Policia Rrugore e Gjirokastrës ka bërë bilancin e muajit janar. Gjatë kësaj periudhe ata njoftojnë se kanë vendosur 2436 gjoba për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor, ku
përfshihen masat për mosvënien e rripit të sigurimit, për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit, parakalime të gabuara, shpejtësi tej normave të lejuara etj.
Po ashtu bëhet me dije se tre drejtuesve iu është pezulluar leja e drejtimit, teksa për dy të tjerë kanë nisur hetimet në gjendje të lirë.
Njoftimi i plotë:
Policia Rrugore Gjirokastër, e pranishme 24/7, në të gjitha akset rrugore, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe garantimin e sigurisë rrugore.
Akset monitorohen pandërprerë, me pajisje të logjistikës bashkëkohore, si radarë automatikë, dronë cilësorë, poliskanë dhe dragera, me qëllim menaxhimin e trafikut dhe evidentimin e shkeljeve që janë burim aksidenti apo që bëhen pengesë për qarkullimin.
Gjatë muajit janar janë vënë gjithsej 2436 masa administrative për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor, konkretisht:
198 masa për mosvënien e rripit të sigurimit;
12 masa për mosvënien e kaskës mbrojtëse;
12 masa për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit;
3 masa për përdorimin e celularit gjatë drejtimit të mjetit;
455 masa për parakalime të gabuara;
824 masa për ndalim apo qëndrim të gabuar;
657 masa për shpejtësi tej normave të lejuara;
275 masa për shkelje të tjera të Kodit Rrugor.
Gjithashtu, janë pezulluar 3 leje drejtimi dhe ka nisur procedimi penal për 2 drejtues mjetesh, për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.
Kontrollet nga Policia Rrugore do të vijojnë në të gjitha akset rrugore urbane, interurbane dhe rurale, duke përdorur të gjitha mjetet bashkëkohore logjistike, me qëllim përmbushjen e parametrave të sigurisë rrugore.
Policia Rrugore Gjirokastër apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve që të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor, të mos kryejnë parakalime të gabuara, të mos përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit dhe të mos drejtojnë mjetin, në efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.
Ftojmë qytetarët që të denoncojnë në numrin pa pagesë 112, çdo shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.
Komente












