TIRANË - Në duart e vendeve anëtare, prej fundit të muajit të kaluar, ndodhen dy dokumenta të dorëzuar nga Komisioni europian, lidhur me ecurinë e Shqipërisë në procesin e bisedimeve për anëtarësim: Raporti i vlerësimit për objektivat e ndërmjetëm, që njihet ndryshe dhe me akronimin anglisht IBAR, si dhe projekt-qëndrimi i përbashkët i BE-së lidhur me grupkapitullin e parë, “Themeloret”.
Komisioni Evropian konfirmoi për Report Televizion se ka paraqitur një Raport pozitiv, duke vlerësuar përmbushjen e objektivave të ndërmjetëm nga ana e Shqipërisë.
"Tani u takon shteteve anëtare të bien dakord për një Pozicion të Përbashkët të BE-së për grupkapitullin e parë, i cili do të përcaktojë pikat përmbyllëse në fushën e sundimit të Ligjit",- deklaroi për Report Tv Komisioni Europian.
Ambasadorët e vendeve anëtare në Grupin e Punës për Zgjerimin dhe Vendet Negociuese me BE (COELA), kanë zhvilluar deri më tani dy takime, të cilat kanë shërbyer për një “shkëmbim pikëpamjesh”, mbi raportin e Komisionit, siç saktësohej dhe në axhendën e publikuar të mbledhjeve.
Nuk ka një afat të paracaktuar brenda të cilit vendet anëtare do duhet të dalin me një qëndrim. Një ditë më parë një zëdhënës i Këshillit tha për Report TV se
“Ka gjasa që edhe shumë mbledhje të tjera të COELA-s ta trajtojnë këtë çështje në javët dhe muajt në vijim" deklaroi për Report Tv Komisioni Europian
Një qëndrim që duket se reflekton dinamikat e brendshme mes vendeve anëtare, ku Gjermania, sipas burimeve diplomatike, e mbështetur dhe nga disa vende të tjera, ka ngritur pikëpyetje.
Miratimi i IBAR-it është një moment thelbësor i procesit të bisedimeve, pa të cilin, vendi nuk mund të hyjë në fazën e mbylljes së kapitujve.
Komente









