Në përvjetorin 65 të vdekjes, Mirash Ivanaj - Një ikonë e Arsimit Kombëtar

Në përvjetorin 65 të vdekjes, Mirash Ivanaj - Një ikonë e Arsimit Kombëtar

Mirash Ivanaj, ministër Arsimi dhe kryeministri Pandeli Evangjeli, gjatë një vizite në një shkollë, viti 1933

“…Shkolla jonë, duhet të japë edukatë qytetare e laike, sepse qëllimi i shkollës është të formojë qytetarë të lirë, me edukatë dhe formim shkencor e teknik bashkëkohor…” Mirash Ivanaj. Ky fragment i shkurtër është shkëputur nga fjala e mbajtur prej tij, si ministër i Arësimit kombëtar, në Parlamentin shqiptar, me 10 prill 1933, ku gjatë punimeve për Reformën Arsimore, ai përcakton qëllimin e saj.

Por, kush ishte Mirash Ivanaj? 

U lind në Podgoricë të Malit të Zi me 1891, nga prindër shqiptarë, nga Beshaj e Trieshit. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen në Bograd dhe të lartën në Romë, i diplomuar në dy degë: letersi-filozofi dhe jurisprudencë (mban gradën doktor i shkencave juridike). Në 1923, kthehet në atdhe dhe drejton për 4 vite radhazi gjimnazin shtetëror të Shkodrës (1925-1929), ku themeloi gazetën e njohur “Republika”. Puna e tij si mësimdhënës me vision perëndimor, me ideal atdhetar e laik. Nuk i shpëtoj vemendjes të Mbretit Zog, i cili në vitin 1933, e emëron Ministër të Arësimit Kombëtar. Me emrin e tij, lidhet ajo qe njihet si “Reforma Ivanaj”, që ofronte një arësim me prirje perëndimore dhe frymë kombëtare. Vizioni i tij për sistemin arsimor ishte përpjekja për ndërtimin e shkollës kombëtare, si përçuese e ndërgjegjes kombëtare dhe e kosolidimit të unitetit kombëtar, pavarësisht nga përkatësia fetare.

Mirash Ivanaj

Sipas Mirash Ivanaj krijimi dhe afirmimi i shkollës kombëtare shqiptare duhet të ishte jo vetëm shqipe nga gjuha, por edhe ilumuniste nga përmbajtja, jo vetëm laike por edhe masive, e përbashkët për të pasurin e të varfërin, për myslimanë e të krishterë, për djemtë dhe vajzat, një shkollë ku të arsimoheshin e edukohshin qytetarë të ndërgjegjshëm, jo vetëm të ditur, por edhe atdhetarë. Kjo ka qenë një platformë arsimore dritëdhënëse për kombin shqiptar. Ai vinte në dyshim çdo mision të të huajve në sektorin e arsimit. Besonte se, edhe sikur të vinin këtu me qëllime bamirëse, ata nuk e njihnin realitetin e vendit tonë. “Problemi i edukimit moral, patriotik e shoqëror - thoshte Ivanaj, - ishte shumë më i rëndësishëm se ai diturak në Shqipëri”. Në prill 1933, Parlamenti i Shqipërisë i ndryshoj nenet 206-207, të Statutit (Kushtetutes) që lejonin çeljen e shkollave private.

Mirash Ivanaj

Në Nenin 206 u përcaktua: “Mësimi dhe edukimi i shtetasve shqiptarë janë një e drejtë e shtetit. Jepen vetëm ndër shkolla dhe institucione shtetërore shkallash të ndryshme si mbas ligjit. Shkollat private, çdo kategorie qofshin, që kanë vepruar deri sot, mbyllen.” Në nenin 207, thuhet: “Shkollat fetare për përgatitjen e klerit, të mbajtura prej Komuniteteve fetare shqiptare, janë të lira dhe rregullohen me ligj...”

Ligji u dekretua nga Mbreti, më 22 prill dhe u zbatua me 25 prill 1933. Në fund të prillit 1933, “Reforma Ivanaj” u vu në zbatim me mbylljen e të gjitha shkollave private, sikurse ishin: shkolla private jofetare 21, shkolla klerikale myslimane 14, shkolla klerikale katolike 17, shkolla klerikale ortodokse 4, shkolla të huaja për shqiptarë 19, shkolla private të minioritetit grek 10. Gjithsejit 85 shkolla. Duhet theksuar se me zbatimin e reformës arsimore, kryesisht u mbyllën shkollat private të drejtuara dhe të financuara nga tri qendra të jashtme, nga tri kultura të ndryshme, nga tri shtete “mike” të asaj kohe të Shqipërisë: Greqisë, Turqisë dhe Italisë. Shkollat e huaja shiheshin si përçues të influencave të jashtme dhe një rrezik për unitetin kombëtar. Në shtypin e vendit dhe në qarqet e diasporës shqiptare ngrihej zëri kundër një gjendjeje të tillë dhe kërkohej një shkollë më e organizuar dhe e drejtuar nga shteti. Shkolla e shtetit duhej të ishte e vetmja vatër e formimit të njëtrajtshëm kombëtar të brezave të rinj.

Mirash Ivanaj

Me pushtimin italian të 7 prillit 1939, largohet nga vendi, ku tragjikisht u kthye në tetor 1945, i thirrur nga miku i tij, deputeti Gjergj Kokoshi, ministri i parë i arësimit ne qeverinë e pas luftës. Më dënimin e Kokoshit (me grupin e deputetëve) më 1947, arrestohet dhe dënohet me 7 vjet burg. Në séancën gjyqësore, i paqartë për shkakun e dënimit, e pyet kryesuesin e séancës: - Po për çka jam dënue zotni?... - Ke ardhur me ide që të bësh propagandë në Shqipëri! - e sqaroi gjyqtari. E Mirashi ja priti: - Po a ka ligj në botë që të dënojë mendimin? (në botë mbase jo, po në Shqipëri ka pasur një ligj të tillë për 45 vjet!)

Mirash Ivanaj vdiq me 22 shtator 1953, në Spitalin e Tiranës, mbas një operacioni të thjeshtë, 12 ditë para se të lirohej. është përfolur që kjo vdekje e papritur ishte porositur prej vetë diktatorit si hakmarrje primitive e tij për ndërprerjen e bursës që i bëri atij Ministria e Arësimit, gjatë studimeve në Francë (studime që as i filloi e as i mbaroi ndonjeherë!)

Ka lënë një vëllim me poezi, "Epopeja e Njeriut" - ku janë dhe poezitë e të vëllait, që Dr. Lazër Radi e ka përkthyer nga serbishtja. Me 1995 u hap "Martin and Mirash Ivanaj Foundation", krijuar nga mbesa, Drita Ivanaj e bija e Martinit, për të stimuluar studentët shqiptarë. Eshtë mbajtës i disa titujve madhorë si “Kumandar i urdhërit të Skënderbeut (akorduar nga Mbreti Zog), “Martir i Demokracisë” dhe “Mësues i Popullit” akorduar nga Presidenti Berisha dhe “Nder i Kombit” akorduar nga Presidenti Moisiu.

Reformën Arsimore aq të përfolur sot, mund ta udhëheqin vetëm njerëz të tillë si Mirash Ivanaj, të cilët nuk na mungojnë, ndonëse nuk i dëshërojmë t’i kemi në drejtim e punëve.

/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen