Policia Rrugore e Dibrës ka bërë bilancin e një jave. Tre drejtues automjetesh kanë rënë në pranga për shkelje të Kodit Rrugor, përfshirë drejtim mjeti nën efektin e alkoolit, parakalime të gabuara, qarkullim me shpejtësi tej normave të lejuara etj.

Në këtë hark kohor shërbimet e policisë bëjnë me dije se kanë vendosur 1081 gjoba, ku 540 masa janë për ndalim ose qëndrim të gabuar.

Njoftimi i plotë:

Monitorim intensiv me dron, radar dhe makina inteligjente në të gjitha akset e qarkut, për të parandaluar ngjarjet rrugore me pasoja, si dhe për të menaxhuar trafikun, për shkak të fluksit të shtuar të automjeteve gjatë sezonit veror.

Ndër fokuset e punës së Policisë Rrugore Dibër janë evidentimi dhe ndëshkimi i drejtuesve të mjeteve që drejtojnë automjetin nën efektin e alkoolit ose në gjendje të dehur, pa leje drejtimi, kryejnë parakalime të gabuara, si dhe i mjeteve që qarkullojnë me xhama të errësuar, shkelje që përbëjnë ndër shkaqet kryesore të aksidenteve rrugore.

Si rezultat i monitorimit, gjatë periudhës 03–10 gusht 2026, janë arrestuar 3 drejtues mjeti dhe janë proceduar penalisht në gjendje të lirë 2 të tjerë, për veprat penale “Drejtimi i mjeteve në mënyrë të parregullt” dhe “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.

Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe, janë vendosur gjithsej 1081 masa administrative për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor, konkretisht:

56 masa për parakalime të gabuara;

75 masa për qarkullim me shpejtësi tej normave të lejuara;

540 masa për ndalim ose qëndrim të gabuar;

141 masa për mosvendosjen e kaskës mbrojtëse;

6 masa për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit;

4 masa për xhama të errësuar të pahomologuar;

259 masa për shkelje të tjera të Kodit Rrugor.

Kontrolle të tilla do të vijojnë në të gjitha akset rrugore urbane, interurbane dhe rurale, duke përdorur të gjitha mjetet bashkëkohore logjistike, me qëllim përmbushjen e parametrave të sigurisë rrugore.

Policia Rrugore e Dibrës apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve që të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor dhe të kontribuojnë në parandalimin e aksidenteve si dhe në rritjen e sigurisë rrugore.

Ftojmë qytetarët që të denoncojnë, në numrin pa pagesë 112, çdo shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.