Më 16 shtator do të marrë fund pritja disa vjeçare për një nga proceset më të rëndësishme që po zhvillohet në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë. Atë ditë, në orën 10:00, pritet të shpallet aktgjykimi ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të cilët po gjykohen për akuza që lidhen me krime të pretenduara gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998-1999.
Në prag të këtij vendimi, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka shprehur dyshime për mënyrën se si mund të përfundojë procesi, ndonëse shpreson që verdikti të mbështetet në prova dhe fakte.
"Ne si organizatë, veteranë të luftës jemi në pritje të këtij vendimi që shumë kohë, sepse është vendim tepër i stërzgjatur pasi u bën tashmë 6 vite që bashkëluftëtarët tanë po mbahen në paraburgim pa një verdikt final, e mezi presim ta marrin me atë vendim edhe pse duam të besojmë që do të jetë vendim lirues, por duke pasë parasysh faktin se si ka vepruar kjo gjykatë, do të thotë prej themelimit të saj e deri më tash neve na lë me dyshu që kjo gjykatë mund të merr ndonjë vendim ndoshta edhe negativ, sepse me gjasë nuk do të provojë të thirret mbi prova dhe fakte", u shpreh Syla.
Sipas Sylës, shqetësimi i OVL-së lidhet edhe me mundësinë që vendimi të mos mbështetet vetëm në provat e administruara gjatë procesit, por të ndikohet nga faktorë politikë.
"Por i frikësohem edhe ndonjë vendimi tjetër eventual, qoftë ndonjë vendim politik. Sepse ajo gjykatë veç e ka marrë një vendim të dy bashkëluftëtarëve tanë që veç janë dënuar tashmë aty…Po duke pasë parasysh se si ka deviju kjo gjykatë nga ajo çka është themelu… pra ajo çka është themelu në bazë të raportit të Dick Martit që ky raport nuk është më pjesë as e aktakuzës, ne kemi dyshu që kjo ka deviju nga misioni i saj. Prandaj ne vendimin jemi duke e pritë të kemi besim të plotë pas luftës sonë çlirimtare dhe në qoftë se ky vendim do të bazohet mbi prova dhe fakte, bashkëluftëtarët tanë do të kthehen në shtëpitë e tyre. Përndryshe në qoftë se do të ketë ndonjë vendim politik, besojmë që vendimi do duhet të jetë negativ”,, deklaroi ai.
Ndërkohë, OVL-ja ka paralajmëruar se më 25 gusht do të mbledhë kryesinë për të diskutuar hapat që do të ndërmerren në prag të shpalljes së aktgjykimit.
Çfarë pritet më 16 shtator?
Dhomat e Specializuara njoftuan më 1 korrik se trupi gjykues e ka caktuar 16 shtatorin si datën për shpalljen e aktgjykimit. Fillimisht, vendimi pritej të jepej në maj, më pas afati u shty për në korrik dhe në fund u caktua data përfundimtare.
Sipas gjykatës, shtyrja u bë për shkak të vëllimit të madh të provave dhe kompleksitetit të çështjes, duke argumentuar se nevojitej më shumë kohë për një vlerësim të plotë dhe të arsyetuar të të gjithë materialit të administruar gjatë gjykimit.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, përfshirë vrasje, torturë dhe përndjekje, të pretenduara gjatë viteve 1998-1999. Të katërt i kanë hedhur poshtë të gjitha akuzat dhe janë deklaruar të pafajshëm.
Prokuroria ka kërkuar që secili prej tyre të shpallet fajtor dhe të dënohet me nga 45 vjet burg. Gjatë procesit, i cili zgjati më shumë se tre vjet, dëshmuan mbi 130 dëshmitarë, ndërsa në dosje u pranuan edhe rreth 160 deklarata të tjera me shkrim.
Një proces që ka nxitur debate në Kosovë
Procesi ndaj ish-krerëve të UÇK-së është shoqëruar me reagime të vazhdueshme në Kosovë. Gjykata Speciale, edhe pse formalisht pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, funksionon në Hagë me gjyqtarë dhe prokurorë ndërkombëtarë.
Në Kosovë, shumë përfaqësues politikë, veteranë dhe qytetarë e kanë kritikuar këtë proces, duke argumentuar se ai është i njëanshëm pasi trajton vetëm pretendimet për krime të kryera nga pjesëtarë të UÇK-së dhe jo krimet e kryera nga forcat serbe gjatë luftës.
Në muajt e fundit, në disa qytete të Kosovës janë vendosur pankarta me sloganin "Liria ka emër", ndërsa janë organizuar edhe protesta në mbështetje të Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit. Një prej tyre ishte protesta "Drejtësi, jo politikë", e mbajtur në Prishtinë në Ditën e Pavarësisë së Kosovës, ku morën pjesë mijëra qytetarë.








Komente
Komento