Një 34-vjeçar është arrestuar në Tiranë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Operacionalja 81”.

Altin Shehu u vu në pranga pasi ishte shpallur në kërkim nga Mbretëria e Bashkuar.

Për Shehun, gjykata britanike ka caktuar më 15 janar masën e sigurisë “Arrest në burg” për vrasje.

Pritet ekstradimi i 34-vjeçarit në Mbretërinë e Bashkuar.

"Vijojnë operacionet e njëpasnjëshme nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Finalizohet operacioni policor i koduar “Operacionalja 81”. Shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale, në vijim të punës gjurmuese për lokalizimin dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, bazuar në informacionet e siguruara, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Operacionalja 81”.

Në kuadër të operacionit, në qytetin e Tirana, u bë i mundur lokalizimi, identifikimi dhe ndalimi i personit në kërkim ndërkombëtar, shtetasit A. Sh., 34 vjeç, banues në Domje, Tiranë. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Manchester, pasi Gjykata e Kentit të Veriut në Mbretërinë e Bashkuar, më datë 15.01.2026, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasje”, sipas legjislacionit penal të Mbretërisë së Bashkuar. Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet britanike, vijon procedurat për realizimin e ekstradimit drejt Mbretërisë së Bashkuar.", thuhet në njoftimin e policisë.

Altin Shehu akuzohet për vrasjen e një shoferi letonez, sipas mediave britanike. Ngjarja ndodhi më 12 gusht 2025, ku letonezi Vladimir Perminovs u vra me thikë. 

Të akuzuar për vrasjen e tij janë edhe tre persona, të cilët ndodhen të arrestuar, letonezja Erika Korska, shqiptari Shahim Bulica, si dhe një tjetër shtetas, Baljinder Bhamra. Ky i fundit, akuzohet se ka ndihmuar shqiptarin Bulica.