1. LIBRI ME TË DHËNA ARKIVORE 1954-‘94, NË NDIHMË TË STUDIUESVE

Titulli: Dokumente arkivore në fondin e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit 1954-1994

Autore: Eriona Vyshka

Botues: Berk

Çmimi: 7 Euro (libri elektronik)

“Dokumente arkivore në fondin e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit: 1954-1994”; (Procesverbale të mbledhjeve në Kinostudion “Shqipëria e re”), është libri me të dhëna arkivore i shkruar nga arkivistja jonë Eriona Vyshka, botim i AQSHF-së përgatitur nga Berk.

Mes koleksioneve në suport letër në fondin e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit, gjenden edhe 32 blloqe të madhësive të ndryshme me procesverbale të mbajtura gjatë mbledhjeve të redaksive për shqyrtimin e skenarëve të paraqitur për t’u bërë film, dhe jo vetëm mbledhje për shqyrtim skenarësh por edhe për çështje nga më të ndryshme të ndërmarrjes Kinostudio “Shqipëria e re”, që nga çështjet e organizimit të punës, ndjekje të detyrave, takime politike, analiza pune, projekt – plane, realizime apo mos realizime planesh, madje edhe “gjyqe kolektive” për veprime të ndonjë punonjësi. Procesverbalet e mbledhjeve përfshijnë periudhën 1973 – 1994, ndërsa dokumentacioni tjetër, përfshirë këtu edhe skenarët e parealizuar, shtyhen më herët në kohë, deri në vitin 1954.

Një lexim i organizuar i të dhënave të disponueshme në këto koleksione jep një tablo të qartë të punës në Kinostudio,

në të gjitha nivelet, dhe sidomos të frymës që mbizotëronte aty, nën mbikëqyrjen e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, që përveçse ishte një organizatë arti e kulture, ishte edhe thellësisht politike, si dhe të Ministrisë së Arsimit e Kulturës dhe Drejtorisë së saj të Arteve.

Ky libër synon pikërisht këtë, të organizojë të dhënat që gjenden në këto dokumente të shkruara, që përfshijnë periudhën 40-vjeçare, 1954 – 1994, të dhëna që në fakt janë tepër të shpërndara dhe të pamundura për t’u qasur lehtësisht nga studiuesit. Kjo ka qenë edhe arsyeja që për një kohë shumë të gjatë këto dokumente, edhe pse kanë qenë gjithnjë në dispozicion, janë shfrytëzuar shumë pak, për të mos thënë aspak, nga studiuesit e kinematografisë shqiptare.

2. “HAGABULA”, PËR ROLIN E GRUAS NË BOTËN E KRIJUAR NGA BURRAT

Titulli: Hagabula

Autori: Todor P.Todorov

Përktheu: Milena Selimi

Botues: Toena

Çmimi: 1.200 lekë

“Hagabula” është një roman në stilin e realizmit magjik, që ndjek udhëtimin e Hernan Kortesit dhe ekspeditës së tij drejt malit të Aztekëve. I vendosur mes aventurës, filozofikes dhe fantastikes, romani pyet për kufijtë e botës dhe të historisë, për shkëputjen e njeriut nga forcat parësore të jetës, për përjetësinë e dëshirave dhe për rolin e gruas në një botë të dënuar, të krijuar nga burrat. Personazhet përshkojnë një realitet përrallor e ëndërrimtar, që do t’i çojë drejt zbulimeve të paparashikueshme dhe një përfundimi me përmasa kozmogonike.

Todor P. Todorov, i njohur për gjuhën e tij filozofike dhe neoromantike, në këtë rrëfim epik e shndërron historinë në një magji marramendëse.

3. NGA AFRIKA NË SHQIPËRI, VAN GRAAN E AVENTURAT E JUNG XHOSHIT

Titulli: Aventurat e Jung Xhoshit

Autori: Constant Van Graan

Përktheu: Sidita Dano Hoxhiq

Botues: Ombra GVG

Çmimi; 1200 lekë

Një libër plot mister, energji dhe aventura vjen për herë të parë për lexuesit shqiptarë mbi 11 vjeç.

“Kalabashi i artë”, libri i parë i trilogjisë “Aventurat e Jung Xhoshit”, sjell një histori magjepsëse ku guximi, miqësia dhe imagjinata vihen në provë përballë së panjohurës.

Personazhi kryesor është Xhoshi, një djalë 13-vjeçar, i cili besohet se ka mbetur jetim dhe jeton në Afrikë me tezen e tij, Veronën. Jeta e tij ndryshon rrënjësisht kur një i huaj përpiqet ta rrëmbejë. Falë ndërhyrjes së Dorisit, pastrueses së shtëpisë, Xhoshi shpëton dhe mëson se është në rrezik. Për të qenë i sigurt, ai duhet të shkojë në një vend të fshehtë dhe magjik: luginën e Kalimbulës.

Gjatë udhëtimit, Xhoshi niset në kërkim të plakut të mençur Ngandu, i cili mund ta ndihmojë të zbulojë të vërtetën për nënën e tij të zhdukur prej dy vitesh. Në këtë rrugë ai shoqërohet nga Nxheri, një vajzë 15-vjeçare e guximshme, ndërsa përballet me sprova të njëpasnjëshme dhe merr mbi vete një mision të rëndësishëm: gjetjen e Kalabashit të Artë.

Libri na çon në një botë të egër dhe magjike, të mbushur me krijesa misterioze, personazhe nga folklori afrikan dhe sfida që formësojnë karakterin e heroit të ri.

“Është e mrekullueshme që libri im i parë i kësaj serie prej tre librash të Jungu Josh është përkthyer në shqip.”, thotë autorit për “Report TV”.

Tek kalon nga sprova në sprovë, nga aventura në aventurë, Xhoshi na çon në një botë të egër, magjike dhe të panjohur për ne, me personazhe që vijnë nga bota e egër e pyjeve të Afrikës, nga historitë mistike dhe folklori i pasur i këtij vendi.

Autori i librit, Constant Van Graan, është shkrimtar, dramaturg dhe muzikant. I lindur në Namibi dhe që prej vitit 2014 jeton në Afrikën e Jugut.

Ai shprehet i emocionuar që vepra e tij është përkthyer në shqip dhe pret me padurim reagimet e fëmijëve shqiptarë.

“Mezi pres të marr reagime nga fëmijët shqiptarë sepse libri është publikuar vetëm kohët e fundit. Ka edhe një faqe interneti interaktive që ua tregoj fëmijëve dhe ata mund të shohin se cila është kafsha e tyre shpirtërore dhe të gjithë personazhet.  Më pëlqen të jem në Shqipëri sepse është kaq e gjallë, energjike, shumëngjyrëshe. Është një përzierje botësh të ndryshme. Mendoj se së pari bota e Jingu Josh do t'u flasë fëmijëve shqiptarë sepse është Afrika. Janë të gjitha këto kafshë të egra. Është shumë aventureske. Pra, shpresoj vërtet që lexuesit shqiptarë do ta duan botën që u kam hapur.”

Van Graan tregon se muzika ka ndikuar drejtpërdrejt në botën e Jung Xhoshit. Ai ka krijuar madje edhe një këngë dhe një gjuhë sekrete – Magani – të cilat mund të zbulohen në faqen interaktive të librit.

“Nëse lexuesit shkojnë në faqen e internetit jingujosh.com, do të shohin se ka edhe një këngë për Jingu Josh. Unë e shkrova dhe e këndoj edhe këtë këngë. Gjithashtu krijova një gjuhë sekrete që njerëzit e flasin në Kalimbula dhe ka një fjalor në faqen e internetit. Mund të shkoni dhe të mësoni gjuhën Magani në faqen e internetit.”, shprehet Van Graan.

Autori shpreson që kjo seri të nxisë sidomos djemtë të lexojnë më shumë dhe të hapin dyert e imagjinatës.

“Shpresoj që Jingu Josh të hapë një botë imagjinate posaçërisht edhe për djemtë. Ndonjëherë djemtë nuk janë aq të etur për të lexuar, por shpresoj se kjo do t'i bëjë ata të fillojnë të lexojnë.”

Ndërkohë, sipas tij, vendi ynë është shumë interesant dhe mbase frymëzimi për librin e tij të radhës mund të vijë pikërisht nga Shqipëria.

MELODIA E VARGUT

Te "Melodia e vargut" vjen poezia "Më kërkuan të jem kukull" shkruar nga Sonila Strakosha.

Më kërkuan të jem kukull

Buzëqesh më thanë

Rrotullohu në vitrinën me xhama

Tregoju të gjithëve sa të shkon ky rol

Përshtatu, dhe shpreh

Mirënjohje, dashuri

Është fat ta kesh këtë pozicion.

Provova të jem një kukull

Në skenën e rrëmujshme të ditëve

U mundova të qesh, të luaj, të qaj

Pastaj kuptova se kukulla

S'ka arsye, as zemër që rreh

As ëndrra

Që duan krahë të shohin larg...

Zgjodha të jetoj, të jetoj vërtet

Si njeri me mish, me kocka

Me veprim, me gjak

Nuk është e lehtë të bëhesh copa,

Të vuash, të zhgënjehesh

Të ndjesh ligësi pa shkak.

Por është lodhja, zgjedhja ime

Është imja jetë, dhe e jetoj vetë.

E lashë qeshjen e kukullës

Diku në një manekin të panjohur

Rrethuar nga heshtja

Dhe boshësia që vret.

E imagjinoj të strukur, të hutuar

Të ngrirë, pa rol, në ndonjë prapaskenë

Kushedi çfarë sheh aty, braktisur

Ndoshta rrëmujë e pluhur kohe

Ose ndoshta vetëm errësirë të thellë.