TIRANE-Tetë deputetë holandezë kanë nisur në Shqipëri një vizitë dy ditore të quajtur fakt mbledhëse për sa i përket asaj çfarë ka arritur Shqipëria në përmbushje të detyrave të lëna nga BE. Burime brenda takimit pohuan për Report Tv se deputetët holandezë kanë shprehur nota skepticizmi. Në një deklaratë për mediat pas takimit me Ramen dhe Bashen ata u shprehën se qeveria është hezituese por do të vendos parlamenti

Deputeti Pieter Omtzigt nga partia Kristian Demokrate u shpreh nuk mjafton vetëm ajo që është bërë, ndërsa kërkuan që zyrtarët e korruptuar të cdo niveli të dalin para drejtësisë. Një tjetër shqetësim i ngritur nga deputetët ishin edhe kriminaliteti shqiptar në Holandë, që sipas tyre është rritur në vitet e fundit.

Është bërë një propozim nga Komisioni Europian dhe për çeljen e negociatave dhe për këtë qeveria jonë e ka tashmë pozicionin e saj të shprehur dy javë më parë. Qeveria jonë është ekstremisht hezituese për hapjen e negociatave me Shqipërinë këtë moment. Prandaj ne si parlament vendosëm të organizojmë këtë mision faktmbledhës  me anëtarë të 7 partive të ndryshme politike holandeze pra të gjitha partitë kryesore janë këtu. Më pas ne do te kemi një debat se si po shkon zbatimi 5 prioriteteve. Anëtarët e delegacionit kanë bërë shumë pyetje ndër me kryesoret ato që lidhen me luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. Qeveria jonë do ta thotë fjalën e fundit por përpara do të duhet të ketë aprovimin final nga parlamenti.

Deputeti Pieter Omtzigt nga partia Kristian Demokrate

Deputeti holandez vlerësoi punën e bërë deri tani në luftën kundër krimit, por ngriti shqetësim për grupet kriminale shqiptare që veprojnë në Holandë.

Ne jemi këtu për të parë zbatimin e 5 kushteve dhe progresin e bërë deri më tani. Në lidhje me 5 prioritetet ne kemi folur me gjyqtarë të përfshirë në veting dhe tani kemi 6 apo 7 raste vetingu por totali është 800 për t'u shqyrtuar. Kemi parë gjithashtu progres në luftën me krimin e organizuar por nga ana tjetër shikojmë që në Holandë numri shqiptarëve të arrestuar për krime serioze është dyfishuar krahasuar me vitin e shkuar.

Deputeti Pieter Omtzigt nga partia Kristian Demokrate

Gjatë konferencës për shtyp deputetët holandezë u pyetën edhe për hetimet që kanë nisur ndaj Saimir Tahirit dhe nëse arrestimi i tij do të jetë një kusht shtesë për dritën jeshile për negociatat.

Ne jemi në dijeni të çështjeve të një niveli të lartë. Por duhet ta kuptoni se do të jetë shumë e çuditshme dhe jo me vend nëse nga njëra anë ne kërkojmë një gjyqësor të pavarur dhe nga ana tjetër të flasim për një emër konkret për ta çuar atë në burg. Ky do ishte një mesazh i dyfishtë që nuk keni për ta dëgjuar nga ne. Megjithatë ne e vlerësojmë çfarë është bërë deri me tani me ndëshkimet e zyrtarëve në nivelet ulëta dhe të mesme. Por ne nuk jemi këtu për të thënë nëse njerëzit duhet të shkojnë në burg. Kjo do të ishte e kundërta e asaj që themi dhe kërkojmë për drejtësinë e pavarur.

Deputeti Pieter Omtzigt nga partia Kristian Demokrate

Report TV siguroi emrat e delegacionit holandez të cilët në fund në vizitës do të hartojnë një raport për parlamentin i cili do të thotë fjalën e fundit pas propozimit të KE për çeljen e negociatave për anëtarësim.

Delegacioni drejtohet nga Malik Azmani që i përket partisë për Liri dhe Demokraci ndërsa anëtarë janë Anne Mulder po nga e njëjta parti. Kees Verhoeven nga partia Demokratët 66, Bram Van Ojik të Gjelbrit e Majtë, Frank Futselaar Partia Socialiste, Stieneke Van der Graaf Unioni Kristian, Mr Pieter Omtzigt partia Kristian Demokrate dhe Jeffrey Van Haaster.

Por, pavarësisht skepticizmit të Holandës, kryetarja e Komisionit të Jashtëm parlamentar Mimi Kodheli shprehet optimiste se do të japë dritën jeshile në fund të qershorit.

Deputetët morën një paraqitje si nga opozita dhe shumica për procesin për zbatimin e 5 rekomandimeve. Unë besoj se ishte takim i frytshëm dhe shumë pozitiv për ça u tha dhe u dëgjua.

Mimi Kodheli

Ndërkohë që deputetja e PD, Jorida Tabaku tha opozita u kërkoi deputetëve që t'i japin një shans Shqipërisë, pasi në këtë mënyrë qeveria do të jetë e kontrolluar. Tabaku theksoi se shqetësimi i holandezëve mbetet droga dhe krimi.

Opozita kërkoi që parlamenti holandez të mbështes hapjen e negociatave. Ata kanë shqetësime për krimin dhe drogën. Qëndrimi jonë ka qenë që hapja e negociatave do të ndihmojë që qeveria të monitorohet. Holanda heziton si pasojë e krimit shqiptar në Roterdam dhe Amsterdam, por edhe rritjen e krimit dhe trafikut të drogës në Shqipëri. Ne jemi optimistë, opozita do e mbështesë procesin

Jorida Tabaku

Gjermania, Franca dhe Holanda janë tre vendet skeptike për hapjen e negociatave në fund të qershorit. KE vendosi që të rekomandojë hapjen e negociatave në 17 prill, por deri në fund të qershorit qeveria shqiptare duhet të lobojë fuqishëm për të bindur vendet skeptike që të thonë 'PO'.