Ditë më parë ambasadat gjermane, britanike dhe holandeze nxituan të kritikojnë maxhorancën për mosdorëzimin e imunitetit të Belinda Ballukut. Kjo sepse në një demokraci funksionale, kërkesa e drejtësisë për të hetuar zyrtarët duhet të trajtohet pa hezitim dhe pa kalkulime politike. Refuzimi për të bashkëpunuar me drejtësinë është gjithmonë një sinjal alarmi për shëndetin e shtetit ligjor.
Por, problemi shqiptar nuk qëndron vetëm te qeverisja e Edi Ramës. Në fakt, reduktimi i krizës politike shqiptare në një çështje të vetme – autoritarizmin e Ramës – është një thjeshtim i rrezikshëm. Edi Rama është një kryeministër shumë i kritikuar. Për më tepër, qeverisja e tij ka prodhuar mjaft episode që ushqejnë perceptimin e një stili gjithnjë e më vertikal dhe dominues të pushtetit. Për më keq, rotacioni politik në Shqipëri është i vonuar.
Problemi madhor është se sot nuk ka një alternativë reale që ta zëvendësojë atë. Këtu fillon hipokrizia e madhe e shumë aktorëve ndërkombëtarë dhe institucionalë që veprojnë në Shqipëri. Sepse kriza e opozitës nuk është një fenomen natyror. Ajo është prodhuar me vetëdije dhe është mbajtur dhe po mbahet peng nga një figurë që refuzon të largohet nga skena politike: Sali Berisha.
Edhe më shqetësues është fakti se institucionet që duhet të jenë më të forta – si SPAK – por edhe përfaqësuesit ndërkombëtarë që kanë investuar shumë në reformën në drejtësi, kanë dhënë herë pas here shenja të një lloj stepjeje, tërheqjeje apo shantazhimi përballë agresivitetit të Berishës.
Berisha ka ndërtuar prej vitesh një strategji të thjeshtë: sulm frontal, gjuhë e dhunshme politike dhe delegjitimim personal ndaj kujtdo që i kundërvihet apo nuk pajtohet me të. Ai ka sulmuar ambasadorë, diplomatë, prokurorë dhe gjyqtarë me një gjuhë që në çdo vend normal do të konsiderohej skandaloze për një ish- president dhe ish-kryeministër. Ai ka sulmuar hapur ambasadoren amerikane Yuri Kim. Së fundmi sulmoi edhe ambasadorin e Bashkimit Europian. Por ajo që bie në sy nuk është vetëm agresiviteti i tij sepse kjo është tashmë pjesë e repertorit të tij politik. Shqetësues është reagimi i zbehtë që këto sulme kanë marrë. Kjo i ka krijuar bindjen se strategjia e tij funksionon.
Ambasadorët heshtin kur ai i sulmon personalisht. Heshtin edhe kur ai përjashton figura brenda opozitës që përpiqen të propozojnë alternativa të reja politike. Heshtin edhe kur shkelet hapur statuti i partisë që ai drejton, i cili parashikon qartë dorëheqjen e parevokueshme të kryetarit pas humbjes së zgjedhjeve. Ambasadorët nuk mund të fshihen pas justifikimit komod se këto janë “probleme të brendshme të partive politike”. Sepse kur një lider bllokon qëllimisht rinovimin e opozitës dhe e mban atë peng për interesat e veta personale, kjo nuk është më një çështje e brendshme partie. Kjo është qartësisht një ceshtje e hapur demokracie.
Edhe në raport me drejtësinë, situata është po aq paradoksale. Berisha ka qenë ndoshta politikani që ka sulmuar më ashpër SPAK-un, prokurorët dhe gjyqtarët e reformës në drejtësi. Ai i ka akuzuar, i ka kërcënuar politikisht dhe i ka delegjitimuar publikisht. Megjithatë, në mënyrë të çuditshme, në disa raste duket sikur presioni i tij ka prodhuar efekt. Masat e sigurisë ndaj tij dhe ndaj dhëndrit të tij janë lehtësuar në raport me pritshmëritë që u krijuan fillimisht nga hetimet e SPAK. Kjo krijon një perceptim të rrezikshëm në publik: se agresiviteti politik mund të funksionojë si mjet presioni mbi drejtësinë. Nëse kjo perceptohet si e vërtetë, atëherë dëmi për reformën në drejtësi është shumë më i madh se çdo vendim i vetëm gjykate. Kjo sepse drejtësia nuk duhet vetëm të jetë e pavarur; ajo duhet edhe të duket e tillë.
Në fund të fundit, problemi kryesor i Shqipërisë nuk është vetëm një qeveri që akuzohet për arrogancë pushteti. Problemi më i madh është një opozitë e bllokuar nga një lider që refuzon të largohet dhe që vazhdon ta trajtojë partinë si pronë personale.
Kjo është nyja reale e krizës politike shqiptare. Sepse një opozitë që nuk rinovohet nuk prodhon alternativë. Një opozitë që drejtohet nga një lider i shpallur non grata nga aleatët kryesorë të vendit nuk prodhon besueshmëri. Dhe një opozitë ku çdo figurë që tenton të dalë jashtë hijes së kryetarit përjashtohet, nuk prodhon shpresë.
Në këtë mënyrë funksionon paradoksi shqiptar: një qeveri që konsumohet nga pushteti, por që mbetet në pushtet sepse përballë saj nuk ka një alternativë të besueshme. Prandaj ambasadorët dhe institucionet e drejtësisë nuk mund të shohin vetëm njërën anë të problemit. Sepse kriza e demokracisë shqiptare nuk vjen vetëm nga pushteti që zgjat shumë, por edhe nga opozita që nuk pranon të ndryshojë. Dhe për sa kohë opozita mbetet peng e një lideri që refuzon të largohet edhe pas humbjeve të njëpasnjëshme, rotacioni do të mbetet një slogan politik, jo një mundësi reale./TemA
Komente









