Një 39-vjeçar ka rënë në prangat e policisë ditën e sotme pasi është kapur me një armë pistoletë në makinë. Policia bën me dije se ai është pikasur teksa uniformat blu ishin në kërkim të personit i cili qëlloi me armë dje në zonën e Kamzës dhe që ende nuk është ndaluar.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5, në kuadër të kontrolleve intensive të zhvilluara gjatë orëve të vona të mbrëmjes së djeshme dhe orëve të para të mëngjesit të sotëm, me qëllim kapjen e personit që qëlloi me armë zjarri, në drejtim të disa automjeteve të parkuara, mbështetur dhe nga inteligjenca informative se një shtetas qarkullonte me armë zjarri në automjet, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Blue Smart”. Si rezultat i këtij operacioni, u bllokua automjeti me të cilin qarkullonte 39-vjeçari dhe gjatë kontrollit fizik ndaj këtij shtetasi, shërbimet e Policisë i gjetën dhe i sekuestruan një armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak”, njofton policia.
Gjithashtu 39-vjeçari i janë bërë edhe testet e alkoolit dhe ai ka rezultuar i dehur.
“Në kuadër të operacionit “Blue Smart”, shërbimet e Policisë i kanë kryer edhe testin e alkoolit, drejtuesit të automjetit dhe rezultoi se 39-vjeçari e drejtonte automjetin, në gjendje të dehur, në masën 0.564 ml/g. Në përfundim të veprimeve, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 5 arrestuan në flagrancë shtetasin F. M., 39 vjeç, banues në Kamzë”, njofton ndër të tjera policia e Tiranës.