'Ne jemi 1', Meta shpall në presidencë lëvizjen në mbrojtje të fëmijëve: Dhuna dhe shfrytëzimi seksual i tyre është abuzimi më i rëndë (VIDEO)

Me kërkesë dhe përkujdesin e Metës është mbajtur sot në presidencë ceremonia e shpalljes së lëvizjes kombëtare "Ne jemi1". Kjo për t'u bashkuar në luftën kundër dhunës dhe shfrytëzimit seksual të fëmijëve në Shqipëri.

Së bashku me Metën, si inicatore e kësaj lëvizje ishte edhe Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve - CRCA/ECPAT Shqipëri, në bashkëpunim me BARNAHUS Shqipëri, që synojn të adresojë sfidat dhe mangësitë në mbrojten e fëmijëve nga dhuna dhe shfrytëzimi seksual në të gjithë Shqipërinë, duke angazhuar qytetarët, prindërit, arsimtarët, edukatorët, artistët, zyrtarët publikë, shoqërinë civile, të rinjtë dhe vetë fëmijët, për të denoncuar çdo akt të dhunës apo shfrytëzimit seksual të fëmijëve, si dhe për të punuar me autoritetet për të marrë masa për të mbrojtur, kujdesur dhe ndërgjegjësuar fëmijët dhe familjen nga pasojat që sjell dhuna

Duke iu drejtuar të pranishmëve, mes të cilëve ishin Avokati i Popullit Erinda Ballanca, Drejtori Ekzekutiv i Qendrës për të Drejtat e Fëmijëve në Shqipëri (CRCA) Altin Hazizaj, Zv/ministri i Shëndetësisë dhe Mirqenies Sociale Albert Nikolla, dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, pushtetit vendor e të medias dhe aktivistë të shoqërisë civile, në fjalën e Tij përshëndetëse, Presidenti Meta u shpreh:

“E nis me një falenderim të veçantë për Qendrën për të Drejtat e Fëmijëve në Shqipëri (CRCA), për lidershipin që keni treguar në mbrojtje të të drejtave të fëmijëve si edhe për këtë lëvizje kombëtare që keni ndërmarrë me një rëndësi të jashtëzakonshme. 

Qëllimi i demokracisë, i ligjit dhe të drejtave të njeriut - shtyllat ku mbështeten shtetet demokratike - është të mbrojë çdo qytetar nga padrejtësitë, dhuna, abuzimi dhe shkeljet e integritetit dhe dinjitetit njerëzor.

Dhuna dhe shfrytëzimi seksual i fëmijëve është një ndër abuzimet më të rënda kriminale dhe mizore që mund të ndodhë në një shoqëri.

Kjo dhunë merr formën e abuzimit, ngacmimit, përdhunimit ose shfrytëzimit seksual dhe fatkeqësisht mund të ndodh kudo: në shtëpi, shkolla, institucione kujdestarie, familje apo komunitete.

Përhapja e gjerë e përdorimit të internetit dhe të teknologjisë i ka ekspozuar edhe më shumë fëmijët në rrezikun e dhunës dhe abuzimit.
Po kështu edhe gjatë pandemisë COVID-19 janë raportuar shtime të abuzimit seksual të fëmijëve online, për shkak të rritjes të orëve të qëndrimit në internet.

Ndaj, është një domosdoshmëri dhe prioritet të mbrojmë fëmijët nga këto mënyra të reja të krimit.

Fatkeqësisht, pjesa më e madhe e fëmijëve dhe familjeve të tyre nuk i denoncojnë rastet e shfrytëzimit apo të abuzimit, për shkak të frikës, stigmatizimit nga shoqëria apo edhe për shkak të mosbesimit ndaj autoriteteve përgjegjëse.

Ndërkohë që mungesa e ndërgjegjësimit për një çështje kaq të ndjeshme ndikon edhe më shumë në mungesën e denoncimeve dhe natyrisht edhe të ndëshkimeve.

Të gjitha faktet tregojnë se dhuna seksuale ka pasoja shumë të rënda aftashkurtra dhe afatgjata si në aspektin psikologjik edhe atë fizik e social për fëmijët, por edhe për familjet e tyre, duke çuar në diskriminim, vështirësi në shkollë, në vetëpërjashtim, stres psikologjik, dhe në pamundësi e vështirësi për t’u socializuar dhe për t’u përfshirë në shoqëri.

Disa grupe fëmijësh janë edhe më të rrezikuar, si për shembull: fëmijët me aftësi të kufizuara, ata të grupeve të margjinalizuara, jetimët apo ata që vijnë nga familje shumë të varfra.

Gjatë viteve të fundit, me keqardhjen më të madhe ne të gjithë kemi qenë dëshmitarë të rasteve të dhunës seksuale ndaj fëmijëve në vendin tonë dhe të faktit që, në të shumtën e rasteve, abuzuesit janë njerëz të njohur për fëmijët.

Edhe pse mbrojtja e fëmijëve nga dhuna dhe shfrytëzimi seksual, duke i bërë ata të ndihen të sigurtë dhe të mbrojtur në ambientin ku jetojnë, është përgjegjësi thelbësore për të gjithë ne, fatkeqësisht, në disa raste, institucionet dhe shoqëria kanë dështuar. Kjo duhet të ndryshojë tani, prandaj është edhe momenti që ta mbështesim tani këtë lëvizje kombëtare, jo vetëm sot, por në vazhdimësi.

Është momenti që, të gjithë së bashku, jo vetëm të ngremë zërin për të mbrojtur të drejtat e fëmijëve, por njëkohësisht edhe të përmirësojmë politikat, kuadrin ligjor dhe të ngremë barriera për të ndalur dhunën dhe shfrytëzimin seksual të fëmijëve.

Vendi ynë ka ratifikuar Konventën për të Drejtat e Fëmijëve, që në vitin 1992 dhe ka bërë përparime në fushën e respektimit të të drejtave të tyre, por duhen ndërmarrë masa të forta, jo vetëm për përmirësime ligjore në fushën e mbrojtjes së fëmijëve nga dhuna dhe shfrytëzimi seksual, por njëkohësisht të zbatimit të tyre dhe rritjes së ndëshkueshmërisë.

Nevojitet hartimi i një ligji të posaçëm për mbrojtjen e fëmijëve në internet; Ndryshimi i kodit të drejtësisë penale për të mitur me fokus të veçantë mbrojtjen nga dhuna seksuale; apo Krijimi i regjistrit kombëtar të të dënuarve për krimet seksuale ndaj fëmijëve në Shqipëri.

Paralelisht me këto masa ligjore duhet të ndërmarrim masa për ndërgjegjësimin e fëmijëve, familjeve të tyre dhe gjithë shoqërisë sonë për të denoncuar çdo rast dhune dhe veçanërisht asaj seksuale ndaj fëmijëve si dhe për të adresuar qëndrime, sjellje e praktika që sjellin pasoja të dëmshme për fëmijët. 

Nga ana tjetër duhet të angazhojmë institucione dhe sektorë të ndryshëm, qeverinë, drejtësinë, mbrojtjen sociale, arsimin, shëndetësinë e pushtetin vendor, së bashku me Kuvendin, shoqërinë civile, komunitetet fetare, sektorin privat, mediat, familjet dhe vetë fëmijët, për të parandaluar dhe për t’ju kundërpërgjigjur prerë dhe ashpër dhunës dhe shfrytëzimit seksual të fëmijëve

Dëshiroj me këtë rast t’ju siguroj se si President i Republikës do të jem vazhdimisht në krahun tuaj në mbështetje të kësaj nisme madhore me rëndësi kombëtare që ju po nisni sot dhe të punojmë të gjithë së bashku për të zhvilluar politika më efikase parandaluese dhe dekurajuese ndaj këtij fenomeni, politika më efikase denoncuese në të gjitha rastet kur për fat të keq parandalimi nuk funksionon, dhe mbi të gjitha politika më të forta ndëshkuese.

Ne jemi dëshmitarë se si shoqëria trondite kur ndodh një ngjarje, mediat e pasqyrojnë maksimalisht, por më pas gjithçka harrohet dhe ne nuk kemi asnjë bilanc se çfarë ka ndodhur me autorët, se cila ka shkalla e ndëshkimit të tyre.

Në këtë drejtim kjo lëvizje mund të bëjë shumë për të rritur nivelin e ndëshkueshmërisë dhe për të ndjekur të gjitha këto procese.

Rritja e ndëshkueshmërisë është çelësi i suksesit për të ardhmen.

Jo vetëm kaq, por edhe politikat integruese për fëmijët që janë viktima të abuzimit, dhe për familjet e tyre, duke ofruar të gjithë përkrahjen, solidaritetin dhe mbështetjen tonë, duke i dhënë forcë e duhur zërit që meritojnë fëmijët në një shoqëri që dëshiron dhe e ka vullnetin të ketë të ardhme.

Ndaj duke qenë i bindur se të gjithë jemi të ndërgjegjshëm se çfarë përfaqëson fëmija për një familje dhe për një komb, do ta mbyllja me një fjalët e vyera të shenjtores shqiptare Nënë Tereza, e cila ka thënë: Fëmija është bukuria e Zotit e pranishme në këtë botë dhe dhurata më e madhe për një familje."

Ne.k./b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë