TIRANE- Për krijimin e një tregu të mbikqyrur në cdo aspekt, gjatë vitit 2015 do të krijohet Inspektorati i Mbikëqyrjes së Tregut.
Ministria e Zhvillimit Ekonomik ka planifikuar si zë në buxhetin për vitin 2015 krijimin e këtij Inspektoriati, pasi e vlerëson si një masë kritike, që do të sjellë një ndryshim cilësor të domosdoshëm për mbrojtjen e konsumatorëve përmes mbikëqyrjes efektive të tregut dhe mbrojtjen e shëndetit, sigurisë për konsumatorët, si edhe krijimin e standardeve të produkteve të tregut në mbrojtje të konsumatorit.
Në drejtim të mbikëqyrjes së tregut, krijimi i një mjedisi të përgjithshëm ligjor dhe institucional, i garanton konsumatorëve mbrojtjen e shëndetit, interesave ekonomikë, përmirësimin e edukimit, informimit, ndërgjegjësimin dhe jep mbështetje për zbatim efektiv të të drejtave të tyre.
Kjo masë synon fuqizimin e konsumatorëve dhe rrit besimin për blerjen e mallrave dhe shërbimeve në treg, përmirëson sigurinë e konsumatorëve me një infrastrukturë efektive të cilësisë, sipas praktikave më të mira evropiane./ATSH/