Në Kosovë tensione dhe frikë për përshkallëzim, si nisi konflikti dhe cilat janë qëndrimet e të gjitha palëve (Pyetje dhe përgjigje)

Përplasjet mes serbëve në veri të Kosovës dhe policisë nisën më 26 maj, ditën që kryetarët shqiptarë të 3 komunave, Zveçan, Leposaviç dhe Zubin Potok do të merrnin zyratisht detyrën. Ndërsa kryetari i komunës së Mitrovicës së Veriut ishte betuar më herët. Pas qetësisë që solli fundjava, tensionet u rikthyen të hënën e 29 majit, kur për të garantuar sigurinë në terren u stacionuan edhe forcat e KFOR-it. Tensionet kulmuan me plagosjen e 30 ushtarëve të KFOR-it, 19 nga kontingjenti hungarez dhe 11 nga ai italian. Serbët lokalë kërkojnë që të ndalohen kryetarët e rinj shqiptarë të hyjnë në ndërtesat e komunave dhe që njësitë speciale të Policisë së Kosovës të tërhiqen nga veriu i banuar me shumicë serbe.

Cila ishte zanafilla e tensioneve?
Në nëntor të vitit që shkoi kryetarët e katër komunave në veri (Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok) përfaqësues të Listës Serbe, që mbështetet nga Beogradi dhanë dorëheqjen. Vendimi erdhi si shenjë proteste ndaj Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave në targa RKS – Republika e Kosovës.

Zgjedhjet në 4 komunat e veriut u zhvilluan më 23 prill
Zgjedhjet e jashtëzakonshme fillimisht u caktuan për në dhjetor, por për shkak të reagimeve të serbëve në veri të Kosovës u shtynë për 23 prill të këtij viti. Lista Serbe nuk mori pjesë në zgjedhje, dhe popullsia serbe e bojkotoi procesin. Me një pjesëmarrje prej rreth 3 % e qyetarëve me të drejtë vote, kryetarë të komunave u zgjodhën katër shqiptarët: Erden Atiç (Mitrovicë e Veriut), Izmir Zeqiri (Zubin Potok), Ilir Peci (Zveçan) dhe Lulzim Hetemi (Leposaviq).

Pse serbët kundërshtojnë kryetarët e rinj?
Zgjedhjet u njohën nga ndërkombëtarët, ndërsa përfaqësuesit e serbëve në Kosovë, dhe ata në Beograd, deklaruan se nuk i njohin kryetarët e rinj dhe se komunat me shumicë serbe nuk mund të drejtohen nga shqiptarë.

19 maj merr detyrën kryetari shqiptar i Mitrovicës së veriut
Retorika u ashpërsua më 19 maj, kur në ndërtesën komunale të Mitrovicës së Veriut, Erden Atiç, bëri betimin dhe nisi ushtrimin e mandatit. Ndërtesa e kësaj komune, është e vetmja në veri, që gjendet në një objekt të ndarë nga komunat paralele, që funksionojnë në kuadër të sistemit të Serbisë. Lista Serbe i dha ultimatum Qeverisë së Kosovës që deri më 1 qershor, të ndalojë atë që e cilësoi "persekutim dhe sulm ndaj serbëve".

25 maj betohen kryetarët e 3 komunave të tjera
Më 25 maj, tre kryetarët e tjerë të rinj të veriut bënë betimin në ndërtesa të tjera publike, për shkaqe sigurie.

26 maj policia shoqëron kryetarët e 3 komunave
Një ditë më pas, nën shoqërimin e Policisë së Kosovës, ata shkuan në zyra. Ky veprim u kundërshtua nga serbët lokalë, të cilët u përplasën me Policinë. 5 punonjës policie u plagosnë dhe disa automjete u dogjën. Policia ruajti ndërtesat komunale edhe përgjatë fundjavës më 27-28 maj, kur situate ishte e qetë. 

29 maj KFOR shton prezencën
Të hënën e 29 majit, pas paralajmërimeve të serbëve për protesta, para godinave të komunave në veri të Kosovës, KFOR shtoi prezencën, për të mbajtur nën kontroll situatën bashkë me policinë e Kosovës. Lista Serbe paraqiti tri kërkesa për tërheqjen e protestuesve: largimin e njësive speciale, largimin e kryetarëve të rinj, zëvendësimin e Policisë së Kosovës me trupat e KFOR-it.

Si reaguan ndërkombëtarët?
Edhe pse bashkësia ndërkombëtare i njohu zgjedhjet e 23 prillit, pati reagime të  ashpra, pasi kryetarët e rinj të komunave në veri u shoqëruan nga policia për të nisur ushtrimin e detyrës. Ndërkombëtarët e cilësuan si “hyrje me forcë” dhe i kërkuan Qeverisë së Kosovës që të mos e tensionojë më tej situatën. Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i kërkoi Kosovës t'i ndalë “masat e dhunshme”. Ai tha se veprimet e tilla do të rezultojnë me pasoja në raportet mes Uashingtonit dhe Prishtinës. Edhe Bashkimi Evropian kërkoi që Kosova të mos ndërmarrë masa të reja për “hyrje me forcë në ndërtesat komunale” në veri.

Si reagoi Kosova?
Në ditën e parë pas tensioneve në veri, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e mbrojti vendimin që kryetarët e rinj të komunave në veri të Serbisë nën shoqërimin e policisë. Ai deklaroi se e kupton shqetësimin e partnerëve ndërkombëtarë të Kosovës, por theksoi se “çdo opsion tjetër do të ishte mospërmbushje e obligimeve kushtetuese”. Si Kurti ashtu edhe presidentja Vjosa Osmani deklaruan se “Veriu u destabilizua me urdhër të Vuçiqit”.

Si reagoi Shqipëria?
Tirana zyrtare dënoi sulmin e serbëve ndaj KFOR-it dhe Policisë së Kosovës. Presidenti Bajram Begaj deklaroi se thirrje Prishtinës për më shumë durim e maturi dhe në koordinim me partnerët ndërkombëtare.” Kryeministri Edi Rama i bëri thirrje Albin Kurtit që të dëgjohen aleatët dhe të mos hyhet më thellë në shtegun që sipas tij po lëndon Kosovën ndërkombatërisht. Edhe ministrat Olta Xhaçka dhe Niko Peleshi apeluan për ctensionim të situatës.

Si reagoi Serbia?
Pas tensionimit të situatës në veri, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, urdhëroi ngritjen në nivelin më të lartë të gatishmërisë luftarake të ushtrisë. Presidenti Vucic deklaroi se kryeministri i Kosovës po ëndërron të jetë Zelenski i ri dhe se i druhet një konflikti, ndërsa u bëri thirrje serbëve në Kosovë të mos hyjnë në konflikte me NATO-n.

K.T./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ilir Meta sulmon kreun e SPAK, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Conference League/ Dramë në 120 minuta dhe penallti, Fiorentina dhe Aston Villa kalojnë në gjysmëfinale

Conference League/ Dramë në 120 minuta dhe penallti, Fiorentina dhe Aston Villa kalojnë në gjysmëfinale