“Në Librari” vjen me 3 tituj: “Xhejmsi’ i autorit amerikan Percival Everett, “Keqkuptimi” nga Ledia Xhoga dhe “Sekreti i fshehur në libra” nga Rovena Rrozhani!

VIRGJIL MUÇI, PËRKTHYES

“XHEJMSI”, FITUESI I ÇMIMIT “PULITZER 2025” VJEN NË SHQIP

Titulli: Xhejmsi
Autori: Percival Everett
Përktheu: Virgjil Muçi
Kategoria: Roman
Botues: Dituria
Çmimi: 1200 lekë

Pas romanit “Tri jetët e zotit P.”, ku shfaqet si autor, Virgjil Muçi, sjell të shqipëruar për lexuesit, romanin “Xhejmsi” të autorit Percival Everett.

Një ripërfytyrim brilant i aventurave të Hakëlberi Finit, sa tronditës aq edhe satirik, i treguar nga këndvështrimi i skllavit Xhim.

Kur skllavi Xhim dëgjon se do t’i shitet një burri në Nju Orlins, i ndarë përgjithmonë nga e bija dhe gruaja, vendos të arratiset e të fshihet në ishullin Xhekson aty pranë, për të hartuar një plan shpëtimi për familjen. Ndërkohë, Hak Fini ka falsifikuar vdekjen e vet për t’i shpëtuar të atit të dhunshëm, i cili është kthyer së fundmi në qytet.

Siç e dinë të gjithë lexuesit e Aventurave të Hakëlberi Finit, kështu fillon udhëtimi i rrezikshëm - me trap, teposhtë lumit Misisipi - i këtyre dy personazheve të paharrueshme të letërsisë amerikane drejt premtimit të pakapshëm dhe shpesh të pabesueshëm të Shteteve të Lira. Percival Everetti e merr kryeveprën e Mark Tueinit dhe e tregon historinë nga një perspektivë e ndryshme, ajo e Xhejmsit, i njohur nga të gjithë si Xhimi, duke zbuluar inteligjencën, dashurinë, përkushtimin, guximin dhe humanizmin e njeriut, që bëhet protagonisti i vërtetë i romanit.

Një burrë që vendos të zgjedhë lirinë me çdo kusht, për t’u quajtur me emrin e tij të vërtetë, Xhejms dhe jo Xhim, nofka përçmuese që përdornin të bardhët për të treguar personat me ngjyrë.

Me humorin, zgjuarsinë, stilin dhe mprehtësinë që e dallojnë dhe e kanë bërë një nga shkrimtarët më të rëndësishëm të brezit të tij, Percival Everetti sjell një roman që e magjeps lexuesin nga faqja e parë deri në të fundit dhe që do të bëhet, sipas kritikëve dhe lexuesve, një gur themeli në historinë e letërsisë amerikane.

“Xhejmsi” është një libër i shkëlqyer që tregon pa frikë historinë e vërtetë të Amerikës, abuzimet dhe dhunën që e kanë shënjuar.

ARLINDA DUDAJ, BOTUESE

“KEQKUPTIMI”, NJIHNI HISTORINË SHQIPTARE TË LEDIA XHOGËS

Titulli: Keqkuptimi
Autore: Ledia Xhoga
Përktheu: Margarita Sulaj Skënderaj
Kategoria: Roman
Botues: Dudaj
Çmimi: 1500 lekë

Romani i Ledia Xhogës, për një grua, jetën e së cilës e kërcënon shkatërrimi për shkak të qëllimeve të saj të mira, eksploron kompleksitetin e përkthimit të vetë traumës sonë, madje edhe tek njerëzit që duam.

“Me një prozë lirike dhe ngjarje që tërheq, Xhoga zhytet thellë në hijet e psikikës njerëzore, duke sfiduar lexuesit të përballen me trashëgimitë më të errëta të së kaluarës, duke reflektuar mbi ekuilibrin delikat mes empatisë dhe vetëmbrojtjes. Ledia Xhoga ka krijuar një kryevepër letrare, që është po aq e thellë sa dhe e paharrueshme, duke e konsoliduar vendin e saj si një talent që duhet ndjekur në botën e letërsisë bashkëkohore”, shprehet për këtë libër Maisy Card, autore e “These Ghosts Are Family”.

Ndërsa një tjetër autore, Tom Grimes, autore e “Mentor” e krahason Xhogën me Kafkën, por të zhvendosur në kohët e sotme.

“Nëse Kafka i shekullit të njëzetenjë do të ishte zhvendosur nga Praga në Bruklin, Keinterpretimi është romani që besoj do të kishte shkruar. Në vend të tij, e shkroi Ledia Xhoga. Ajo përshkruan një botë të ngjashme me atë të Josef K. jeton te libri Kështjella, por, ndryshe nga ai që nuk mund të arrinte në kështjellë, protagonisti pa emër i Xhogës e gjen veten duke jetuar brenda saj, një kulturë poliglotike ku të gjithë i keqinterpretojnë ato që thonë dhe bëjnë të tjerët; disa banorë madje keqinterpretojnë edhe emocionet e tyre. Xhoga e interpreton botën tonë të guximshme, multikulturore me një humor të hidhur dhe të pafajshëm. Lexojeni pra romanin e saj. Do të kënaqeni që e bëtë.”, vëren ajo.

