‘Ne jemi të bërë nga yjet!’ Nisma e 2 solistëve të parë të "TKOB", Adela e Anxhelo Muçollarit kulmon me mbrëmjen gala: Ngjitëm në skenë 150 talente, rruga e artit e vështirë, duam t’i përkrahim

Të rinjtë janë gati! Emocionet e pritjes ndihen në skenë e tek publiku që ka tej mbushur Amfiteatrin e Tiranës, për të shijuar  talentet “e përbëra nga yjet”.

Motër e vëlla, primobalerinët e njohur të “Operas”, Adela dhe Anxhelo Muçollari i prijnë ëndrrës së të rinjve e bëjnë që në këtë 7 maj, ata të provojnë magjinë e skenës e të besojnë në fuqinë e talentit të tyre.

150 të rinj që ëndërrojnë të përshkojnë skenën përmes dancit, të prekin zemrat me fjalën përmes recitimit,  të përçojnë emocione përmes këngës a tingullit të një instrumenti janë një hap më pranë për të arritur yjet e suksesit.

‘Në fakt, nisma “We are all made of stars” (“Ne jemi të gjithë të përbërë nga yjet), nisi pikërisht me synimin për të ngjitur të ndihmuar të rinjtë e talentuar. E gjitha zuri fill dy vite më parë, kur bashkë me Anxhelon, duke u nisur edhe nga vështirësitë që ne kemi hasur në fillim të karrierës si artistë të rinj menduam, në një kohë që ne udhëtojmë e japim workshope jashtë, promovojmë të rinjtë jashtë, pse të bëjmë diçka për të rinjtë e vendit tonë’, thotë primabalerina Anxhela Muçollari.

Sot në kulm të karrierës, dy primobalerinët me në krah kompozitorin e pedagogun Kristi Bello, duke jetuar në lëkurë vështirësitë e t’u afirmuarit si artistë, ndërmorën nismën “Ne jemi të përbërë nga yjet” për të hapur një dritare shprese për ata të rinj që ushqejnë dëshirën të ecin në rrugën e artit.

Prej katër muajsh, nënë e Lukasit të vogël, Adela me në krah Anxhelon e Kristin , rrugëtoi në 6 qytete të Shqipërisë ndërsa ishte në pritje të ëmbël. Përmes kësaj nisme që gjeti mbështetje në Agjencinë Kombëtare të të Rinjve zbuluan plot 1600 talente, duke përjetuar bashkë me ta emocionet e pritjes së një përgjigje për performancat e tyre.

“Ka pasur me të vërtetë një interes të jashtëzakonshëm. Gjatë audicioneve, shikoja sytë plot dritë, plot emocione për faktin që ishin përballë një komisioni. Ne nuk kemi synim të nxjerrim një fitues, por të promovojmë”, thotë Muçollari.

E në fakt, në mbrëmjen maratonë të kësaj të shtune, përgjigjja fshihej në lojën e tyre skenike.

Kryevepra klasike në balet, kanto e instrumente, si dhe pjesë bashkëkohore përmes të cilave shpërfaqen vokale që i ngjisin skenës e i përçojnë publikut emocione.

Të rinj që shpalosin disa talente e që i japin mbrëmjes gala freski, edhe me  grimca humori përmes imitimit.

Kreativiteti i fëmijëve ngre krye përmes një poezie të krijuar, e në këtë mbrëmje të veçante nuk harrojnë as të përçojnë mesazhe për fëmijët me aftësi ndryshe… edhe përmes letrës që Edmond Tupe i shkruan të birit me autizëm.

Trioja e artistëve Muçollari e Bello, jo vetëm që zbuluan këto talente edhe përtej kryeqytetit nga Korça në Vlorë, Shkodër, Elbasan e Durrës, por përmes trajnimit të mundësuar gjatë muajve të fundit dhanë më shumë se një trofe. Mundësinë që këta të rinj të  njohin veten, skenën, të përballen me publikun.

Jo thjesht tek përkrahja e dy solistëve dhe kompozitorit përmes kësaj nisme, por të rinjtë e gjejnë frymëzimin edhe nga historia e tyre. Sot, një nga imazhet më solide të Operas, Adelës i janë dashur plot 6 vite punë të pakursyer si balerinë në këtë teatër, për të performuar  në shfaqjen “La Coppelia” si soliste e parë në nëntor të vitit 2014.

“Më duhet ta pranoj, rruga e Adelës ka qenë shumë e vështirë. Në skenë njerëzit shohin Adelën që shkëlqen, por në paskuinta ka qenë gjithmonë vështirësia, diçka që të pengon.  E ndoshta edhe prej kësaj, e theksoj se talenti nuk duhet të pengohet në asnjë moment. Prej kësaj unë kam vendosur, që gjithmonë do të përkrah talentet dhe atë që e meriton, se fjala meritokraci është shumë e rëndësishme, duhet ta meritosh rolin pra ta interpretosh. Unë me skenën nuk bëj kompromise, duke u nisur së pari nga vetja, e ndaj nuk do të bëj kompromise me askënd nga të rinjtë. Të gjithë të rinjtë që do të kenë talent do të kenë dhe Adelën suport në jetën e tyre”, shprehet primabalerina.

Tri vite pas Adelës, Anxhelo mori duartrokitjet në “Liqenin e mjellmave”  si solist i parë i “Operas”.  Vlerësimet në vend, por edhe ato ndërkombëtare, si përzgjedhja si  ndër 14 balerinët më të mirë evropianë, i inkurajojnë jo vetëm drejt sukseseve të reja personale, por edhe të nxisin të rinjtë të tjerë të gjejnë versionin më të mirë të vetes në rrugën e artit…

“Nuk do ta harroj kurrë reagimin e Polina Semionovas kur ka parë Anxhelon të kërcejë. Ajo i tha “Uau! Përse qëndron ende në Shqipëri?” Pra,  sigurisht që unë jam motra e tij dhe do ta suportoj, por Anxhelo e ka konfirmuar se e meriton skenën. Pra gjithçka nis nga merita, pavarësisht se jemi familje dhe nisur nga kjo, filloi dhe përkrahja e këtyre të rinjëve që janë vërtët shumë shumë të talentuar dhe ne i shikojmë me atë syrin kush do jetë ylli që do shkëlqejë, jo vetëm këtu por dhe jashtë”- thotë Adela Muçollari.

“Ne jemi të përbërë nga yjet”, trokiti edhe në rrethe, për të zbuluar talentet që rriten e ndoshta edhe ndrydhen në pamundësi të kultivimit, përtej Tiranës, e veçmas në zonat periferike.

'Rrethet kanë qenë pak më problematike sa i përket promovimit dhe mësimeve, se kemi parë artistë që janë autodidakt, që kanë mësuar kitarën, pianon vet përmes tutoriale apo mësimeve online. Çdo gjë e kanë bërë me pasion dhe me një dëshirë të jashtëzakonshme, pasi është e vërtetë se Tirana ka mundësi promovimi dhe aktivitetesh, mundësi kursesh. Ndërsa, rrethet janë më pak të tërhequra në anën artistike.'- tha Muçollari.

Në përballje me këtë realitet, e këta talente që kërkojnë thjesht dikë që tu zgjasë dorën  për tu trajnuar, Adela kërkon që të bëjë më shumë.

“Kemi vënë re entuziazmin e madh që kjo nismë ka ngjallur në rrethe, dhe pse jo, ne kemi dëshirë që ky projekt të bëhet i përvitshëm, në një kohë më të gjatë, që ne të kemi mundësi të bëjmë më shumë, të qëndrojmë më gjatë aty” shprehet balerina.

Interpretimet  gjatë mbrëmjes gala ishin konfirmimi që skena do të jetë rruga e duhur për shumë prej tyre, nëse çelen mundësitë për zhvillimin e talentit… 

Ata vallëzuan me traditën, shprehën pasionin për teatrin përmes poezisë, kënduan edhe këngën shqipe e emocionuan veçmas familjarët spektatorë,  të gatshëm për të sakrifikuar që fëmijët e tyre, të jetojnë sërish të tilla momente suksesi. Mungesa e biletës, për të parë këtë spektakël të hapur për të gjithë publikun, ishte një tjetër shenjë simbolike e mbështetjes që Muçollari kërkon të japë.

“Dua të theksoj se një suport i jashtëzakonshëm kanë qenë prindërit, që kanë marrë fëmijët e kanë ardhur drejt Tiranës, duke bashkëpunuar me ne, duke i shoqëruar në workshope. Ata kanë ikur dhe janë kthyer sërish. Vërtet e shikoj se të rinjtë e qyteteve të tjera kanë dëshirë për të kapur mundësinë për t'u promovuar”, thotë më tej.

Adela e Anxhelo, sot ndër balerinët më të mirë të Evropës,  i kuptojnë fort mirë këto sakrifica… Mundi i nënës së tyre për t’i parë të realizuar, ka qenë kryefjalë mirënjohje, pas çdo suksesi që kanë arritur. Një prej momenteve më kulminantë të karrierës së tyre, ka qenë padyshim recitali i tri viteve më parë “Në majë të gishtërinjve”.

 Motër e vëlla kërcyen krah njëri-tjetrit në “Arturbina” e pasi publiku përqafoi performancat e tyre, mes duartrokitjeve ata u drejtuan, tek e shtrenjta nënë.

“Recitali ka qenë kulmi i karrierës sime. Një ngjarje që unë prisja me padurim. Dëshiroja shumë që të mbahej një mbrëmje e tillë, ku unë të interpretoja pjesët e mia më të bukura.  Por ai recital do të bëhej vetëm në krah të personit tim më të afërt, personit tim të zemrës, që ishte Anxhelo. E padiskutim që momenti i fundit do t'i dedikohej personit që na krijoi dhe  suportoi në të gjithë vështirësitë tona, duke mos u dorëzuar asnjëherë. Pasi, ka pasur raste që ndoshta unë dhe Anxhelo kemi qenë pak të lodhur me sfidat që na janë paraqitur.  Ndonjëherë me sfidat e mëdha që kalon dhe supertalent të jesh ndodh të thuash “Stop! Përse duhet të suportoj këtë apo atë gjë!” Por, ajo ka qenë përherë shtylla, forca e familjes sonë, që ne të shkëlqenim dhe sigurisht, që fundi i dedikohej vetëm asaj, që është nëna jone.  Unë sot që jam nënë vet shpresoj që të jem sa një e treta e saj. Uroj të ndjek rrugën e saj! Nuk besoj se do jem aq e fortë, apo aq e sukseshme sa është nëna ime, që të kem tre fëmijë me tre emra të ndryshëm e me emra të mëdhenj, por shpresoj të jem sa një e treta e saj”, rrëfen  Adela.

 Teksa sheh sot dhjetëra balerina të vogla, Adela Muçollari kthehet në retrospektivë e kujton veten fëmijë  kur ëndërronte skenat e mëdha, Teatrin e Operas.

Kujton përjetimin e duartrokitjeve të para, e thotë se ëndrra vijon edhe për të. Nuk e kanë ndalur pengesat sado që ia kanë bërë rrugën më të vështirë. As sukseset brenda e jashtë vendit nuk i ka parë thjesht si destinacion, por si një pikënisje të re për të ngjitur edhe një tjetër shkallë.

“Kur prek një sukses, ti kërkon të arrish diçka tjetër, ndoshta në një tjetër skenë.  Pasi kam interpretuar në  disa skena të Evropës, sigurisht që ka akoma për t'u prekur, ka ende për të kërcyer dhe shijuar. Mendoj se arti s'ka fund dhe Adela nuk ndalet së kërkuari një sukses më shumë. Kam akoma skena për të prekur dhe kam akoma kulme të karrierës sime për të ndjekur!” tregon balerina.

Edhe gjatë muajve të gjata, siç ka bërë edhe më herët me nxënësit e saj,  ka kërkuar që të ndjek shembullin e atyre që e inkurajuan drejt suksesit, që besuan në talentin e saj… Të jetë për këta artistë të ardhshëm, një mbështetje në zanafillë të rrugës së gjatë të artit.

“Padiskutim që brenda vendit do të veçoj maestron Ilir Kerni. Kam punuar gjatë me të dhe përpos se një koreograf, pedagog e mentor shumë i mirë, është një person fantastik, me të cilin kam pasur një raport njerëzor për t’u çmuar. Nga koreografët e tjerë sigurisht që do të veçoja Youri Vamos, me të cilin unë kam punuar ‘Carmina Burana-n. Vërtetë thuhet se  gjermanët janë shumë strikt, por mënyra sesi ai shpjegonte, mua më ka lënë mbresa të jashtëzakonshme. Ai nuk të thoshte kurrë se “kjo gjë nuk bëhet kështu”. Por, thoshte “ti e ke bërë shumë bukur, por që ta zbukurojmë akoma më shumë duhet të bësh këtë”. Vërtet që unë kam qenë vetëm 22 vjeçe, por kjo më ka mbetur në kujtesën time. Sot, unë si pedagoge e kam metodë pune për nxënësit dhe studentët e mi, që në të vërtetë kanë nevojë për një mënyrë inkurajimi. Është një metodë e jashtëzakonshme që unë kam mësuar prej tij. Veçmas nga koreografët e huaj kam mësuar mënyrën e pedagogjisë dhe komunikimit dhe pa diskutim që  bashkëpunimet me ta janë shumë të vyera në jetën time”, shprehet Muçollari.

Siç rrëfen primabalerina, i vyer ka qenë në këtë rrugëtim në kërkim të talenteve, edhe bashkëpunimi me kompozitorin Bello, i cili duke ndjekur të njëjtën filozofi të meritokracisë e punës me talentet e reja, arriti edhe të krijojë e të ngjisë në skenë edhe dy bende, që interpretuan ‘live’ duke befasuar publikun.

Puna me workshopet jashtë Shqipërisë i ka ndihmuar Adelën e Anxhelon të forcojnë eksperiencën e bindjen se edhe të rinjtë e Shqipërisë, meritojnë më shumë dyer të hapura për të krijuar një karrierë në art. Ndihmën në nismën “Ne jemi të përbërë nga yjet” e çojnë më tej, duke u ofruar talenteve që kryesojnë, bursa trajnimi. Edhe për zërat e instrumentistët më të mirë, Bello jep përkrahjen e tij si kompozitor e pedagog..

“Unë kam siguruar 16 bursa sa i përket baletit, që do të mbahen në Bologna nga data 20 deri në 28 korrik. Do të jenë të gjithë primobalerinët e La Scala-as dhe të Vjenës. Pjesë e këtij stafi pedagogjik do të jemi dhe unë e Anxhelo. Ne do të mundësojmë që 16 artistët tanë të trajnohen me ta. Sa u përket kompozimeve dhe instrumenteve, ne kemi Kristi Bellon, që është kompozitor e po merret me trajnime e kompozime këngësh dhe instrumentesh,  për të rinjtë”, shprehet Adela.

Kjo mbrëmje gala shpalosi vetëm 150, nga 1600 talente që janë zbuluar, por tri artistët kanë vullnetin e dëshirën të vijojnë të jenë në krah të tyre. Duhet sërish përkrahje institucionale, që këta të rinj të mos privohen nga të tilla eksperienca skenike. Adela premton se në qershor do të jetë mbrëmja gala e radhës.

“Fëmijët e tjerë që ende nuk kanë pasur mundësinë të interpretojnë në skenë, janë gjithë kohës që  telefonojnë e pyesin “Adela, kur është data tjetër, kur do të performojmë ne?”. Është vërtet një dëshirë dhe një pasion shumë i madh tek të rinjtë për t'u trashëguar dhe për të qenë artistë të skenës shqiptare”, thotë artistja.

Ëndrra e të rinjve talentuar nuk duhet shuar, thotë Muçollari, e as nuk duhet mbetet thjesht ëndërr. Ata kanë të drejtën e një mundësie, për tu zhvilluar në krijimtari, për t’u trajnuar, e pse jo për të prekur “Yjet”.

“Çdo artist duhet të sfidojë veten. Unë çdo ditë kam sfiduar Adelën dhe sot jam këtu ku jam vetëm sepse kam gjetur Adelën, se ku duhet të rregullohet dhe ku duhet të jetë Adela më mirë. Nëse dikush ka një ëndërr, nuk duhet të heq kurrë dorë prej saj”, shprehet ajo.

M.Q./a.m./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Të burgosur prej vitesh në Kinë, lirohen tre amerikanët e burgosur, marrëveshja e rrallë diplomatike me Pekinin

Të burgosur prej vitesh në Kinë, lirohen tre amerikanët e burgosur, marrëveshja e rrallë diplomatike me Pekinin