“Në Librari” vjen me 3 tituj: “Ngjyrat që ju më mësuat”, “Giovanni Falcone, vetëm, është kuraja” dhe “Kafene Monaliza”! Melodia e Vargut sjell poezi nga Millosh Gjergj Nikolla
“NGJYRAT QË JU MË MËSUAT”, LIBRI I PSIKOLOGES GREKE NË SHQIP
E ndihmova, fillimisht me pyetje dhe supozime, duke folur butësisht. Me lëvizje kirurgjikale, kaq të kujdeshme sa kur përpiqesh të hapësh një guackë, që mbyllet edhe më fort sapo i afrohesh. Doja t’i qasesha për të mësuar historinë e tij. E dija që në çdo çast rrezikoja ta humbisja. Kjo është një nga mënyrat bazë, që ndjekim gjatë psikoterapisë. Të zvogëlojmë qëndresën, t’u japim të kuptojnë që të thyhesh nuk është dobësi por tregon forcë…
Grimca dhe shtigje që u takuan brenda sallës së terapisë, u bashkuan dhe krijuan këto rrugëtime, me qëllim të vetëm që kush t’i lexojë të takojë vetveten, atë që ka pranë, fëmijën ose prindin, atë që zgjodhi për të ecur së bashku, apo atë që la pas por e mbart gjithmonë me vete.
Shpesh do të kapni veten duke pyetur kush e ka fajin, mamaja kritike, babai i tërhequr, ishi jokorrekt, aktuali i dorëzuar... Mos e bëni! Nuk po kërkojmë fajtorin. Kërkojmë të kuptojmë, sepse mirëkuptimi është edhe hapi i parë drejt lehtësimit.
Me ndihmës të vyer psikologun klinik, dhe në të njëjtën kohë me fjalë të thjeshta dhe të qarta, historitë kërkojnë të hyjnë thellë në natyrën njerëzore të komplikuar dhe plot ngjyra.
NË SHQIP ROMANI I ROBERTO SAVIANOS PËR GIOVANNI FALCONE-N
Më 23 maj 1992, një shpërthim tronditi Palermon dhe gjithë Italinë: gjyqtari Giovanni Falcone, armiku numër një i mafias siciliane, u vra me qindra kilogramë eksploziv.
Në këtë roman të jashtëzakonshëm, Roberto Saviano rindërton udhën e gjatë që çoi drejt atentatit, duke ndjekur hapat e një njeriu që pati guximin të sfidonte oktapodin mafioz. Nga rihapja e dosjes antimafia, deri te proceset gjyqësore historike, mes dhimbjes për kolegët e rënë dhe çasteve të rralla të jetës së tij private, Falcone ecën përpara me vetëdijen e plotë se fundi e pret pas dere.
Me këtë roman, autori zgjedh të nderojë kujtimin e gjykatësit palermi- tan jo si ikonë të ngrirë, por si njeri të gjallë, duke ndjekur gjurmët e tij dhe duke e shndërruar kërkimin në një rrëfim që shkon përtej rindërtimit historik të bazuar në burime, për të depërtuar deri në atë “hapësirë intime ku piqen vendimet më të rëndësishme, para se të ndodhin”.
Ky është një roman që hedh dritë në një faqe vendimtare të histori- së së Italisë, duke ndriçuar jetën e një njeriu që, në kulm të karrierës, përjetoi njëherazi kulmin e izolimit.
“KAFENE MONALIZA”, NJË ROMAN NË TIRANËN E FILLIMVITEVE ’90
Një kafene e hapur rishtas në zemrën e Tiranës së fillimviteve ’90, befas kthehet në shëmbëlltyrën më të qartë të shfytyrimit të individit e të mbarë shoqërisë. Në përpjekje për t’i shpëtuar shfytyrimit makth-sjellës pa fund, dy personazhet kryesore të romanit vendosin ta braktisin të veten dhe të kërkojnë shpëtimin tek e huaja: Mentori niset në udhëtimin e tij fizik drejt një vendi tjetër, kurse Bona niset në udhëtimin e saj shpirtëror në përpjekje për t’u lidhur me një të huaj. Në fund të udhëtimit, dështojnë të dy dhe munden paq. Romani është një pasqyrë e qartë e çoroditjes së shoqërisë shqiptare të asaj kohe dhe prek një ndër pikat më të dobëta të njeriut, të cilit shpesh, në vend që të përballet me vështirësitë, i pëlqen të marrë arratinë, duke zgjedhur kështu rrugën më të lehtë.
Kafene “Monaliza” e sheh shfytyrimin si udhëtim drejt së vërtetës. Kalbja dhe venitja e shpirtit të njeriut shndërrohet në një pikëpamje filozofike. Vepra synon të çlirojë ndjesinë e asaj që është në të vërtetë, se vetëm përmes takimit të beftë me të vërtetën e trishtë të shuarjes si njerëz, na bie ndër mend se cilët jemi ne. Veç kësaj, skamja na shtyn drejt një caku të ri, drejt një pike nga ku njerëzia mund të shihet me një sy ndryshe. Kjo vepër mëton të shpërfaqë jetën e njeriut që tkurret drejt pikës zero, se vetëm nga pika zero fillon dëshira e zjarrtë për të jetuar.
MELODIA E VARGUT
Sonila Strakosha
Te "Melodia e vargut" vjen fuqia e poetit të madh Millosh Gjergj Nikolla ose siç e njohim të gjithë, Migjeni.
Kangët e pakëndueme
Thellë në veten teme flejnë kangët e pakëndueme
të cilat ende vuejtja as gëzimi s’i nxori,
të cilat flejnë e presin një ditë ma të lumnueme
me shpërthye, m’u këndue pa frigë e pa zori.
Thelltë në veten teme kangët e miajesin…
e unë jam vullkani që fle i fashitun,
por kur t’i vijë dita të gjitha ka me i qitun
në një mijë ngjyra të bukra që nuk vdesin.
Por a do të vijë dita kangët me u zgjue?
Apo ndoshta shekujt me ne prap po tallen?
Jo! Jo! Se liria filloi me lulzue
dhe e ndjej nga Dielli (alegorik) valën.
O kangët që fleni reliktet e mia
q’ende s’keni prekun as një zemër të huej,
vetëm unë me ju po kënaqem si fëmia
unë- djepi juej; ndoshta vorri juej.
Lutje
Të lutem, o perëndi,
për një simfoni
me tinguj t'argjantë
e akorde t'artë.
Të lutem, o perëndi,
për një simfoni -
plot dashuni
të nxehtë si tu vasha gjitë
kur vlojnë ndijesitë.
Të lutem, o perëndi
për një simfoni
të dëfrej në lumni
t'u u përkundë n'ani
të bukur t'andrrimeve
të kaitër, ku të fantazmeve
buzët më tërheqin zjarrtë
e më digjen syt e flaktë.
Të lutem, o perëndi,
për një simfoni -
e kurr, e kurr ma mos të zgjohemi.
Komente







