Duke filluar nga sot në të gjithë pikat kufitare të vendit kanë hyrë në fuqi masat e reja anti COVID sipas vendimit të Komitetit Teknik të Ekspertëve të marrë më 30 gusht. Një prej kushteve që kërkohet është edhe testi i shpejtë në mungesë të testit PCR.  Kjo ka bërë që në të gjithë  pikat kufitare të vendet të hapen pika testimi për 'rapid test' ku drejtohen me mijëra udhëtarë.  

Sa i përket Aeroportit të Rinasit nuk ofrohen testet e shpejta, as testi serologjik apo edhe ai i antigjenit por vetëm testet PCR, të cilat bëhen nga një kompani private dhe kushton 35 euro.  Një vëzhgim i Report Tv zbulon se në të gjitha pikat e tjera kufitare çmimet variojnë nga 15 deri në 25 euro dhe realizohen nga disa kompani të caktuara private. Çmimet janë tepër të larta, duke ia kaluar shumë vendeve të Bashkimit Europian që në të shumtën e rasteve i ofrojnë edhe në farmaci teste të tilla apo kanë bërë marrëveshje me kompanitë që çmimi të ketë një limit si në rastin e Italisë kur testi nuk i kalon 15 euro. Pse qeveria shqiptare nuk e bën një marrëveshjet  të tillë me privatët?  Gjithashtu ka vende që testin e shpejtë e ofrojnë edhe falas nga shteti në pikat kufitare.

Mbetet pikëpyetje se pse minimalisht Ministria e Shëndetësisë në Shqipëri nuk e liberalizon tregun që ky test të shitet në farmaci me çmim më të ulët si në të gjithë Evropën. Në të gjithë pikat tona kufitare janë vetëm 3 ose 4 kompani që ofrojnë testet e shpejta.

Komiteti Teknik i Ekspertëve më 30 gusht vendosi 3 kushte për qytetarët që duan të futen në Shqipëri. E para, të kenë pasaportën e vaksinimit, ku nga data e vaksinimit të plotë të kenë të paktën dy javë. Së dyti, nëse nuk kanë bërë vaksinën, atëherë duhet të kenë patjetër testin PCR negativ brenda 72 orëve dhe së fundmi testin e shpejtë të antigenit brenda 48 orëve ose të kenë provë të kalimit të infeksionit Sars-Cov2, të vlefshme deri në 6 muaj pas shërimit.  ndërsa nuk janë në fuqi për fëmijët deri në 6 vjeç.

Rregullat e reja
Duke filluar nga data 6 Shtator, qytetarët të cilët hyjnë në Republikën e Shqipërisë nga të gjitha pikat kufitare duhet të plotësojnë një nga këto tre kushte:
Të kenë pasaportën e vaksinimit, ku nga data e vaksinimit të plotë të kenë të paktën dy javë.
Të kenë testin PCR negativ brenda 72 orëve ose testin e shpejtë të antigenit brenda 48 orëve.
Të kenë provë të kalimit të infeksionit Sars-Cov2, të vlefshme deri në 6 muaj pas shërimit.
Këto rregulla janë të vlefshme edhe për ata qytetarë të cilët kalojnë tranzit në Shqipëri.
Fëmijët deri në 6 vjeç nuk i nënshtrohen këtyre rregullave
Qytetarët shqiptarë rezidentë në Shqipëri, të cilët kthehen dhe nuk kanë një nga dokumentat e sipërcituara, duhet të vetëizolohen për 10 ditë dhe të informojnë autoritetin shëndetësor për të kryer një test në fund të periudhës së izolimit.
Në ndërtesën e aeroporteve do të lejohen të hyjnë vetëm pasagjerët që udhëtojnë, duke shmangur shoqërimin nga familjarë të tyre. Këta pasagjerë duhet të zbatojnë me rigorozitet mbajtjen e maskës, ashtu siç është rekomanduar dhe siç po reflektohet ky ndryshim edhe në protokollin e funksionimit normal të aeroporteve.

Kushtet që duhen plotësuar kur kalon në pikat kufitare të Shqipërisë