Anton, të qoftë falë gjaku i djalit...

Ishte fillimi i viteve të ’90-ta. Te Verrat e Llugës, në afërsi të Deçanit në Kosovë, Anton Çetta do të ishte një nga udhëheqësit e pelegrinëve që shkonin për të dëgjuar fjalë. Jo fjalë trishtimi, jo fjalë dobësie, ata shkonin për të dëgjuar mesazhin për jetën, për faljen, për pendimin. Këtë nuk ka Zot ta kthejë mbrapsht, nuk ka dorë të mos e thotë “Të qoftë falë gjaku”.

Aty, mijëra burra shqiptarë nga Kosova, ishim mbledhur për ta varrosur një traditë të shëmtuar dhe të shpifur shqiptare, një traditë për të cilën tash e sa vite na shohin njerëzit nga bota më e largët, ajo ku ka shtet, si egërsira. Gjakmarrja në Shqipëri është bërë tashmë një emërtim gjeografik për medien e huaj dhe për turistin. Ata e dinë që atje diku në male një është ndryrë mbrapa forcës së metalit të lidhur në dry, e një tjetër mbase pret përtej nishanit për të parë në shenjë gjakmarrjen e tij: vrasësin, një grua, një fëmijë që nuk e di përse jeton në mure i ndryrë.

Në mure jetojnë njerëzit fatkeq, ata që janë ogurzi, refugjatët, të okupuarit jetojnë të mbyllur nga frika se diktatori i tyre, një Vampir, shpirt i ligë nate, do të vijë si një katallan me syrin e madh në ballë për ta ngrënë lirinë e tyre. Qelia është e shpifur. Është vend me kënde, vend me grila, me aroma të padëshirueshme. Në kënde nuk mund të sillesh përreth, në grila mund të nxjerrësh vetëm pak hundën por nuk e arrin askush atje ku duhet.

Diku në malet e Shkodrës, burrat mblidhen për ta pleqnuar një ngjarje, një vrasje. Atje diku askush nuk mund të përzihet në këto punë: burrat dredhin mustaqet, i bëjnë fije të holla vesh më vesh. “Vrite, do ta vrasim”, thotë njëri. E tjetri, tjetri thotë: “Kush?”.

Shqipëria me gjakmarrjen është bërë një temë e hidhur, një temë e zezë që nuk ka nevojë për petka, për shami, për të bërë kryq, për të paguar vajtojca për ta qarë për njerëzit e afërm. Më aty nuk ka nevojë për të thënë se kjo është një histori e vobektë. E dinë të tërë, është acarim, sëmundje, kancer që vret. Atje jetojnë disa njerëz më të cilët nuk flitet, tek të cilët nuk shkon askush. Ata shpallen bisha, njerëz më dhëmbë të gjatë, me kthetra, malësorë, kështu janë kështu vrasin me shekuj.

Kanuni i Lekë Dukagjinit ka qenë një formë ideale për një vend pa ligje. Është pritur miku, i huaji, mysafiri. Është përcjellë në mënyrën e tij. Policia nuk ka ekzistuar, por ka ekzistuar besa, pagesa, ka ekzistuar forma e marrjes hak. Por, kjo nuk ka qenë gjobë, nuk ka qenë masë ndëshkuese për t’i dhënë tjetrit një rast për t’u integruar në shoqëri, për të qenë i dënuar, për të qenë sërish i pafajshëm.

Ky rast do të ishte një rast lirie masive në këtë kontekst. Ne, tani i frikësohemi shqiptarit. Shqiptari vret, të pret, të lodh, të mbyt, të dërrmon. Shqiptari është i egër tash.

Motivi i këtij mllefi ishte shkrimi i kolegut Mentor Kikia në Tiranë. Maria Cuku, 17-vjeçe, vritet për gjakmarrje. Një lajm që doli, por nga tërë histeria dhe euforia e Shqipërisë, e medieve, e vulgaritetit, e turpit kombëtar, më pëlqeu vetëm ky rresht. Maria Cuku, 17-vjeçe, vritet për gjakmarrje.

