Teksa vetëm një orë na ndan nga protesta që do të mbahet në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së në Shkup, kreu i OVL Hysni Gucati tha për Report Tv se deri tani nuk kanë hasur asnjë problem në lidhje me këtë tubim.
“Kjo është protesta e fundit për këtë vit. Do të ketë një numër të madh të shqiptarëve. Deri tani çdo gjë është në rregull, nuk kemi probleme. Kemi marrë leje dhe jemi pajisur me dokumentat e nevojshme”, tha Gucati.
Në lidhje me faktin që kryeministri maqedonas, Hristijan Mickoski, nuk i ka dhënë mbështetje protestës dhe ka ngritur një grup pune për shmangien e ndonjë incidenti, Gucati shtoi se nuk duhet të frikësohet pasi çdo protestë e zhvilluar ka qenë paqësore. Më tej ai u shpreh se veteranët po e kalojnë kufirin pa asnjë problem.
“Mickoski nuk e di pse frikësohet, pasi çdo protestë ka qenë e qetë. Jemi në kontakt me veteranët që do të na bashkohen nga Kosova dhe nuk kemi probleme, pasi në dogana ka edhe policë shqiptarë”, nënvizoi ai teksa shtoi se shpreson që të fitojë e drejta.
Në fund të intervistës Gucati tha gjithashtu se në Maqedoninë e Veriut ‘kanë gjetur zemrën e madhe të shqiptarëve’.
Lajmi kryesor:
LIVE TV- 'Liria ka emër', nis protesta në Shkup për ish-krerët e UÇK! Çlirimtarët duhet të nderohen, jo të gjykohen








