkencor të PD-së. Me mirësjellje e refuzova duke i thënë se kisha në duar një projekt tjetër. E vërteta është se kam në duar një projekt tjetër, por edhe se nuk desha të merrem me një projekt që nuk pasqyron të vërtetën, thjesht sepse jam i bindur që paraqitja e PD dhe realiteti janë dy gjëra të ndryshme.

Edhe më shumë se kaq, PD që është sot nuk do të jetë e njëjtë me PD mbas zgjedhjeve. I thashë se ky fenomen që do të ndodhë mbas një momenti kritik si zgjedhjet do studiuar dhe analizuar me kujdes dhe nuk zgjidhet me një pyetësor e me përgjigje telefonike që do të jenë të përgjuara e me radhë.

Arsyeja e vërtetë është se njerëzit tanë, simbas mendësisë klasike katundare, ndryshe mendojnë, ndryshe thonë, e ndryshe veprojnë. Me një pragmatizëm katundar klasik të mbështetur në dukje në sjelljen burrnore “kam ngrënë bukën e filanit” sjellja e të gjithëve në lojë motivohet nga tre parimet e sprovuara katundare, “kalova lumin, të vjedhi edhe kalin,” “gjithkush për atë të vetën” dhe “qeni leh atje ku ha.”

Motivimi kryesor është ruajtja e interesave të ngushta, mënyra e mbrojtjes të të cilave nuk kuptohet lehtë nga të huajt si për shembull blerja e votave vetëm me një gjel deti, me një thes mielli, dhe me nga një lopë për familje. Këtë nuk ta thotë kush në një pyetësor telefonik.

Ajo që ndodhi me skuthin intelektual Fatos Nano mbas vitit 2005 mund të ndodhë edhe me kulimin politik Sali Berisha. PD do të ketë probleme të tjera nga gjendja e PS dhe ujrat do të sqarohen mbas zgjedhjeve. Ti marrim një nga një disa nga këto probleme kryesore që do të lindin mbas zgjedhjeve.

Një hap i mirë është të fillohet me një vlerësim se cila është paraqitja e jashtme e PD-së. Paraqitja e jashtme e PD është e një partie qeverisëse dhe e një reparti ushtarak të komanduar mirë ku shefi din se ç’bën. PD i ngjan një strukture që drejtohet nga një udhëheqës shumë i fortë në kryeministri.

PD ka një grup deputetësh që kontrollojnë zona të caktuara në formën e pashallëqeve politike të konsoliduar me lidhje klienteliste dhe me një numër shumë të madh, dhjetra-mijra vetësh që kanë punuar në qeveri. PD është një parti me lidhje të shumëfishta në ekonomi dhe me pasunarët që e mbështesin pa mëdyshje.

PD gëzon mbështetje masive në disa shtresa të popullit dhe në zona të caktuara. PD kontrollon dosjet që janë si thupra e mesuesit në shkollën e katundit. Po ashtu PD ka një influencë të ndjeshme në strukturat e bandave në botën e nëndheshme. PD është në kontroll të një perandorie televizive e shtypi që shpraz pa ndërprerje një propagandë coroditëse.

PD është një parti që po mbledh rreth vetes të gjithë ata individë që dikur ishin pjesë e saj (me përjashtim të Alëksandër Meksit, dhe pa modesti, edhe timen, se duan s’duan ata, PD është partia që e kam nisur e themeluar edhe unë). Në letër e si makinë elektorale PD është një parti impresive.

Është e sigurtë se Sali Berisha do të nxjerrë një listë tejet konkuruese në nivel kombëtar me kandidatë për deputetë, do të mbledhë 300,000 vetë në mitingun parazgjedhor, do të ketë në dispozicion para me thasë, televizione private, gazeta fletërrufe, dhe do të zhvillojë një fushatë shumë të fortë, të egër dhe pa asnjë rezervë kundër gjithkujt që i duket pengesë në rrugën e tij.

PD duket si një parti shumë e fortë dhe me rrënjë në shoqërinë shqiptare. Në fund Sali Berisha do të ketë një grup kuvendor të numerikisht substancial të PD-së në Kuvend. Kjo pritet. Mirëpo kjo është vetëm paraqitja.

Saliu do të sillet si fitimtar, cilido që të jetë rezultati. Sjellja e tij është e shpjegueshme. Sali Berisha nuk do të ndalet para asgjëje sepse këto zgjedhje janë për jetë a për vdekje dhe për mbijetesën e tij dhe të familjes së tij. Por ai e di se pika e zgjedhjeve do të jetë një pikë kthese dhe vendimtare për Sali Berishën.

Para zgjedhjeve ai do të ketë dhe e ka edhe gurin, edhe arrën në dorë. Mbas zgjedhjeve ai do të mbajë arrën dhe dikush tjetër do të ketë gurin. Krahasimi mbaron këtu sepse mbas zgjedhjeve ai do të jetë krejtësisht i pasigurtë, jo aq me prijatarët e partive të tjera se sa me partinë e vet.

Në varësi të marrëveshjeve që do të bëhen, ai ose do të jetë një partner i padëshërueshëm në një qeverisje të ashtuquajtur të shpëtimit kombëtar, ose do të jetë në opozitë së bashku me disa partnerë shqetësues e kërcënues. Por në të dy rastet, poshtë kupolës familjare, sjellja e bashkëpunëtorëve të Trustit të Gështenjave të Tropojës është një rebus i pashjegueshëm sepse gjithkush po mendon për të vetën.

Po ashtu, duhet thënë se pavarësisht se si përfundojnë zgjedhjet, një gjë dihet e sigurtë. Sali Berisha do të jetë kryetar i përjetshëm i PD-së. Kjo përkthehet kështu. Ai është kryetari i përjetshëm i PD-së për sa kohë që ai vetë do të ketë jetë, d.m.th e ndoshta katër-pesë vjet të tjera, ja edhe dhjetë vjet, por pa dyshim jo tridhjetë e pesë siç shpresonte në një moment deliri parlamentar Saliu.

Herët a vonë do të vdesë si gjithë të tjerët dhe askush më mirë se ai nuk e di se sa delikate është gjendja e dikujt në moshën e tij dhe në gjendjen e tij. Në mos tjetër, veshja antiplumb të jep kruarje, shpesh të bezdisshme e të padurueshme.

Mirëpo, edhe me Saliun kryetar të përjetshëm, d.m.th. edhe për ca vjet, në të dy skenaret e mundshme mbas zgjedhjeve pyetja që duhet të bëhet është se cfarë do të ndodhë me PD-në? Kjo pyetje është legjitime sepse mbas zgjedhjeve ndryshon raporti i forcave dhe problemet me të cilat do të përballet Saliu janë jo të lehta.

Fatos nano kishte një parti të strukturuar e të fortë dhe prapë të vetët, të drejtuar nga Gramoz Ruci, me metoda katundare dhe me mendësi katundare ia futën turrë nën hali. Të tre motivet e njohura pragmatike katundare do të vënë në lëvizje e do të ndryshojnë strukturën e PD-së që nuk është e konsoliduar deri në atë pikë sa të mos përjetojë një shkërmoqje ekstreme si në vitin 1997.

Prandaj ai po bën gjithcka që mundet që të mos e lejë këtë të ndodhë. Nga ana tjetër njihet mirë fenomeni i partive oligarkike apo nën kontrollin e një familje, qoftë ajo edhe kriminale, që kur përballen me humbjen shkërmoqen e treten si kripa në ujë.

PD nuk është PS edhe pse kanë lindur nga e njëra nënë, PPSH. Njëra parti mori kuadrot, tjetra mori të përdoruarit e të shfrytëzuarit. Askush më mirë se Sali Berisha nuk është i vetëdijshëm për këtë punë.

Në parantezë duhet thënë se Saliu e di se ka një problem të madh në faktin se PD është një parti qeverisëse e diskredituar në të gjithë drejtimet. PD po qeveris shtetin, por në thelb është një kartel mafioz që njihet si Trusti i Gështenjave të Tropojës dhe është në shërbim vetëm e vetëm të familjes Berisha.

Në tetë vjet qeverisje ndodhën krime të panumërta, ekonomia u shkatërrua, borxhet u rritën me gjashtë miliardë dollarë, u shit deti shqiptar, u shitën pronat e fundit që kishte shteti shqiptar, korrupsioni ishte i llahtarshëm, niveli i kontrollit të bandave në shërbim të PD u rrit ndjeshëm.

Gjatë këtyre viteve u shkatërrua më tej ushtria, arsimi, shëndetësia, mbrojtja shoqërore dhe siguria. U shitën hidrocentralet e deri edhe qentë e policisë. U ndërtua rruga e kombit që është një gjë që do të mbahet mend dhe mijra rrugë e rrugica që shërbyen për të pasuruar biznesmenët afër PD-së dhe nuk të cojnë kund.

Mirëpo çmimi që u pagua, paratë që u vodhën, dhe përdorimshmëria dhe mirëmbajtja e tyre janë me me shumë se një pikëpyetje. U sollën plehrat e Italisë, vjedhja e pronës publike u bë normë, u rritën numrat e përdoruesve të drogës, të vrasjeve, të trafikimit, të të burgosurve e me rradhë.

