Kreu i PD, Lulzim Basha thotë se pazari PS-Rithemelimi ka në thelb vetëm një qëllim, interesat e kryeministrit Edi Rama dhe Sali Berishës. Nga Kuvendi Zgjedhor në degën nr. 13 të PD në Tiranë, Basha tha se të dy ja dinë hallin njëri tjetrit dhe janë bërë bashkë për pazare në kurriz të shqiptarëve. Për Bashën, ky pazar synon të godasë rotacionin politik me qëllim që Rama mos të humbasë pushtetin.
“Me një pazar të fëlliqur duan të flijojnë opozitarizmin dhe rotacionin politik me parullën o unë, o asgjë ose ndryshe pas meje kiameti. Pazari i turpshëm i 48 orëve të fundit, por që në fakt ka qenë tenxhere me presion prej fillimit. Hallexhinjtë e kësaj marke ia dinë gjuhën njëri-tjetrit, ia dinë ku i dhemb njëri-tjetrit dhe janë të gatshëm të bëjnë pazare me njëri-tjetrin për njëri-tjetrin, por jo për shqiptarët”, tha Basha.
Kryedemokrati shigjetoi edhe grupin e Bardhit, dikur krahu i tij djathtë që tashmë është bashkuar me Rithemelimin dhe u ul në tryezën e negociatave me PS. Ky Pazar sipas Bashës, ka edhe interesat e vulëhumburve që synojnë të ruajnë karrigen e deputetit në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
“Pazari i fundit, është padiskutim një Pazar i pastër për interesat në radhë të parë dhe mbi të gjitha të Edi Ramës, interesat e Sali Berishës dhe interesat e disa vulëhumburve që siç erdhën ashtu po ikin të katapultuar në politikë pa asnjë farë kontributi dhe që u janë ngjitur sytë, veshët, stomaku dhe të prapmet pas karrigeve që kanë qëllim të vetëm të ruajnë këto karrige duke sakrifikuar aspiratën e demokratëve dhe të shqiptarëve për rotacion”, tha Basha.
Basha thotë se i ashtuquajturi revolucion u shit për 2 komisione hetimore, për të cilat Rama theksoi se ka ndryshuar edhe ligjin duke e vështirësuar transparencën.
“Pesë muaj i ashtëquajturi revolucion, çfarë prodhoi? Prodhoi që Edi Rama të kalojë ça i desh qejfi. Nga buxheti, te aktet korruptive, te heqja e parave për pronarët, tek investimet strategjike pa asnjë kritikë opozitare, pa u dëgjuar zëri i opozitës në Parlament. Se në vend që të flisnin, i binin bilbilave. Për çfarë i ranë bilbilave? Që nga 8 të merrnin 2 komisione. Dhe këto 2 komisione, objekti është të shikojnë masat administrative dhe të përmirësojnë ligjet që mos të vjedhë Edi Rama. Sepse Edi Rama dhe Ilir Beqja vjedhin se janë ligjet e këqija. Këtu u katandis revolucioni, nga 8 në 2. Dhe nga këta të dy, njëri siç e keni parë dhe dëgjuar SPAK-u të hënën komunikon akuzat dhe po bëhet gati të çojë në burg të pandehurit. Për këtë pra u shit revolucioni. Asgjë. Madje më keq se asgjë, minus, sepse ligji për komisionet hetimore ka ndryshuar në mënyrë të njëanshme nga Edi Rama duke e bërë edhe më të vështirë, deri në kufijtë e pamundësisë transparencën”, tha Basha.
Opozita dhe maxhoranca dakordësuan dje ngritjen e 2 komisioneve hetimore si dhe të një mekanizmi që do të merret me reformat që kërkojnë 84 vota. Krerët e grupeve, Bardhi e Çuçi e quajtën fitore ndërsa ministrja e Shtetit për Parlamentin tha se nga e enjtja kaosi do ia lë vendin seancave ku do diskutohen nisma.
Kryedemokrati Lulzim Basha thotë se PS dhe Rithemelimi po bëjnë Pazar pasi duan të ruajnë Kushtetutën e vitit 2008 dhe se nuk i duan listat e hapura . Sipas tij, Rama ka vetëm një qëllim nga kjo marrëveshje, që të ruajë pushtetin politik.
Ndërsa sa i takon deputetëve të grupit Berisha, mes tyre edhe ata të Bardhit, Basha thotë se kërkojnë të kapin ndonjë “karrige me votat e plakut se s’i ndihet ca ndodh pastaj me plakun”, referuar këtu Sali Berishën në arrest shtëpi për aferën Partizani.
“Pse shqiptaret duhet të jenë të lumtur me këtë Pazar? Përkundrazi, për turpin e tyre po pranojnë të kthehen në një fasadë për Edi Ramën që të ruajnë kushtetutën e 2008-ës dhe të ruajnë listat e mbyllura, dhe të ruajnë kontrollin politik së bashku me atë tjetrin dhe në këtë mënyrë të sigurojnë një monopol politik për veten e tyre. I kanë të qarta gjërat, Edi Rama do të vazhdojë i pashqetësuar pushtetin. Ky tjetri gëzohet me shpresën e vakët dhe të rreme, se po e konsideron partner. Ndërsa këta të tjerët thonë 2025-sa iku, të kapim një karrige me votat e plakut se pastaj s’dihet se çfarë ndodh me plakun”, tha Basha.