VLORE, 17 gusht/ATSH-Harilla Koçi/. - U zhvillua të hënën mbledhja e konstituimit të Këshillit të Qarkut të Vlorës për mandatin 4-vjeçar 2015-2019, dhe zgjedhja e strukturave drejtuese, duke përfshirë kryetarin e këtij këshilli, nënkryetarin dhe kryesinë.
Pjesë e procesit të konstituimit, që u drejtua nga kryebashkiaku i Vlorës, Dritan Leli, ishte votimi për funksionin e kryetarit të Këshillit të Qarkut. Në këtë detyrë u rizgjodh me 26 vota "pro" dhe një abstenim, Sadrit Danaj, përfaqësues i Partisë Socialiste, i cili do të drejtojë këtë organ vendimmarrës edhe për katër vite të tjera.
Po ashtu, në këtë mbledhje u votua edhe për zv.kryetarin e Këshillit të Qarkut, që u zgjodh Harallamb Pandehi, me 25 vota "pro", si dhe për Kryesinë, prej 5 anëtarësh.
Në fjalën e tij , kryetari i Këshillit të Qarkut të Vlorës, Sadrit Danaj, theksoi se rikonfirmimi i tij në këtë detyrë, është vazhdimi i punës së nisur prej pothuajse një viti, me programet specifike që drejtohen dhe orientohen përmes një vizioni të ri, përmes projekteve të financuara nga donatorë brenda dhe jashtë vendit.
Duke folur në emër të kolegëve të tij , përfaqësues të Qarkut të Vlorës në Kuvendin e Shqipërisë, deputeti Koço Kokëdhima, uroi këshilltarët për mandatin e ri 4-vjeçar, ndërkohë që theksoi se Qarku i Vlorës ka burime të jashtëzakonshme natyrore dhe kulturore që e bëjnë konkurrues në raport me qarqet e tjera, por edhe më gjerë, në rajon. Kjo, sipas Kokëdhimes, e vendos Këshillin e Qarkut, krahas këshillave të bashkive të reja, para sfidave për zhvillimin drejt një ekonomie konkurruese për të kapërcyer tranzicionin e trashëguar prej më shumë se 20 viteve.
Konstituimi i Këshillit të Qarkut të Vlorës pason të njëjtin proces të realizuar me këshillat bashkiakë të bashkive që përfshihen në këtë qark. ./f,n/