Pasurimi marramendës i disa individëve të lidhur me klanin Berisha dhe me Trustin e Gështenjave të Tropojës është një shenjë e qartë se qeverisja e PD-së ishte një qeverisje e korruptuar, kleptokratike, në shërbim të një strukture oligarkike në majë të së cilës qëndron Sali Berisha.

PD është një parti që nuk ka asgjë me cka mund të krenohet në historinë shqiptare. PD është partia e dështimit, e krimit, e vjedhjes, e cubnisë, si në qeverisjen e parë ashtu edhe në të dytën.

Saliu e di se deri tani ka mbajtur bashkë një shportë me karavidhe politike, që do të shprazet sa të bjerë në ujë. Mjafton të shihet figura e Arben Imamit, Genc Pollos, Ed Selamit, Tritan Shehut e me radhë. Këta janë si monedha, falen prurësit më të parë.

Këtyre nuk ua lë partinë, do ti përdorojë, I ka paguar mirë, por nuk iu beson sepse vetë i ka zvetënuar edhe më shuëm se kanë qënë të përdorur e të zvetënuar. Këta nuk kanë asnjë lloj besnikërie politike dhe me gjuhën katundare, janë aty për “të rruar” para.

Mirëpo, PD është e detyruar që të nxjerrë si deputetë një numër individësh që janë tërësisht të kriminalizuar, të kapur si nga Sali Berisha ashtu edhe nga kundërshtarët e tij. Kandidatët e PD-së për deputetë, me përjashtim të disidentit të djathit, dhëndrit të partisë, lënë për të dëshëruar.

Edhe pse Fahri Balliu tashmë është i Bekuari Apostolik, prapë se prapë, si pisqollë mediatike ai është një rob i Saliut që nuk beson se do ti gëzojë milionat, as ai e as e bija.

Fahri Balliu mbahet peng edhe nga ata që ia kanë letrat në dorë, jo vetëm të tijat por edhe të së bijës sepse nuk i ka vetëm Saliu letrat, i kanë disa palë. Po ashtu Fahriu mbahet peng nga ata që ia numërojnë ditët e presin rastin që t’ia kthejnë borxhet e palara. Shëtitjet në bulevard nuk do të jenë më aq të shkujdesura.

Të gjithë të tjerët që i kanë shërbyer duke menduar se do të marrin partinë në dorë si Lulzim Basha, Jozefina Topalli, Ridvan Bode, apo Sokol Olldashi kanë interesa që e tejkalojnë Sali Berishën. Besnikëria e tyre nuk është ndaj Saliut por ndaj klanit të tyre të mbështetësve.

Të gjithë presin rradhën dhe asnjë nuk beson se Saliu e ka sinqerisht me të, sepse në mos tjetër, kur ka ardhur momenti, I ka përdorur si lecka dyshemeje. Po ashtu, po të mos jetë PD në qeverisje, deputetët e Trustit do të detyrohen të bëjnë disa zgjidhje të pakëndshme për Saliun, sepse të gjithë i kanë dosjet e mbushura dhe kanë interesa të tilla që do t’i bëjnë të flasin me palën tjetër.

Përpjekja e tij për t’i mbushur karriket e Kuvendit me zero politike apo me njerëz që kanë shokë me të bijën gjatë hetimit të UCK-së, apo fëmijë apartamentesh me dhëndrin, e miq fëmijërie nga Lagja e shquar e Brrakës me të birin do ti japë një përqindje besnikësh por këta që e bënë gavetën duke qënë spiunë ministrish kanë treguar se nuk kanë shtyllë kurrizore, nuk do të funksionojnë.

Deputetët e PD-së kanë klanet e tyre lokale që janë më shumë klane krimi familjar e mafioz se sa struktura ideologjike. Deputetët që kanë vrarë, që dalin me kobure ne stadium e në takime me drogaxhinj, që kapen me prostituta e që vdesin duke bërë seks me sekretaret, që janë milionerë në një mandate, nuk pyesin për Saliun.

Këta nuk i kalon dot Saliu. Dhe do të jetë e vështirë që këta të dorëzohen e të bëjnë cdo Saliu kur Saliu ka arrën e dikush tjetër ka gurin në dorë.