Ledia Xhoga është një shkrimtare dhe dramaturge shqiptaro-amerikane. Ka lindur në Tiranë dhe jeton me fajmijen e saj në Bruklin dhe Catskills. Para se të fillonte studimet master për artet e bukura në kategorinë fiction në Universitetin e Teksasit, ka punuar në fushën e botimeve në Nju Jork. Romani i saj, "Keqkuptimi", fitoi çmimin e Lebrit të Qytetit të Nju Jorkut dhe u shpall finalist për çmimin e Romanit të Parë në Center for Fiction në Bruklin. SHkrimet e saj janë botuar në Electric Literature, Lit Hub, Brooklin Rail, Large Hearted Boy, Intrepid Times, Hobart dhe revista të tjera letrare.  Me romanin “Keqkuptimi”, Xhoga u bë pjesë e listës së të nominuarve për çmimin prestigjioz “Booker Prize 2025”.

ROVENA RROZHANI, AUTORE

“SEKRETI I FSHEHUR NË LIBRA” NGA AUTORJA ROVENA RROZHANI

Titulli: Sekreti i fshehur në libra
Autori: Rovena Rrozhani
Botues: Mediaprint
Çmimi: 1100 lekë

Çfarë fshihet brenda një libri? Një udhëtim në hapësirë, një lopë e mërzitur, një princ dhe një princeshë, një tortë e humbur, një dragua që flet në ëndrra... dhe, më e rëndësishmja: një sekret!

“Sekreti i fshehur në libra” është një përmbledhje tregimesh të shkurtra, të mbushura me fantazi, humor dhe aventura që nxisin kureshtjen dhe dashurinë për leximin tek fëmijët.

“Personazhet, të përfaqësueshme për fëmijët – fëmijë, kafshë, libra, natyrë; situata të paraqitura plot emocione, që fëmijët i përjetojnë gjatë leximit, sjellin edhe kuriozitete, pakëz frikë, gëzime e siç e thashë më lartë edhe surpriza. Dialogu është i thjeshtë por i pasur në ndjesi, gjuha plot ngjyra, përdoren fjalë që fëmijët i kuptojnë, por me një ritëm që i nxit të mendojnë. Mjedise të pastra figurative – ilustrimet (zakonisht) bashkohen me rrëfenjat duke ndihmuar imagjinatën e fëmijës.“Sekreti i fshehur në libra”, brenda faqeve të tij e fsheh përherë një “sekret”, duke përcjellë motivin e librit si vend i çudive dhe i dijes. Përmes kësaj ideje qendrore, autorja sjell elemente të reja në letërsinë shqipe: diversitet në formë (rrëfenja + poezi), qasje aktive ndaj lexuesit, motivin e librave si “sekret”, si dhe të një stili të rizbuluar për fëmijët që jetojnë në një epokë digjitale.”, shkruan në lidhje me këtë libër studiuesi dhe shkrimtari për fëmijë, Xhahid Bushati.

Rrëfenjat janë të një natyre të shkurtër, ku autorja njeh botën dhe psikikën e fëmijës, duke vënë theksin dhe në rëndësinë e leximit. Ndërsa poezia si pjesë e librit, pjesa me “1 poezi”, tregon se nuk janë vetëm rrëfenjat në elementet e prozës, por ka edhe një dimension poetik që nxit lexuesin-fëmijë të afrohet me vargun poetik. Këtë prirje bashkëkohore autorja e ka përqafuar më së miri dhe ecën në një hap me të.

Çdo faqe është një ftesë për të zbuluar një botë të re, një përjetim i këndshëm për lexuesit e vegjël që sapo nisin rrugëtimin në universin magjik të librave. Një libër i veçantë për ditët me diell, me shi, dhe për çdo fëmijë që ëndërron me sy hapur.

Melodia e Vargut

Sonila Strakosha

Te "Melodia e Vargut" vjen poezia e Arben Dukës.

O ju të mërguar!

Kam fluturuar,

Lart përmbi re,

Ec- o i bekuar,

Më ço në atdhe.

Ec- o i bekuar,

Bëhu rreze drite,

Dyzet’ ditë larguar,

Sa dyzetë vite!

U treta në mall,

S’di si kam duruar,

Si ia bëni vallë,

O ju të mërguar!

O ju të mërguar,

Larg nga Shqipëria,

Sa ju kanë munguar,

Pragu dhe shtëpia.

Asnjëherë nga malli,

Njerëzit nuk kanë vdekur,

Por si vesë lulesh,

Një ditë janë tretur!

Tani emigrimi,

S’quhet më kurbet,

Po njerëzit humbasin,

Si kripa në det.

Të gjithë ëndërrojnë,

Për më tepër fat,

Vetëm në Atdhe,

Unë ndihem rehat.

Vetëm në Atdhe,

E ndjej veten mbret,

Si shqiponjë e malit,

Në folenë e vet.

Mbi ditët e mia,

Frynë era e Jugës,

Veç këtu më duan,

Dhe gurët e rrugës.

Ec-, o i bekuar,

Dhe me ço atje,

Ti je i bekuar,

Shpirt o Mëmëdhe.

Dhe unë jam bekuar,

Nga i yti bekim,

S’ka të krahasuar,

Se je vendi im!

*

I bardhë si bora të jesh,

i ndritur-i larë me flori,

prapë do të të shajnë-patjetër,

pa sharë nuk mbetet njeri!

E hodhën floririn-e tretën,

në llum e llagëmin e zi,

një shekull shkoi dhe e gjetën,

floriri kish mbetur flori.