Në pushtet, vetëm nëpërmjet moralit politik

Në pushtet, vetëm nëpërmjet moralit politik

Në politik nuk ka moral, thonë. Madje, moralin e shohin si shenjë të dobësisë, jo të forcës. Pastaj, kur të pamoralshmit i vjedhin dhe i shtypin me këmbë, kërkojnë llogari dhe u duket çudi. Harrojnë që pamorali pjell vetëm pamoral. Rruga është e njohur dhe e njëjtë. Përfundimi dihet.

Që çdo parti politike të synojë pushtetin, kjo është mëse normale, mirëpo problemi fillon kur pushteti shihet si qëllim në vetvete dhe të verbon përballë gjithçkaje.

Që një opozitë të vijë në pushtet ka dy rrugë. E para është më e thjeshtë, ndërsa e dyta më e vështirë. Rruga e parë është më e shkurtër. Mund t’i qaset pushtetit nëpërmjet makinacioneve, koalicioneve të pamoralshme dhe të pandershme, të mjaftueshme për të ndërtuar një mazhorancë përballë pushtetit. Rruga e dytë është më e gjatë, por më e sigurt. Është më e mundimshme, por më e virtytshme. Kjo rrugë kërkon përmirësim të vazhdueshëm të vetvetes, përmes një fushate vetëpastrimi të vetes.

Rruga e parë siguron pushtetin më lehtë, mirëpo cenon cilësinë e shtetit, nuk ndodhë asnjë përmirësim në jetën e njerëzve dhe rrokullima vjen në pak kohë, ndërsa rruga e dytë mund ta ngadalësojë ditën e ardhjes në pushtet, por shkëputet përfundimisht nga e kaluara dhe ndërton një sistem të ri dhe të qëndrueshëm.

Shumë mes këtyre dy mënyrave do të zgjidhnin të parën. Për vete, pa më të voglin dyshim, do të përzgjidhja të dytën. Një rrugë e mundimshme, por e moralshme, një rrugë e gjatë dhe e lodhshme, por që siguron një të ardhme më të mirë për të gjithë ne.

Do të zgjidhja të dytën si e vetmja mënyrë e kthimit të besimit dhe shmangies së tkurrjes së vazhdueshme si pasojë e konsumit politik dhe moral.

Do të zgjidhja të dytën edhe për nevojën e një shtrati moral të ngritur mbi disa vlera për të cilat e gjithë shoqëria jonë ka nevojë, sepse që kemi përfunduar në këtë gjendje vjen edhe si pasojë e mospasjes dhe e mosrespektimit të asnjë vlere morale apo filozofie politike të qëndrueshme.

Nëse në politikë nuk do të ketë moral, atëherë përse duhet t’i kërkojmë këtij populli moral dhe besnikëri ndaj nesh?

Marrëveshjet politike që vijnë si pasojë e presionit të brendshëm për pushtet të menjëhershëm apo nga frika e “më të fortit” brenda vetes, nuk sjellin asnjë të mirë, as për partinë politike, as për vendin, në përgjithësi.

Vetëm një katharsis i thellë moral është e vetmja garanci e qëndrueshme që do të transmetojë besueshmëri sot në opozitë dhe nesër do të sigurojë një qeverisjeje të mirë.

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë