“Tryezat e ambasadorit” nga Paolo Foresti, “Njëkohësia” nga Lekë Tasi dhe “Edhe një ditë më shumë” nga Malvin Zaimi janë titujt e ri që sugjerojmë në rubrikën “Në librari” në Report TV. Ndërkohë, mund të ndiqni edhe rubrikën “Melodia e vargut”.
Titulli: Tryezat e ambasadorit
Autor: Paolo Foresti
Përktheu: Ajsela Koka
Gjinia: Kujtime
Shtëpia botuese: Dritan
Çmimi: 1000 lekë
“Projekti që i propozova vetes është ai i të rrëfyerit, përmes pretekstit të mbledhjes rreth tryezës, të veprimtarive dhe përvojave të një diplomati, duke treguar realitete shumë të ndryshme nga ato stereotipe të shpërndara në opinionin e atyre që nuk kanë lidhje me këtë punë.” Kjo është ajo çfarë shpreh Paolo Foresti në lidhje me shkrimin dhe botimin e librit të tij me kujtime “Tryezat e ambasadorit” dhe ku sjell përvojën e tij si diplomat.
“Në mënyrë të thjeshtë dhe në pamje të parë sipërfaqësore, jam përpjekur t’u jap zë përshtypjeve, fakteve, ndërmjetësimeve të realizuara, pa nxjerrë në shesh atë çfarë i përket ende vetëm arkivave diplomatike, po duke ia lënë intuitës historitë e nënkuptuara.”, - vijon më tej ai.
Rrëfimi është i strukturuar sipas një rendi kronologjik të secilës gosti të cituar, por më pas zgjerohet lirisht në kohë dhe në histori sipas personazheve dhe vendeve që marrin pjesë.
Libri nuk dëshiron të jetë një shkrim autobiografik, edhe pse në mënyrë të pashmangshme lind dhe zhvillohet nëpërmjet përjetimeve profesionale të Paolo Forestit. Gjithçka shoqërohet me fotografi vendesh e personazhesh dhe në shtojcë riprodhohen menytë e tryezave.
Për autorin
Paolo Foresti është diplomuar në Shkenca Ekonomike në Universitetin e Romës dhe është specializuar në Studime mbi integrimin evropian, mbi zhvillimin ekonomik dhe ekonominë ndërkombëtare. Diplomat karriere, ka mbuluar detyra të shumta në Romë dhe jashtë Italisë, sidomos në sektorin e diplomacisë shumëpalëshe, si: përgjegjës për ekonominë në ambasadën e Beogradit, shef i sektorit të marrëdhënieve me vendet e Mesdheut dhe Lindjes së Mesme në përfaqësinë italiane pranë Komuniteteve Evropiane etj.
2- Titulli: Njëkohësia
Autor: Lekë Tasi
Shtëpia Botuese: Dudaj
Çmimi: 800 lekë
Pas provave të suksesshme në jetën e tij të gjatë, si muzikant, piktor, filozof dhe shkrimtar, Lekë Tasi, tashmë 95 vjeç, paraqitet në mënyrë të beftë edhe si poet përmes vëllimit “Njëkohësia”.
Ai vëren se një pjesë e poezive të botuara janë rishikuar gjatë dekadave, duke i trajtuar në frymë bashkëkohore.
“Referencat kulturore të poezitë e Lekës janë të fshehta, ato duken si eko e përjetimeve të thella estetike. Esenca e kësaj poezie ka të bëjë me ndjesitë që të lë një brengë e paarsye, si te muzika. Kështu duke nisur nga poezitë e postromantizmit gjerman, simbolika e poezive të Mallarmesë dhe deri te këngët e Sinead o’Connor, të gjitha këto kanë krijuar një poezi që nuk mund të klasifikohet.”,- shkruan Stefan Çapaliku në parathënien e këtij libri, ndërsa e cilëson poezinë e Lekë Tasit “mjaft personale, mbushur me jehona nga jeta dhe nga kultura.”
“Sa i takon gjuhës, poezia e Lekës dëshmon aftësinë e tij për të punuar me sintaksën në funksion të metrikës. Ai mbështet fort poezinë e tij te ritmi, me parimin që theksi i vargut duhet të shkojë atje ku bie edhe theksi i kuptimit. Ai udhëhiqet, si edhe në prozën e vet, nga përroi i ndërgjegjes, që prodhon forma gjuhësore larg standardeve dhe kodeve kalcifikuese.”
