Në Tiranë policitë janë kundër pianos

Në Tiranë policitë janë kundër pianos

Mund të ishte një metaforë e kushedi se çfarë në një qytet të Europës: policitë kundër pianos. Por jo. Në qytetin tonë të dashur, në Tiranë, është realitet. Një realitet sa qesharak aq i trishtë dhe domethënës për perceptimin e gabuar e të deformuar që kemi arritur të krijojmë e të konceptojmë deri më tash të Shtetit, të respektimit të rregullave.

Rastësisht qëllova dëshmitare e një situate të pakëndshme: në Akademinë e vogël të baletit prej tri ditësh ka mbërritur një piano. Nga ora 16 deri në orën 20 ndonjë vogëlush që do të dëshirojë të marrë leksione, e ka këtë mundësi ta bëjë në orare të pranueshme e të lejueshme sipas ligjit. Akademia ndodhet në katin përdhes të një pallati ku ka një sërë aktivitetesh: bare, rrobaqepësi, minimarket, pastaj sipër zyra e akoma më sipër banesa. Askush në vite të tëra të akademisë nuk është ankuar asnjëherë për muzikën e magnetofonit që në nivele të pranueshme luhet për vogëlushët në këto orë të pasdites. Gjërat ndryshuan me mbërritjen e Pianos!

Që në ditën e parë të saj, me shtypjen e notës së parë, me interpretimin e fletës së parë të pentagramit forcat emergjente të policisë të thirrura në ndihmë nga fqinja e lyerjes së thonjve, ngjitur me Akademinë, mbërritën me shpejtësi. Ikën ata ditën e parë, për të mbërritur në ditën dytë forcat e Policisë Bashkiake. Ikën ata pasi panë dokumente e ligj te respektuar, për mbërritur vetë Policia e Shtetit ditën e tretë. Polici hap derën ndërsa bëhej leksion pa piano, duke kërkuar shkelësin. Mësuesja duhej të paraqitej në polici për të treguar para shefit të madh se ishte në rregull me ligjin. Polici që u fut nuk kishte kompetencë të shihte e të konstatonte se ç’ndodhte me pianon apo me shkelësit në fjalë.

Nuk duam të dekurajojmë më këtë dëshmi asnjë polici në kryerjen e detyrës dhe në shërbimin sa më dinjitoz ndaj ankesave të qytetarëve, por le të pranojmë se përditë jemi dëshmitarë se kjo polici, këto polici, me një zell të jashtëzakonshëm tregojnë forcën e tyre me të brishtët e shoqërisë dhe kjo është një rrugë tepër e gabuar.

Mendoni të gjitha pianot që ndodhen nëpër apartamentet e Tiranës si për qëllime arsimore ashtu dhe për shije personale. Mendoni dikush të marrë guximin të luajë një notë jo në orët normale të pasdites, si në Akademinë ku isha dëshmitare, por në një mbrëmjë familjare, në një moment krijues apo romanticizmi. Muzikantët duhet të presin vërshimin e të gjitha policive në shuarje të pianos?

Kjo që po shkruaj nuk është një kapriço dhe as snobizëm. Fakti që denoncimi i tretë i gruas së thonjve ishte bërë, sipas policit, në 18.30 të së martës, dhe polici mbërriti me shpejtësinë e erës, pavarësisht mbipeshës, para orës 19.00 të së njëtës ditë duke ndërprerë një orë mësim baleti, tregon se asgjë nuk është në fokusin e duhur nga njerëzit e rendit.

Si qytetarë apo gazetarë përditë jemi dëshmitarë të tolerimeve deri në çmenduri të aktivitetesh të zhurmshme dhe të jashtë çdo norme volumi vetëm sepse janë pronë apo administrim prej të fortish apo njerëz pushteti. Përditë sinjalizohemi se të gjitha policitë nuk i dëgjojnë aspak shqetësimet reale të qytetarëve, kur bëhet fjalë për dhunim të vërtetë akustik dhe të të drejtave të një jetese harmonike dhe normale, por mobilizohen për “mbylljen e gojës” së një pianoje.

Kjo nuk është polici e një qyteti, është policia e të fortëve apo e parave të marra për të përkëdhelur egot e ziliqarëve apo shkatërruesve të gjërave të bukura të Tiranës, ku bën pjesë dhe një piano.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Miri: 13/02/2019 10:04

    Jam pa fjale. Ju lumte per kurajon dhe mbeshtetjen e njerezve te Kultures qe shtypen me shume deshire nga forca e “ligjit”

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë