Një 49-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar është arrestuar në Spanjë. Kevin Margjoni ishte në kërkim ndërkombëtar pasi SPAK e akuzon si një nga personat e përfshirë në laboratorin e kokainës të zbuluar në Frakull të Fierit.
GjKKO-ja i ka caktuar Kevin Margjoni masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal. 49-vjeçari pritet të ekstradohet drejt vendit tonë.
"Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me homologët në Madrid, është kapur në Spanjë dhe është arrestuar me qëllim ekstradimin në Shqipëri, shtetasi Kevin Margjoni, 49 vjeç, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi GjKKO-ja i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal” dhe “Grupi i strukturuar kriminal”, informoi sot policia.
Hetimi për këtë operacion nisi në vitin 2022, kur në banesën e familjes Çervanaku në Frakull të Fierit u zbulua një laborator për përpunimin e kokainës, ku u sekuestruan mbi 480 kg lëndë narkotike. Dyshohet se ajo ishte sjellë nga Kolumbia dhe ishte fshehur në një ngarkesë me pleh organik artificial.
Në këtë operacion u arrestua ish-kryekomunari Viktor Çervanaku, Nikolin Gjolena, Denilson Çervanaku, Klajdi Vrioni (alias Klajdi Kodra), Zenel Çervanaku, Redion Meshi, Enxhi Ferhati, Marildo Rona, Bledar Matoshi dhe Julian Malaj. Ata janë dënuar në total me 89 vite burg, ndërsa vijon gjykimi ndaj shtetasit kolumbian Samir Rosales Rodriguez, i cili u arrestua në Ekuador dhe pritet ekstradimi i tij.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Komente








