NAMIK DOKLE PREZANTON “SAGËN E GORËS” NË NJË LIBËR

Titulli: Atje ku dielli lind dy herë (Saga e Gorës)

Autori: Namik Dokle

Shtëpia botuese: Toena

Çmimi: 2000 lekë

“Saga e Gorës” e shkrimtarit Namik Dokle është një dëshmi letrare që shfaqet pashmangshëm edhe si fat dhe frymë ekzistence, si ngjyresë dhe prani në tekstet e të tri romaneve të saj dhe ku vendlindja shndërrohet në identitet. Romanet e N. Dokles, veçmas krijimtarisë së endur në dramatikë dhe në prozën e shkurtër, pak më herët, përfaqësojnë hapësirën e sugjeruar, si shenjëzim etik dhe estetik, ndonëse janë tregues identitar të vendlindjes, të Gorës, ku takohen kufijtë, besimet, etnitë dhe gjuhët e ndryshme. Pranëvënia e tyre, e këtyre librave, që kanë plazmuar vendlindjen, vatrën e frymimit të shkrimtarit, ka bërë që nga njëra anë, të shihen si të ndarë, si tekstet që kanë në qendër Gorën, vendin e fëmijërisë së autorit.

“DITARI I NJË TË BURGOSURI”, DËSHMIA E NIKOLAS SARKOZY

Titulli: Ditari i një të burgosuri

Autori: Nicolas Sarkozy

Përktheu: Margarita Sulaj Skënderaj

Shtëpia botuese: Dudaj

Çmimi: 1200 lekë

“Në burg nuk ka asgjë për të parë, asgjë për të bërë. Harrojeni heshtjen; ajo nuk ekziston në burgun e La Santé, ku ka shumë për të dëgjuar. Zhurma aty është, mjerisht, e pandërprerë. Njësoj si në shkretëtirë, jeta e brendshme në burg bëhet më e thellë.”

Ky është një pasazh i shkëputur nga ditari i ish presidentit francez Nicolas Sarkozy, botuar në vitin 2025 e që së fundmi vjen i përkthyer edhe në shqip.

“Ditari i një të burgosuri” është një dëshmi introspektive mbi 21 ditët e kaluara në burgun La Santé, ku përshkruan vetminë dhe forcën e brendshme që ka nxjerrë nga kjo përvojë. Sarkozy njihet për stilin e tij të drejtpërdrejtë dhe aftësinë për të nxitur debat. Shkrimet, ashtu si edhe karriera e tij, vazhdojnë të ushqejnë diskutime mbi të ardhmen e Francës.

Nicolas Sarkozy, lindur më 1955, është një politikan francez që ka qenë President i Republikës së Francës nga viti 2007 deri në vitin 2012. Ai u rrit në një familje me origjinë hungareze dhe greke, gjë që ndikoi në këndvështrimin e tij për botën. Kreu studimet për drejtësi dhe shkenca politike në Institutin e Studimeve Politike të Parisit. Karriera e tij politike nisi në vitin 1983, kur u zgjodh kryetar bashkie i Neuilly-sur-Seine, një post që e mbajti deri në vitin 2002. Më pas u bë ministër i brendshëm, pastaj ministër financash, e më pas u zgjodh president i Unionit të Lëvizjes Popullore (UMP). Ngjitja e tij politike karakterizohet nga reforma të guximshme dhe qasje pragmatiste ndaj çështjeve ekonomike dhe shoqërore.

Nicolas Sarkozy ka ardhur në gjuhën shqipe nga Botimet Dudaj me dy libra: “Pasione” dhe “Koha e stuhive”, që trajton sfidat bashkëkohore me të cilat përballet Franca.

“AKORDUESI I PIANOS”, ROMANI I LETËRSISË AZIATIKE NË SHQIP

Titulli: Akorduesi i pianos

Autori: Chiang-Sheng Kuo

Përktheu: Sidita Dano

Shtëpia botuese: Ombra GVG

Çmimi: 1000 lekë

Ky roman ezoterik, nuk është vetëm për lexuesit që kanë njohuri dhe e duan muzikën, veçanërisht pianon. Ai zhytet në tema të rëndësishme sociale dhe thelbësore, siç janë dhimbja e shkaktuar nga humbja e një njeriu të dashur, ëndrrat e vrara, vetmia.

Ndërsa pianoja nuk është thjesht instrument muzikor, por ka një prani pothuajse njerëzore, është si një qenie që frymon dhe ruan kujtesën. Një fëmijë me një talent të rrallë muzikor që ka lindur në një familje të varfër në Taipei, i vetëdijshëm se i ati nuk e pranonte dhe nuk e kuptonte dhuntinë e tij, pa pasur mundësi të vazhdonte shkollimin muzikor, u rrit në hije, larg dritave të skenës dhe u bë akordues pianosh.

Por çfarë e shtyu atë që të tradhëtojë muzikën, dhe kush ia theu zemrën që të largohej nga madhështia?

Në qendër të subjektit të romanit qëndron narratori pa emër, akorduesi i pianove. Ai tashmë është rreth të dyzetave, i thinjur dhe aspak tërheqës, duket që ka humbur çdo standart.  Vendin e fundit të punës ai e kishte në një studio muzikore. Por gruaja që e drejtonte studion vdiq nga kanceri. Edhe pse largimi i saj nga jeta e vrau shpirtërisht ai vazhdoi që të kujdesej për pianot e prishura, sikur donte të ruante kujtimet që të mos i shuheshin. Kur bashkëshorti i pasur vejan i gruas së vdekur e dëgjon akorduesin duke luajtur në piano me një tingull mahnitës, nga ai çast lind një bashkëpunim i paemër.

Ky roman denjë i bukur i letërsisë aziatike, po të ishte një vepër muzikore, do të ishte “Këngë pa fjalë” e Rahmaninovit.

MELODIA E VARGUT nga Sonila Strakosha

Erri De Luca

Enrico de Luca ose siç njihet ndryshe Erri De Luca është shkrimtar, poet, gazetar e përkthyes i njohur, një ndër zërat më të veçantë të letërsisë bashkëkohore italiane.

Gjuha e tij krijuese e drejtpërdrejtē dhe e mbushur me ndjeshmëri të detyron njëkohësisht të thellohesh në reflektim.

Poezia "Vlerë" është një ndër më të njohurat e tij. Varg pas vargu këtu ai rreshton ato të cilat i konsideron vlera të vërteta duke transmetuar kështu edhe idenë se jeta duhet shijuar e vlerësuar në veprat dhe detajet më të vogla.

Poezia "Vlerë"

Quaj vlerë çdo formë jete,

borën, luleshtrydhen, mizën.

Mbretërinë e mineraleve,

asemblenë e yjeve.

Quaj vlerë dhe verën, aq sa zgjat vakti,

një buzëqeshje të pavullnetshme,

lodhjen e atij që nuk është kursyer,

dy të moshuar që ende dashurohen.

Konsideroj vlerë atë që nesër

s’do të vlejë më asgjë

dhe atë që sot vlen ende pak.

Quaj vlerë të gjitha plagët.

Është vlerë të kursesh ujin,

të rregullosh një palë këpucë,

e të heshtësh në kohë,

t’i vish në ndihmë një britme

të kërkosh leje më parë se të ulesh,

të ndiesh mirënjohje,

dhe pa e ditur për çfarë.

Quaj vlerë të dish në një dhomë ku është veriu,

të dish emrin e erës që po than rrobat e ndera.

Quaj vlerë udhëtimin e endacakut,

izolimin e murgeshës në manastir

durimin e të dënuarit, cilido qoftë faji.

Quaj vlerë përdorimin e foljes “dashuroj”

dhe hipotezën se mund të ekzistojë një Krijues.

E pra, shumë prej këtyre vlerave ende nuk i kam njohur.