Procesi penal për shpifje dhe fyerje kundër Jamarbër Berishës dhe Belind Këlliçit, i kërkuar nga gazetari Carlo Bollino, po shndërrohet në një Spektakël të absurdit. Pas disa seancash, ku dy të pandehurit nuk arritën të paraqesin ende asnjë provë për të mbështetur shpifjet kundër Carlo Bollino-s, ata tentuan ta mbyllin procesin duke shfrytëzuar vdekjen e një të afërmi të avokatit të Bollino-s, i cili për shkak zie kishte kërkuar shtyrjen e seancës. Është teknika e vjetër e Sali Berishës, i cili gjatë karrierës së tij të dështuar politike ka përdorur në mënyrë cinike shumë herë vdekjen si instrument për të përfituar dicka, dhe për këtë arsye ka fituar nofkën “Doktor Mortja”.

Të frymëzuar nga mësimet e tij, në skenë kanë zbritur tre varrmihësit e Doktor Mortjes: Belind Këlliçi, Arjana Karaja dhe dhëndri Jamarbër Berisha. Duke akuzuar avokatin e Bollinos për zvarritje të gjyqit me pretekstin e një vdekjeje, dhe duke akuzuar Carlo Bollino-n se kërkon të shmangë “përballjen në gjyq”, këta tre “gjeni të së drejtës” i kanë kërkuar zyrtarisht gjykatës pushimin e çështjes për mungesë të pajustifikuar të avokatit të palës kallëzuese. Në vend që të përballen me akuzat përmes provave, tre varrmihësit e Berishës përpiqen t’i shmangen dënimit me marifete qesharake. Kërkesa as nuk është marrë në konsideratë, për sa e pabazuar ishte.

Pasi kjo përpjekje dështoi, ata kanë rifilluar të akuzojnë Bollino-n sikur është ai që kërkon të shmangë gjyqin. Një qëndrim po aq qesharak sa edhe i pakuptimtë, pasi nuk ndodh kurrë që pala kallëzuese të përpiqet të shmangë një gjyq që vetë e ka kërkuar! Ndërkohë, ata që vërtetë përpiqen t’i shpëtojnë dënimit janë pikërisht dy të pandehurit, bashkë me varrmihësen e tretë Kalaja, me kërkesën absurde për pushim të çështjes për shkak të një rasti vdekjeje.

Gjyqtarja e çështjes sot e shtyu seancën për të vendosur ndërkohë nëse kompetenca për të vazhduar gjyqin i takon asaj apo SPAK, duke qenë se Belind Këlliçi është deputet. Në fakt, kur Këlliçi ka bërë shpifjet për të cilat është marrë i pandehur, nuk kishte asnjë funksion zyrtar përveçse kandidat i humbur në zgjedhjet bashkiake të Tiranës, të fituara nga Erion Veliaj me mbi 60 mijë vota diferencë. Kështu që kompetenca nuk mund të ndryshojë. Por të trembur nga kalimi i çështjes në duart e SPAK-ut, si Këlliçi ashtu edhe dhëndri kanë kërkuar me insistim gjatë seancës që kompetenca të mos transferohet: një qëndrim i çuditshëm, pasi ata pretendojnë se provat kundër Carlo Bollino-s i disponon pikërisht SPAK-u. Por nëse është kështu, pse nuk duan që çështja të kalojë në SPAK?

Në të vërtetë, ligji i detyron vetëm dy të pandehur, Belind Këlliçin dhe Jamarbër Berishën, që të paraqesin në gjykatë provat (nëse i kanë) që vërtetojnë akuzat e tyre, dhe askënd tjetër. Gjë që deri më sot nuk e kanë bërë. Pra ato ende duhet të faktojnë:

1) Që dhëndrri bashkë me familjen e tij është pronar me dokumenta i tokës mbi të cilën u ndërtua godina e Report TV

2) Që dhëndrri e ka dhuruar tokën bashkisë së Tiranës me një akt vakëfi me qëllim që të ndërtohej një shkollë

3) Që Carlo Bollino është bërë pronari i tokës duke paguar vëtëm 1 euro (ai në fakt ështe vetëm qiramarrësi pas një konkursi publik ndërkohë që pronar edhe tani që flasim është Shteti)

4) Që Carlo Bollino ka paguar bakshishe (dmth i ka korruptuar) ministrat dhe kryeministrin për ta fituar padrejtesisht atë tokë

5) Që Carlo Bollino në vitin 2019 kur ka aplikuar për të marrë atë tokë me qira, ka prishur planin dhe projektin për ndërtimin e një shkolle

Pa sjellë këto provat që duhet të ishin shumë të thjeshta për t'i dorëzuar nëse ekzistojnë, Belind Kellici dhe Jamarber Berisha janë thjeshtë dy shpifës dhe fyes dhe si të tillë duhet të dënohen.

POST SCRIPTUM - Redaksia pyet Carlo Bollinon nëse do të paraqitet në seancat e ardhshme. Kjo është përgjigjja: "Unë që nga fillimi i gjyqit kam firmosur një prokurë përfaqësimi për avokatin tim, kështu që unë kam shkuar gjithmonë dhe do të shkoj në seanca kur nuk kam impenjime të tjera pune brenda apo jashtë shtetit. Prania ime në seancë, siç e përcakton kodi, nuk ka asnjë lidhje me vazhdimësinë e procesit, për të cilin mjafton prania e avokatit tim, i cili e ka marrë nga unë delegimin e plotë për ta çuar sa me shpejt gjyqin deri në fund, në çdo shkallë gjyqësore ekzistuese, deri te dënimi përfundimtar i fajtorëve. Ata që mendojnë që një gjyq zhvillohet me përballje fizike në seanca si në kohën e shpellarëve, jetojnë ende në një botë mesjetare që unë nuk e kam njohur kurrë".