Mbështetësit e shumtë që duhet të humbin punën nuk kanë më se c‘të humbasin. Klientët dhe mbështetësit, si dhe militantët e kanë kuptuar se nuk rrihet më edhe tetë vjet në opozitë. Shumë ndjehen të mashtruar dhe do ta braktisin sa të hiqen prej punës, nëse nuk e kthejnë pllakën menjëherë sepse Saliu u soll krejt ndryshe nga i stërkorruptuari Fatos Nano që i la të gjithë të vetëve të vjedhin simbas parimit “duan të hanë edhe këta, se nuk bëhet qameti tanët janë”.

Saliu la të vjedhin vetëm disa, dhe militantët morën dromcat, thërmijat e korrupsionit. Pakënaqësia është e madhe edhe tek militantët që kanë besuar tek PD qysh nga dita e parë. Saliu u tall me ta dhe i la në rrugë. Tashti që Saliu do të jetë në lumë duke notuar si kryetari Mao, keta do ta braktisin se ai nuk ka më c’tju japë.

Këta duhet të mendojnë për atë të vetën dhe do të mbështesin atë që iu jep një kafshatë. Si të gjithë katundarët tanë heroikë, cdo familje i ka njerëzit në të dy partitë, kështu që loja luhet për familjen e jo për ideologjinë.
 
Kjo sjellje “mbaje mirë me të gjithë dhe futja më të ligut” do të shihet në kthimin e pllakës së televizioneve si Klan dhe të gjithfarë llumkomentatori që sot bën rrërtërrtërre të pafund e përnatë për Sali Berishën në shtyp në gazeta, në radio e në internet.

Saliu e din se i ka peng sa kohë që ka pushtet. Sepse këta i kanë miq edhe këta të palës tjetër, por më mik kanë kuletën e pushtetin. Dhe ketë aq ëpo vijnë në pushtet janë të uritur dhe e kanë oreksin e madh.

Biznesmenët që nuk i morën paratë, dhe që duhet të derdhin “ndihmat” për PD gjithsesi, do të shkojnë tek partnerët e tyre, tek shokët e vjetër të konviktit, tek kushërinjtë dhe do të gjejnë gjuhën me ta. Këta janë në pikë të hallit sepse nuk e kanë të sigurtë pasurinë që kanë vënë.

Nga pastrues nevojtoresh janë bërë milionerë, nga kamerierë janë bërë miliarderë. Nga mushka droge e spacciatori janë bërë “kinga.” Eh, këta që po vijnë tash edhe janë të uritur, edhe e kanë oreksin e madh.

Po ashtu edhe të gjithë llojet e banditëve që nuk lanë gjë pa bërë dhe që kanë “investuar” në “ekonominë” shqiptare duhet të verifikojnë pasurinë e të gjejnë mbrojtje se këta që po vijnë tash edhe janë të uritur, edhe e kanë oreksin e madh. Kështu që Saliu nuk mbështetet dot as tek këta sepse këta duan të mbijetojnë për vete.

Zyrtarët që e kanë punën prej PD, pak prej frikës pak prej dëshpërimit do të dalin në mitingjet e PD-së, dhe pak nga pak, varet nga fryn era, do të shkojnë edhe në mitingjet e PS-së. Partitë politike në shtetin shqiptar kanë nja gjashtë milionë anëtarë.

Të gjithë e dinë se kolegu i tyre, që i kanë zënë vendin, pop ret që të kthehet. Fëmijët nuk ushqehen me teserën e PD-së, kështu që gjithkush duhet të mendojë për të vetën.


PS i mbajti mbështetësit edhe me Bashkinë e Tiranës dhe me mundësitë që ajo ofronte. Mirëpo shpresat kanë shterrur. Shpjegimi është se Bashkia e Tiranës nuk i ka më burimet sepse kryeministri i ardhshëm do t’ia mbyllë rubinetin.

Më në fund, do të nisë edhe një herë eksodi drejt Kanadasë, SHBA-së e kudo tjetër ku zyrtarët berishianë, biznesmenët e PD-së, afaristët, doganierët, shefat, drejtëorët e me rradhë i kanë fshehur paratë e pasuritë.

Të gjithë këta që u kthyen në vitin 2005 do të rikthehen këtë herë “të rregulluar,” me qesen plot dho të ulen të bëjnë politikë në kafenetë e Nju Jorkut dhe të Torontos. Ata që ikën do të vijnë edhe më të uritur dhe me oreksin më të madh.

Saliu po bën një përpjekje gjigande dhe të zgjuar që të mbështetet tek rinia, por rinia që i afrohet nuk ka bindje politike. Si mund të mbështetëssh një parti që nuk ka ideologji? Cfarë bindjesh mund të kesh? Rinia që i afrohet i afrohet jo prej Ciljetes e Greta Kocit, por për shkak se i ka nisur babai, se duan një vend pune, ose se duan të zënë shoqëri me dikë që ua do zemra, e të marrin një rrugë jashtë shtetit.

Rinia është bërë tejet pragmatike dhe përtej lustrës së mbështetjes dhe entuziazmit, mendon e sillet si katundarët më të sprovuar. Saliu po vepron si gjarpëri sepse kërkon t’i helmatisë e t’ua hedhë një lugë helm në corbë, por ka shumë të rinjë që e kanë kuptuar dhe “luajnë me dy porta” si biznesmenët, sibanditët, si zyrtarët si mbështetësit.

Por problemi më i madh janë ata katundarët që e mbështetën për tetë vjet dhe që Saliu, urtë e butë në gjuhën e tyre “ua ngjeshi paq.” Këta donin të legalizonin pasuritë e vjedhura. Prandaj ia dhanë votat. Tashti Saliu nuk ka kohë ti legalizojë, edhe pse iu ka shkelur syrin që do ta bëj po fitiva këtë herë; katndarët që duan të zgjidhin problemin e tyre e dinë se Saliu u soll simbas parimit “kalova lumin, ua vrava edhe kalin.”

Dhe tashmë e dinë se duhet të mendojnë gjithkush për atë të vetën. Sepse këta që po vijnë janë të uritur dhe e kanë oreksin e madh, duan para dhe katudnarët ilegalë në sytë e tyre, duhet të zgjidhin qesen e të paguajnë rrushfete për tetë vite të tjera për pronat që I kanë vjedhur, zënë, grabitur e blerë.

Po i paguajnë katërfish më shtrenjtë se sa t’ia kishin dhënë paratë pronarit në dorë. Pushkën nuk e marrin dot se të gjithë djemtë i kanë rrugëve të botës duke u marrë me veprimtari ndërtimtare artistike e krijuese, dhe gjithkush do të kqyrë atë të vetën.

Kur të vijë ‘filani” do ti japin paratë e do të kujtojnë Saliun dhe as nuk do të munden që të protestojnë. Nuk zgjidhen më punët me mitingje tek ish-Pallati i ish-Kulturës. Lul Basha e ka bërë lulishte, tamam lulishte katundare, sepse funksionon vetëm kur nuk ka makina në lëvizje. Ky është një problem i madh për Saliun.

Ka shumë e shumë për të thënë, por shqetësimi i madh i Sali Berishës është mbas këtyre zgjedhjeve të gjithë këto elemente do të vihen në pikëpyetje. Pikëpyetja kryesore që e mundon atë dhe Trustin e Gështenjave është se si do të sillen këto shtresa.

Saliu e din se nuk e ka jetën e gjatë, trashëgimtarët që po lë në PD janë pesha të lehta, dhe që përkulen lehtë, para dhe prapa, majtas dhe djathtas, dhe se sjellja e të gjithëve në lojë motivohet nga tre parimet e sprovuara katundare, “kalova lumin, të vjedhi edhe kalin,” “gjithkush për atë të vetën” dhe “qeni leh atje ku ha.”

Në vitin 1992 PD e kreu misionin historik të mashtrimit të shqiptarëve, Saliu e ringriti me mjeshtëri të jashtëzakonshme në një parti politike qeverisëse mbas vitit 1997, dhe tashmë e ardhmja e tij, e Trustit të Gështenjave dhe e Familjes varet nga afëtsia e tij për t’i mashtruar edhe një herë shqiptarët.

Por si edhe u prek përciptazi këtu, mbas zgjedhjeve loja luhet me rregulla të tjera. Varet se a do ti hipë Saliu kalit të qeverisjes apo gomarit të opozitës, a do të jetë Don kishoti apo Sanco Panca, edhe pse të dy rolet i njeh mirë. Por varet edhe nga sjellja e palës tjetër të parisë.

Mbas 2005, Saliu u soll si xhentëlmen me ta, nuk i preku fare, por vetë Edi Ramës i ka punuar qindin, dhe kushedi çka i kalon nëpërmend Edit dhe atyre që po presin rradhën, se këta janë ujq të uritur dhe e kanë oreksin e madh.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 10.03.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Tragjedia në Shkodër, a duhet gratë të denoncojnë çdo formë dhune?



×

Lajmi i fundit

Mbytja e nënës bashkë me 3 fëmijët në lumin Buna, kreu i KMSH: Ngjarja tregon se familja shqiptare është në krizë

Mbytja e nënës bashkë me 3 fëmijët në lumin Buna, kreu i KMSH: Ngjarja tregon se familja shqiptare është në krizë