Në studion e Adrian Devollit, piktori rrëfen krijimtarinë e tij në dy kohë: Në të 20-tat lexonim Dostojevskin, sot plejada ime e lënë në harresë

Si çdo ditë Adrian Devolli është duke punuar në studion e tij. Kësaj here, mbi një vepër më të hershme, ku rivjen figura e kokës së e kalit. Këtë rishikim të veprës, me të kaluar koha e mjaftueshme, piktori rrëfen se e bën në mungesë të kritikës së artit.

“Kur i rikthehem kësaj tabloje duhet ta shikoj me sy spektatori, me sy të ftohtë ku të diktoj nivelin, arritjen time dhe se si mund riparohen apo se si mund të shkojë përpara kjo tablo. Kjo është edhe arsyeja e rikthimit të veprave”, thotë piktori Adrian Devolli

“Bir arti”, me të atin Hysen Devollin si themelues të skenografisë shqiptare, Devolli s’mund ti shpëtonte atmosferës së ngjyrave në shtëpinë e tij. Peizazhin e parë në vaj e kujton rreth moshës 6-vjeç. Nga i ati, diti të bëjë të tijat sekretet e marrëdhënies së dritës në pikturë, ajrit, sensibilitetit të ngjyrës, ndonëse krijoi identitetin e tij. Krijimtaria e Devollit shtrihet në dy kohë, e artisti shpjegon se ç’ka ndryshon në to me ndërrimin  e sistemeve.

“Ne ishim një grup shoqëror që kishim një mikrobotë. Kjo ka qenë shumë e rëndësishme për mua. Ne lexonim Dostojevskin që të 20-tat tona, ndonëse në fshehtësi. Edhe evulimi artistik ishte i dyzuar. Tjetër gjë krijohej në studio, tjetër paraqisje në ekspozitë. Po kjo s’të ndalonte në ato ndjesi që ti kishe brenda, në gjendjen tënde shpirtërore. Kështu që kur u ndërruan sistemet, nuk është se kam bërë ndonjë kapërcim të skajshëm, sepse arti sipas meje zhvillohet me evolucion dhe jo me revolucion”, shton më tej.

Punën si restaurator e nisi në Institutin e Monumenteve dhe e vijoi në Galerinë Kombëtare të Arteve, tregon se ndjen keqardhje që ky sektor ka një trajtim të dobët, në studime, konservime e përgatitjen e brezit të ri.

“Sot më vjen keq, fatkeqësisht nuk ka interesim të fortë për veprat e mrekullueshme që ne kemi. Ne kemi vepra kishtare të një niveli shumë të lartë, e që fatkeqësisht nuk reflektohet në jetën qytetare shqiptare”, shprehet më tej. 

Ekspozitat brenda e jashtë vendit janë jo pak, por rrëfen se nuk preferon ti numërojë. Ndërsa, pohon se me Galerinë në rikonstruksion, Shqipëria nuk ka një sallë dinjitoze ekspozimi.

“Nëse në muzikë luhet me tonalitete të tingullit, në pikturë luhet me tonalitete të ndriçimit që duhet të jetë perfekte. Pra, nuk kemi një sallë të tillë”, shton Devolli.

Në fondin e Galerisë së Arteve ka vetëm vepra që artisti ka realizuar para ’90-ës, e vitet e fundit raporti i institucionit më të rëndësishëm pamor me brezin e tij, është ftohur.

“Hera e fundit që kam ekspozuar në Galerinë e Arteve (mendohet)... duhet të ketë qenë diku në vitin 2015”, thotë ai.

Një gjysmë shekulli krijimtari e kontribut në restaurim, rrëfen nëse ndihet i shpërblyer.

“Financiarisht as nuk bëhet fjalë, moralisht brezi im i artistëve, ndihemi shumë të zbrazët”.

Thotë se institucionet e kanë lënë në harresë plejadën e tij të artistëve, që krijon gati me vetëmohim.

“Ministria nuk na ka mbledhur ndonjëherë që të na pyes se çfarë problemi kemi. Është për të ardhur keq”, shprehet më tej Devolli.

Është skeptik për nismën e premtuar të Ministrisë së Kulturës, për pasurimi e Fondit të Galerisë Kombëtare, ndonëse e shikon të domosdoshme pas 3 dekadash harrese.

 “Më vjen keq ta them, por politika shqiptare gjithmonë thotë ‘do të bëhet’, gjithmonë flet në të ardhmen dhe asnjëherë nuk i referohet të tashmes a së shkuarës e të thotë “U bë kjo!”, rrëfen Devolli.

M.Q./KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë