Festat e fundvitit po priten me një atmosferë të gëzueshme edhe në Lezhë. Krahas organizimeve të përnatshme në qendër të qytetit, edhe fëmijët e Qendrës Kulturore dhe nxënësit e shkollave janë përfshirë në aktivitete të ndryshme kulturore.

Përmes programeve artistike në institucionet kulturore, po organizohen veprimtari të vazhdueshme me fokus Krishtlindjen dhe Vitin e Ri. Protagonistë të këtyre aktiviteteve janë fëmijët e grupmoshave të ndryshme, të cilët përmes interpretimeve, këngëve dhe valleve po i japin gjallëri qytetit.

Drejtori Rajonal i Arsimit Parauniversitar në Lezhë, Hasan Muça, thotë se veprimtari të tilla janë mjaft të rëndësishme, pasi u japin mundësi nxënësve të shprehin vlerat e tyre artistike.

Veprimtaritë që po organizohen me rastin e festave të fundvitit në Lezhë po tërheqin vëmendjen e shumë qytetarëve, të cilët kanë mbushur sallat e institucioneve kulturore për t’i ndjekur nga afër.