Kryeministri Edi Rama e ka quajtur parodi mosekzekutimin e himnit të flamurit të Shqipërisë në Pustec të enjten, në prani të kryeministrit të Maqedonisë së Veriut Hristijan Mickoski, duke thënë se kjo gjë tregon botëkuptimet tona të ndryshme në këtë lagje të Europës.

Kryeministri vlerësoi në një reagim në “X” kryetarin e Bashkisë Pustec, Pali Kolefski i cili kërkoi paraprakisht që krah himnit maqedonas të luhej edhe ai shqiptar duke e quajtur atë një shtetar.

“Ne e kemi nderuar edhe atë komunitet të vockël me një status të posaçëm si bashki më vete, pikërisht sepse për Shqipërinë minoritetet nuk janë statistikë, por pasuri kombëtare, dhe qytetarët minoritarë nuk janë numra, por vëllezër e motra me të njëjtat liri dhe të drejta si të gjithë ne. “-tha kryeministri në reagimin e tij.

Rama shprehu keqardhjen për të gjithë sponsorët e asaj që e quajti cirk të lashtë flamujsh në epokën e Inteligjencës Artificiale, duke theksuar se Shqipëria nuk do të zbresë në nivelin e kësaj parodie. 

Reagimi i plotë i kryeministrit Rama

Ajo që ndodhi në Pustec është një parodi domethënëse për botëkuptimet tona të ndryshme në këtë lagje të Europës. Kryetari i Bashkisë së Pustecit, Pali Kolefski, kërkoi paraprakisht që të luhej edhe himni shqiptar. U injorua dhe më pas kërkoi ndjesë për një faj që nuk ishte i tij. U tregua një shtetar dhe qytetar i denjë i Shqipërisë Europiane, në nder të vetes dhe të komunitetit të tij maqedonoverior, të cilit i duam vetëm më të mirën.

Ne e kemi nderuar edhe atë komunitet të vockël me një status të posaçëm si bashki më vete, pikërisht sepse për Shqipërinë minoritetet nuk janë statistikë, por pasuri kombëtare, dhe qytetarët minoritarë nuk janë numra, por vëllezër e motra me të njëjtat liri dhe të drejta si të gjithë ne.

Tani, kjo ardhja e herëpashershme në territorin tonë e trupave të cirkut të nacional-folklorizmit ballkanik, herë nga një vend, herë nga një tjetër e herë nga një tjetër akoma, nuk se na shqetëson për vete, për sovranitetin e Shqipërisë jo e jo, por as për ekuilibrat e jetës politike këtu brenda, ku nuk ka mushkë Troje të rritur në kodrat tona apo “diasporë” të eksportuar nga brenda lagjes sonë që na lëkund.

Gjithësesi, u shpreh sot një keqardhje të sinqertë për të gjithë sponsorëve të këtij cirku të lashtë flamujsh në epokën e Inteligjencës Artificiale, ndërsa mëmëdhetarëve mes nesh që në kësi rastesh hidhen përpjetë përpara pasqyrave të tyre digjitale, duke kërkuar përgjigje me të njëjtën monedhë, u them: Jo, Shqipëria, Europa e Ballkanit, kurrsesi nuk mund t’ia lejojë dhe nuk do t’ia lejojë vetes ta zbresë monedhën e vlerave të saj në nivelet e parodisë së Pustecit.

Lajmi në përditësim....

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 10:12
Nuk u ekzekutua himni shqiptar në Pustec në prani të Mickoskit, Ministria e Jashtme: Mungesë serioze protokolli, simbolet kombëtare s’janë çështje politike

1787300423_ministriaejashtme.jpeg

Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme e cilësoi një mungesë serioze protokollare mosluajtjen e Himnit Kombëtar shqiptar gjatë hapjes së festivalit Folklorik maqedonas në Pustec, ku ishte i pranishëm edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski si edhe kreu i bashkisë së Pustecit Pali Kolefski.

Sipas Ministrisë, pavarësisht se aktiviteti ishte organizuar nga një shoqatë lokale, prania e zyrtarëve të lartë i jepte atij karakter publik dhe kërkonte respektimin e simboleve kombëtare.

Ministria theksoi se respekti për simbolet kombëtare nuk është çështje politike apo interpretimi, por pjesë e protokollit, etikës institucionale dhe respektit të ndërsjellë mes dy vendeve. Në reagim, Ministria nënvizon se në Pustec, ashtu si në çdo pjesë të territorit shqiptar, respektimi i simboleve kombëtare është edhe respekt për qytetarët dhe bashkëjetesën mes komuniteteve.

“MEPJ shpreh keqardhje për faktin që, në një aktivitet kulturor të zhvilluar dje në Pustec, me pjesëmarrjen e Kryeministrit të Maqedonisë së Veriut dhe të Kryetarit të Bashkisë, nuk u luajt edhe Himni Kombëtar Shqiptar, krahas atij të Maqedonisë së Veriut.

Edhe pse aktiviteti ishte organizuar nga një shoqatë lokale, prania e përfaqësuesve të lartë institucionalë dhe të zgjedhurve vendorë i jepte atij një dimension të veçantë publik. Në këtë kontekst, mospërfshirja e Himnit Kombëtar Shqiptar përbën një mungesë serioze dhe një shmangie nga rregullat e shkruara dhe të pashkruara të mirësjelljes dhe protokollit, të cilat kërkojnë dhe imponojnë respektimin e simboleve kombëtare krahas atyre të komuniteteve që ato përfaqësojnë.Respekti për simbolet kombëtare nuk duhet të jetë çështje politike apo interpretimi. Ai është pjesë e etikës institucionale, e protokollit dhe, mbi të gjitha, e respektit të ndërsjellë, veçanërisht në një hapësirë ku bashkëjetojnë komunitete dhe identitete të ndryshme.

Në Pustec, ashtu si në çdo hapësirë të Republikës së Shqipërisë, respekti për simbolet kombëtare është pjesë e respektit për vetë qytetarët, për vlerat e bashkëjetesës demokratike dhe kulturës qytetare që na bashkon. Është gjithashtu themel i fqinjësisë së mirë dhe marrëdhënieve të shëndosha ndërmjet njerëzve dhe shteteve tona”, thuhet në deklaratën e Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme

Pas aktivitetit, kryebashkiaku i Pustecit, pranoi se ajo që kishte ndodhur ishte gabim, dhe kërkoi ndjesë, pavarësisht se siç deklaroi bashkia nuk kishte qenë organizatore, por shoqata VMRO-Shqipëri.