PRISHTINË, 22 Janar/ATSH/.- "Islami dhe terrorizmi" ishte tema e seminarit që u mbajt në universitetin  e Ferizaj, në Kosovë.
Sipas KosovaPress, në këtë seminar i pranishëm ishte kryetari i Komunës së Ferizajt, Muharrem Sfarqa, përfaqësues të bashkësisë islame të Kosovës, drejtues të kishës katolike dhe asaj ortodokse në Ferizaj, deputetë të parlamentit të Kosovës, drejtues të organizatave joqeveritare, drejtues të gjykatave, drejtues të policisë si dhe drejtues të KFOR-it amerikan.
Kryetari i degës së Bashkësisë Islame të Kosovës në Ferizaj, Fehmi Efendi Mehmeti, ka thënë se ky seminar është organizuar për t'u informuar mbi nocionin "terrorizëm", i cili është shumë aktual dhe që më së shumti, po prek komunitetin islam, si dhe për të sqaruar se cili është qëndrimi i fesë islame për terrorizmin.
"Nga vetëm emri që ka feja islame, nënkuptohet se mesazhi i Islamit është paqja dhe që në mënyrë absolute e lufton terrorizmin", ka thënë Mehmeti.
Ndërkaq kryetari i Komunës së Ferizajt, Muharrem Sfarqa u shpreh se e konsideron këtë aktivitet si fillimin e dialogut dhe debatit, për të sqaruar çështje që kanë të bëjnë me fenë islame dhe me aktet e terrorizmit që shpesh po bëhen në emër të saj./m.m/