Negociata intensive në OKB lidhur me rezolutën për Gazën

Negociata intensive në OKB lidhur me rezolutën për Gazën

1702103536_okb.JPG

Anëtarët e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara më 19 dhjetor kanë zhvilluar negociata intensive, prapa dyerve të mbyllura, lidhur me një rezolutë të sponsorizuar nga arabët, që kërkon rritjen e dërgesave humanitare në Gazë dhe një lloj ndalese të luftimeve, duke tentuar që të shmangin një veto tjetër nga Shtetet e Bashkuara.

Ambasadorja e Emirateve të Bashkuara Arabe, Lana Nusseibeh, tha se shpreson që për rezolutën të votohet të martën mbrëma.

Këshilli paraprakisht kishte caktuar seancë për votimin e rezolutës të hënën, por seanca u shty në përpjekje për të marrë mbështetjen e SHBA-së për rezolutën ose që Uashingtoni të abstenojë.

SHBA-ja ka vendosur veto ndaj rezolutës për Gazën në Këshillin e Sigurimit, që është mbështetur nga të gjithë anëtarët e tjerë të cilët kanë kërkuar një armëpushim të menjëhershëm në Gazë. Po ashtu, më 12 dhjetor, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së ka miratuar një rezolutë të ngjashme.

Draft-rezoluta që u prezantua të hënën bënte thirje për “ndaje urgjente dhe të qëndrueshme të armiqësive”, por formulimi i rezolutës pritet të ndryshojë, dhe me gjasë do të kërkojë “pezullimin” e armiqësive apo do të përdoret ndonjë term më i butë, me qëllim që të marrë mbështetjen e SHBA-së, thanë diplomatët që folën në kushte anonimiteti.

Rezolutat e Këshillit të Sigurimit janë të rëndësishme sepse ato janë ligjërisht të obligueshme, por në praktikë shumë palë zgjedhin të injorojnë kërkesat e Këshillit për veprim. Ndërkaq, rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme nuk janë ligjërisht të obligueshme.

Në versionin e draft-rezolutës të prezantuar të hënën thuhej se civilët në Gazë nuk kanë qasje në ushqim të mjaftueshëm, ujë, nuk kanë kushte sanitari, energji elektrike dhe shërbime mjekësore, “të nevojshme për mbijetesën e tyre”.

Pothuajse 20.000 palestinezë janë vrarë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë, që kur Izraeli shpalli luftë kundër Hamasit – grupit palestinez i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja – pasi grupi radikal kreu sulm në jug të Izraelit më 7 tetor. Hamasi vrau afër 1.200 persona – shumica civilë – dhe mori 240 pengje.

Hamasi kontrollon Rripin e Gazës dhe Ministria e Shëndetësisë në këtë territor nuk bën dallimin mes civilëve dhe luftëtarëve të vrarë./ REL


Lajmi kryesor:

Lufta/ Herzog: Izraeli gati për një pauzë të re humanitare ndaj lirimit të pengjeve! Houthi: Ne do të sulmojmë në Detin e Kuq çdo 12 orë


K.M/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Dyshohet se ngacmoi seksualisht një të mitur, arrestohet 60 vjeçari në Berat

Dyshohet se ngacmoi seksualisht një të mitur, arrestohet 60 vjeçari në Berat