Një tipar i veçantë që shfaqet në këto poezi lidhet me faktin që Lekë Tasi e ndjen në thellësi vlerën muzikore të fjalës.
3 Titulli: Edhe një ditë më shumë
Autor: Mitch Albom
Përktheu: Malvin Zaimi
Gjinia: Roman
Shtëpia botuese: Pegi
Çmimi: 1000 lekë
Çarli Beneto e adhuronte të atin dhe kurrë nuk arriti ta pranonte faktin që ai e braktisi familjen. Dekada më vonë. Çarli është një njeri i rrënuar që e mbyt vetminë në dhimbje dhe në alkool. Një ditë, kthehet në qytezën e lindjes me qëllimin për t'i dhënë fund jetës.
I dëshpëruar, hyn në kuzhinën e shtëpisë së vjetër dhe nuk u zë besë syve kur sheh që aty e pret e ëma, e vdekur prej tetë vjetësh, me gjithë dashurinë e saj më të madhe se koha.
Ajo që pason është e vetmja ditë "e zakonshme" që shumë prej nesh e dëshirojnë me gjithë shpirt, një rast për t'u pajtuar me një prind të humbur, për të shpjeguar sekretet e familjes dhe për të kërkuar falje.
Diku midis kësaj jete dhe tjetrës, Çarli mëson shumë gjëra befasuese për të ëmën dhe sakrificat e saj, që s'i ka ditur kurrë. Dhe përpiqet të bëjë bashkë copëzat e shkërmoqura të jetës së tij. Një roman që të bën të buzëqeshësh, të lëshosh lot përmallimi dhe që na tregon se familja është një histori fantazmash, pengjesh, keqkuptimesh, dhembshurish dhe revoltash. Është një parajsë dhe një ferr, ku gjejnë strehë përvojat tona më thelbësore.
Kur e ke dikë në zemër, ai njeri kurrë nuk largohet plotësisht. Dhe mund të ndodhë, që edhe atëherë kur nuk ka më gjasa, të kthehet sërish pranë teje.
Melodia e vargut
Sonila Strakosha
Në këtë rubrikë prezantohen vargjet e poetit, publicistit, botuesit Frederik Rreshpja.
Lirika e Rreshpjes karakterizohet nga fuqia e madhe shprehëse e cila me pastërtinë, thjeshtësinë, bukurinë e fjalës, arrin të depërtojē natyrshëm te lexuesi e t'i transmetojë atij përjetimet e një shpirti sa melankolik e të vetmuar aq dhe të aftë të gdhendë emocione të forta në lidhje me natyrën, dashurinë jetën.
Më mori malli për detin
Më mori malli për detin
Për fjalët e ngrohta të ojnikut,
Për hijet e dridhshme të anijeve
Që zgjaten deri te yjet
Dhe për netët peshkatare,
Kur çan valët tehu i mprehtë i hanës.
Më mori malli për dritat e dashtuna të Durrësit
Që i kundroja mbrëmjeve,
në breg të tij;
Më mori malli
Ndaj endem,
endem
Nën vargje të tilla që stërpikin kaltërsi.
Vargje këto të cilat të japin fare pastër dhe të gjallë imazhin e asaj çfarë përshkruajnë dhe po aq të kthjellët të lenë brenda edhe perceptimin e mungesës, mallit që dhemb.
Ushtari i vjetër
Pash femijët në rrugë të qeshur,
të bukur dhe delikatë si vazot e çmuara,
ku nënat fshehin ëndrrat e tyre.
Më panë dhe u trishtuan. E kuptuan,
që unë nuk kam qenë kurrë fëmijë…
Etyd
Kur të shkruhet Iliada jonë
Nuk do të shemben bedenat, as pirgjet
As minibaret e qelqta ku pihet frapé.
Në rëntë shi
Ke për të qenë e gdhendur në ujë
Në rëntë diell
Ke për t'u mbështetur në një rreze dielli
Pastaj a këputet rrezja e diellit, a këputet shiu...
Një rrëfim dashurie i gdhendur me dhembshuri, brishtësi e delikatesë dhe që arrin në të njëjtën kohë të tingëllojë e mbërrijë kaq fuqishëm.