Kush ka qenë Maria? Në një forensikë estetike, do të bënim biografinë e saj, jetën e saj, për të gjetur motivin. Në këtë kontekst, një gjë të tillë nuk mund të bëjmë. Vetëm mund të themi, ka qenë e re. Punëtore, duke punuar në arë. E bukur, duket nga fotografia. Është 17-vjeçe, mjafton që punon në arë një femër. Por, jo ajo i ka takuar një familjeje gjakësish dhe gjakësi i ka ruajtur në grykën e pushkës, t’i dalin dhe të marrë prenë e tij, gjakun dhe bashkë me të edhe trupat. Ata të ftohtë, në arë.

Trupi i Maries nuk dallohet nëse është bionde apo brune. Nga pjesa e ngelur e fytyrës që nuk duket se ka dalë në lëndinë mund të thuhet se ka qenë një gocë e bukur. Pjesa tjetër duket mish i gjallë dhe duket sikur në të është përplasur me eksploziv mllefi i gjakësit dhe ka shpërthyer gjithandej. Ka shtat dhe duket sikur sa ka nisur ta ndjejë veten të gjallë. E re duket nga trupi. Duket e shtrirë, shumë e vdekur.

Diku në Tiranë dikush mendon se si bota qenka kaq bashkëkohore dhe shëtit lirshëm. Është 17-vjeçe, kërkon lidhje internet për iphone. Maria, vazhdon të jetë seriozisht e vdekur.

Ka nga ata që e dinë, por ka edhe nga ata që nuk e dinë dhe duan të jenë pjesë e këtij procesi. Një prift, besimtar i ri i guximshëm, u vra për gjakun e familjes pak vjet më parë në Shkodër. Ai refuzonte të mbyllej, refuzonte të dorëzohej. Kishte lënë letër, kishte thënë se është i lirë.

Shteti shqiptar është një shtet i gjunjëzuar. Në 100-vjetorin e shtetësisë, Shqipëria është një banalitet evropian, një lëneshë që nuk e do askush, Shqipëria është sëmundje. Mënyra se si sillet shteti shqiptar tregon dhe të gjithë e dinë se udhëhiqet nga mënyra të krisura, ku asnjë gjë nuk funksionin. Shqipëria nuk është bërë. “Por, sot askush nuk shkoi ta përcillte Marien, e cila nuk iku nga kjo botë as nga një aksident, as nga ndonjë sëmundje.

Ajo u vra në mes të arës duke punuar për bukën e gojës për të paguar krimin e gjakmarrjes”, thotë kolegu Kikia, dhe shton: “Maria sot nuk është thjesht një vajzë që nuk jeton, ajo është simboli i shëmtisë sonë të përbashkët, është simboli i shtetit që nuk ekziston, është simboli i shoqërisë që struket në heshtjen dhe rehatinë e saj. Vajtimi i prindërve të Maries është sot një klithmë që nuk duhet lënë të shuhet, por duhet shndërruar në himn për kërkimin e drejtësisë. Ajo është një motiv që duhet të na bëjë të gjithëve të përgjegjshëm, për të dalë në rrugë e për të protestuar, jo më në emër të politikës, por në emër të jetës”.

Liria është okupimi i vetvetes, çlirimi i vetvetes. Në rastin e Kosovës gjaqet u falën në pjesën më të madhe. Ka mbetje nga kjo sëmundje. Por, ata që falin çlirohen. Dhe, Shqipëria tash ka ngelur e ndryrë që nga veriu deri në jug, në Shqipëri harrohen motivet e gjaku, harrohen gjurmët e tij. Ne duhet të marrim hak për vrasjet e tilla ku do dhe kjo duhet te jetë një fushëbetejë. Jo vetëm atëherë kur ndodhin. Me malësorët duhet folur sepse duhet folur me vetveten dhe duhet folur me mediet, me fushatën e madhe të zgjimit derisa të mos bien të gjitha kambanat.

Në Shqipëri merret jeta për ta rritur vdekjen!
Marrë nga Zeri
)sg/shqiptarja.com)