Hapja e Festivalit folklorik maqedonas në Pustec, ku ishte i pranishëm edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski dhe kryebashkiaku Pali Kolefski, u shoqërua me një incident. Ceremonia nisi vetëm me himinin maqedonas, duke mos ekzekutuar himnin kombëtar shqiptar. Gjithashtu si Mickoski, ashtu edhe Kolefski, gjatë fjalimeve të tyre shmangën përmendjen e emrit zyrtar Maqedoni e Veriut, duke përdorur thjesht termin Maqedoni.
Sipas protokollit, në aktivitete të tilla ku përfaqësohen të dyja palët, fillimisht ekzekutohet himni kombëtar i vendit pritës, dhe pastaj himni i shtetit tjetër.
Kryebashkiaku Kolefski u shfajësua më pas duke thënë se nuk ishte ai organizatori i aktivitetit, por shoqata VMRO-Shqipëri. Megjithatë ai shtoi se kishte kërkuar paraprakisht që të luheshin të dy himnet, gjë e cila nuk ndodhi.
“I kam kërkuar programin zyrtar ku më kanë thënë që ka këngë e valle tradicionale maqedonase dhe do hapet me himnin maqedonas. Ja kam kërkuar që në momentin që do ekzekutohet himni maqedonas, duhet të jetë patjetër edhe himni shqiptar sepse është në çdo protokoll, në çdo pritje zyrtare ose hapje të ceremonive zyrtare. Duhet patjetër të jetë dhe himni i shtetit sepse ne jemi shtetas shqiptarë, jetojmë këtu dhe duhet të respektohet himni. Kërkoj ndjesë vërtet pavarësisht se nuk më takon mua sepse s’kam qenë organizator si bashki e Pustecit, si organizatore e këtij aktiviteti”, u shpreh Kolefski.
Kryebashkiaku i Pustecit, tha se kjo situatë nuk ishte pritur mirë as nga kryeministri Mickoski.
“Kam folur me kryeministrin maqedonas, ishte shumë i shqetësuar në ato momente sepse edhe unë u ndjeva shumë keq. Por ishte një moment që s'mund të reagoja fare”, theksoi Kolefski.
Përtej incidentit me himnin shqiptar, si kryeministri maqedonas Hristijan Mickoski, ashtu dhe kryebashkiaku i Pustecit, Pali Kolefski u bënë protagonist të një tjetër shfaqjeje të përsëritur dhe nga autoritetet e tjera të larta të Shkupit. Që të dy në fjalimet e tyre, shmangën përmendjen e emrit zyrtar Maqedoni e Veriut, duke përdorur thjesht termin Maqedoni.
Në fjalën e tij Kolefksi, iu referua Mickoskit si “Kryetarit i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë” e po kështu sa herë përmendte “qeverinë e Maqedonisë”.
Mickoski po ashtu gjatë gjithë përshëndetjes së tij, duke ju drejtuar banorëve të Pustecit, pjesë e minoritetit maqedonas në Shqipëri, iu referua vetëm termit Maqedoni dhe qeveria e Maqedonisë.
Që kur VRMO erdhi në pushtet, pavarësisht se në dokumentat zyrtare përdoret emri Maqedoni e Veriut, në fjalimet publike zyrtarët më të lartë të Shkupit, përfshirë dhe presidenten Gordana Siljanovska-Davkova, i referohen shtetit të tyre thjesht si Maqedoni. Një zgjedhje që ka krijuar shpesh dhe përplasje diplomatike me Greqinë e cila ka kërkuar respektimin e Marrëveshjes së Prespës, se qershorit 2018, ku pala maqedonase ra dakort të ndryshojë emrin e shtetit e të pranojë variantin Maqedoni e Veriut. Falë kësaj marrëveshjeje, Greqi hoqi bllokadën e gjatë ndaj anëtarësimit të Shkupit në NATO, dhe përparimit të vendit fqinj në procesin e integrimit evropian.









Komente
Komento