Një javë më parë, Fatmir Metaj, drejtor i ekzekutimit të vendimeve në IKMT, dyshohet se dhunoi në detyrë Klesti Çelën, drejtor i Mjedisit në këtë institucion. Këto informacione, burimet policore thonë, se i morën, përmes dëshmive të disa punonjësve të IKMT-së. Për ngjarjen, nuk pati asnjë denoncim.
Të martën e 3 marsit, Klesti Çela, i kthye reston. Ai dyshohet se e dhunoi Fatmir Metën, në zyrën e tij në katin e parë të godinës së IKMT-së. Në ndihmë, kishte marrë edhe 3 persona të tjerë, të cilët policia nuk i ka identifikuar ende edhe pse ka hapur kamerat e sigurisë nëpër korridoret e institucionit. Brenda zyrës nuk ka kamera dhe në këtë mënyrë dinamika ka vetëm shpjegimet që jep drejtori i Mjedisit, Fatmir Metaj.
Të tre, mbajnë kapele dhe deri më tani, nuk janë identifikuar, por burimet thonë, se ka dyshime të forta që kjo treshe të mos jenë punonjës të IKMT-së. Edhe në këtë drejtim po hetohet, se si tre të panjohur, arrijnë të futen pa asnjë kontroll në zyrën e një drejtori brenda një institucioni shtetëror. Ngjarjen e denoncoi në polici, Fatmir Metaj, ndërsa burime nga blutë, thonë se në kallëzim nuk përmendet incidenti që kanë pasur 1 javë më parë. Metaj pretendon se u qëllua me qytën e pistoletës, por ky pretendim deri në këtë fazë nuk është konfirmuar nga policia.
Klesti Çela, i cili rezulton të jetë, kunati i biznesmenit të shumëkërkuar nga SPAK Ergys Agasi, u shpall gjithashtu në kërkim policor për goditje për shkak të detyrës, dhe ende nuk është gjetur. Ai jeton në Durrës dhe është kërkuar ndihma e policisë atje për lokalizimin dhe arrestimin e tij.
2 drejtuesit brenda IKMT-së, dyshohet se janë konfliktuar me njëri-tjetrin, në lidhje me kompetencat e secilit, dhe për ndërhyrje në punë që nuk i takojnë në lidhje me kontrollin ndaj kamionëve të dherave. Të dy drejtorët u pezulluan nga detyra.
Fatmir Metaj rezulton i dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë të Durrësit, me 1 vit burg, për shpërdorim detyre, pasi në vitin 2014 drejtoi një grup inspektorësh që shembën një ndërtesë 4 katëshe, pa një vendim të shkruar, me 2 kate me leje e 2 në proces legalizimi. Para gjykatës ai pretendoi se mësoi që objekti ishte me leje vetëm pas 8 vitesh. Nuk dihet nëse ky vendim është apeluar prej tij. Edhe në atë kohë, Fatmir Metaj ishte, po drejtor i Ekzekutimit të Vendimeve pranë INUK, sot IKMT.
Komente








