Fier- Dy persona janë arrestuar nga policia në Fier për veprat penale ‘falsifikimi i dokumenteve’ dhe ‘largim nga vendi i aksidentit'.
“Ndaj Jetmir Hysaj Gjykata e Fierit ka caktuar masën e sigurisë "Arrest në burg", për veprat penale "Mashtrimi" dhe "Falsifikimi i dokumenteve", pasi në vitin 2021, dyshohet se duke u prezantuar si administrator i një kompanie ndërtimi, ka falsifikuar dokumentet për legalizimin e disa apartamenteve, në këmbim të shumave të ndryshme monetare”, informoi sot policia.
Gjithashtu policia ka ndaluar edhe një 22 vjeçar, pasi dyshohet se më 10 dhjetor në aksin rrugor "Fier-Seman" ka përplasur me makinë për vdekje një 50 vjeçar.
"Specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore të DVP Fier ndaluan Alban Genica 22 vjeç, banues në fshatin Dërmenas, Fier, i cili ishte shpallur në kërkim, pasi dyshohet se më datë 10.12.2024, në aksin rrugor "Fier-Seman", duke drejtuar automjetin, ka aksidentuar me pasojë vdekjen shtetasin K. S., 50 vjeç, që lëvizte me motomjet, dhe më pas është larguar nga vendi i aksidentit", thuhet më tej në njoftimin e policisë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.