Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme e cilësoi një mungesë serioze protokollare mosluajtjen e Himnit Kombëtar shqiptar gjatë hapjes së festivalit Folklorik maqedonas në Pustec, ku ishte i pranishëm edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski si edhe kreu i bashkisë së Pustecit Pali Kolefski.

Sipas Ministrisë, pavarësisht se aktiviteti ishte organizuar nga një shoqatë lokale, prania e zyrtarëve të lartë i jepte atij karakter publik dhe kërkonte respektimin e simboleve kombëtare.

Ministria theksoi se respekti për simbolet kombëtare nuk është çështje politike apo interpretimi, por pjesë e protokollit, etikës institucionale dhe respektit të ndërsjellë mes dy vendeve. Në reagim, Ministria nënvizon se në Pustec, ashtu si në çdo pjesë të territorit shqiptar, respektimi i simboleve kombëtare është edhe respekt për qytetarët dhe bashkëjetesën mes komuniteteve.

“MEPJ shpreh keqardhje për faktin që, në një aktivitet kulturor të zhvilluar dje në Pustec, me pjesëmarrjen e Kryeministrit të Maqedonisë së Veriut dhe të Kryetarit të Bashkisë, nuk u luajt edhe Himni Kombëtar Shqiptar, krahas atij të Maqedonisë së Veriut.

Edhe pse aktiviteti ishte organizuar nga një shoqatë lokale, prania e përfaqësuesve të lartë institucionalë dhe të zgjedhurve vendorë i jepte atij një dimension të veçantë publik. Në këtë kontekst, mospërfshirja e Himnit Kombëtar Shqiptar përbën një mungesë serioze dhe një shmangie nga rregullat e shkruara dhe të pashkruara të mirësjelljes dhe protokollit, të cilat kërkojnë dhe imponojnë respektimin e simboleve kombëtare krahas atyre të komuniteteve që ato përfaqësojnë.Respekti për simbolet kombëtare nuk duhet të jetë çështje politike apo interpretimi. Ai është pjesë e etikës institucionale, e protokollit dhe, mbi të gjitha, e respektit të ndërsjellë, veçanërisht në një hapësirë ku bashkëjetojnë komunitete dhe identitete të ndryshme.

Në Pustec, ashtu si në çdo hapësirë të Republikës së Shqipërisë, respekti për simbolet kombëtare është pjesë e respektit për vetë qytetarët, për vlerat e bashkëjetesës demokratike dhe kulturës qytetare që na bashkon. Është gjithashtu themel i fqinjësisë së mirë dhe marrëdhënieve të shëndosha ndërmjet njerëzve dhe shteteve tona”, thuhet në deklaratën e Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme

Pas aktivitetit, kryebashkiaku i Pustecit, pranoi se ajo që kishte ndodhur ishte gabim, dhe kërkoi ndjesë, pavarësisht se siç deklaroi bashkia nuk kishte qenë organizatore, por shoqata VMRO-Shqipëri.