Shishtaveci i Kukësit, përveç kultivimit të patates, njihet dhe për prodhimin e suxhukut. Prej 28 vitesh Mehmet Bala vijon të ruajë traditën e përgatitjes në mënyrë artizanale me produkte bio.
Bala tregon se për ta bërë më të shijshëm suxhukun duhet t’i nënshtrohet procesit të tharjes pa ngrohje. Ballkoni i banesës së tij është vendi ku thahet mishi në temperaturat nën zero gradë, teksa fshatin e ka mbuluar dëbora.
“Do temperaturën që të bie në minus, thahet jashtë në kohë të ftohtë. Kam 28 vite që merrem me këtë punë”.
Suxhuku i Shishtavecit është unik pasi përgatitet me produkte të zonës, duke filluar që nga mishi i cili vjen nga gjedhet që rriten në kullotat alpine, deri tek perimet e zonës. Teksa vizitojmë punishten pranë banesës, shohim tharjen e mishit të viçit dhe prodhimin e suxhukut.
“Ky suxhuk Shishtaveci bio që prodhohet me mishin e zonës sonë, gjedhet bjeshkët e Sharrit. Formula e veçantë, mish lope, kau viçi, qepa është e jona, spec, erëza. E ka shijen e veçantë suxhuku i Shishtavecit, është ndryshe nga ai i Kosovës”, tha ai për Report TV.
Shpopullimi ka prekur këtë fshat piktoresk, e për pasojë ka më pak bagëti e lopë, por Mehmeti ia ka dalë ta sigurojë lëndën e parë, edhe pse me vështirësi. Ndërsa tregun e ka të siguruar si brenda ashtu dhe jashtë vendit ku jetojnë emigrantët.
“E tregtoj në Tiranë, Durrës dhe jashtë, Angli, gjermani, ku janë emigrantët tonë. Ka shumë kërkesa. Ka vështirësi me gjet mishin, por ka disa familje këtu që mbajnë lopë dhe tek ata e marr mishin”.
Shishtaveci është një fshat me potencial të madh për zhvillimin e turizmit malor, ndaj Mehmet Bala thotë se është domosdoshmëri ndërtimi i pistës së skive.
“Duhet ti japim përparësi këtij vendi, shteti duhet të vë dorë se është shpall në 100 fshatrat turistikë. Ne duam që të hapet një pistë për ski, të zhvillohet hipizmi”, shprehet prodhuesi.
Vetëm 30 kilometra larg Kukësit, Shishtaveci është pjesë e Parkut Korab-Koritnik me peizazhe mahnitëse dhe monumente të natyrës si Pylli me Mështekna, Guri i Mëngjesit, Liqeni Novosejit, Mali i Kallabakut.