Negociatat me BE, Brukseli jep
OK, ja çfarë përfiton Shqipëria
 

Shqipëria ka hedhur një hap historik në rrugën për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Komisioni Europian i rekomandon Këshillit të Europës që të hapë negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në familjen europiane.

Komisioneri Hahn propozoi hapjen e negociatave, ndërsa mbetet për t’u zbatuar ligji i Vetting-ut e Reforma në Drejtësi.
Vlerësohen reformat dhe plotësimi i 5 prioriteteve.


BRUKSEL-Komisioni Europian rekomandon hapjen e negociatave me Shqipërinë. "Shqipëria ka bërë progres të jashtëzakonshëm dhe KE rekomandon hapjen e negociatave me Shqipërinë. Por mbetet për t'u zbatuar reforma në drejtësi, ose Vettingu apo i njohur si ligji për vlerësimin e prokurorëve e gjyqtarëve", u shpreh komisioneri per zgjerimin, Johanes Hahn.

Ndërkaq rekomandimi i KE do i paraqitet Këshillit të Ministrave të Europës të 27 vendeve anëtare të BE-së, në muajin dhjetor dhe do të jetë ky organi që do të vendosë përfundimisht datën e hapjes së negociatave për Shqipërinë.

Duhet që 27 vendet e Bashkimit Europian të kenë vendim unanim pasi vetëm edhe një votë e vetme do të nënkuptonte stopim të procesit. Ndërkohë që në konferencë për shtyp Hahn sqaroi se Brukseli nuk pret realizimin e të gjithë reformës në drejtësi në një kohë të shkurtër por nisjen nga zabatimi të ligjit të vettingut.

"Unë besoj se zgjedhjet e ardhshme janë një mundësi shumë e mirë për të treguar se çfarë do të ndodhë në Shqipëri. Vlerësoj miratimin me konsensus të reformës në drejtësi. Më në fund, shqiptarët e kanë tashmë këtë reformë dhe kjo besoj se është pjesë e progresit, por ne gjithmonë e kemi thënë se nuk bëhet fjalë vetëm për çështjen e ligjit, por për zbatimin, për të treguar si do të funksionojë dhe këtë po kërkojmë tani. Nuk u kërkojmë zbatimin e plotë të gjithë kësaj, por të shohim se çfarë do të ndodhë me hapin e parë që është ligji i vettingut", tha ai.
 
Shqiptarja.com zbardhi një ditë më parë raportin e KE ku rekomandohej çelja e negociatave për Shqipërinë.



Hahn lexoi sot thelbin e Raportit
"Shqipëria ka vijuar të bëje progres të qëndrueshëm në plotësimin e pesë prioriteteve kyçe për çeljen e negociatave me Bashkimin Europian. Ndryshime thelbësore në Kushtetuten e Shqiperise u aprovuan unanimisht ne Korrik te 2016, duke nisur një proces reformues tërësor dhe gjithëpërfshirës të Sistemit të Drejtësisë.

Ky proces do të përfshijë një rivlerësim të thelle të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Reforma ne administraten publike vijoi të implementohet në mënyre të konsistente. Puna drejt krijimit të “track records” të qëndrueshme për hetimet pro-aktive, ndjekjet penale, dhe dënimet në lidhje me luftën kundër korrupsionit dhe krimit te organizuar ka vijuar.

Të drejtat themelore të njeriut vazhdojnë të respektohen gjerësisht ne vend.

Duke pare progresin e lartëpërmendur në kuadër të plotësimit të pesë prioritetve kyçe dhe në vartësi të hapave të prekshëm në implementimin e Reformës në Drejtësi, veçanërisht në procesin e ri-vlerësimit te gjyqtarëve dhe prokurorëve (Vettingu), Komisioni rekomandon çeljen e bisedimeve per anëtarësim me Shqipërinë
", citoi Hahn.

Reforma e administratës publike
Raporti vlerëson se pozitivisht “zbatimin e proçedurave më transparente të rekrutimit të punonjësve të shërbimit civil si dhe zbatimin e reformës së administratës publike dhe reformës së manaxhimit të financave publike ka vazhduar”. Nga ana tjetër Komisioni thekson se “përparimi i mëtejshëm është thelbësor për të konsoliduar arritjet drejt një administrate publike me efikase, më të depolitizuar dhe më profesionale”.

Sistemi gjyqësor

Raporti vë në dukje se “janë miratuar amendamentet kushtetuese lidhur me funsionimin dhe organizimin e sistemit gjyqësor. Kjo i hap rrugën një reforme gjithëpërfshirëse e të plotë. Puna lidhur me legjislacionin për vënien në zbatim të reformës ka ecur përpara: ligji për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe një set ligjesh kyçe për riorganizimin e strukturave të drejtësisë, janë miratuar. Po ashtu, tekstet për rreth 40 ligje të tjera janë në faza të ndryshme të përgatitjes”. Brukseli ndërkaq vë në dukje se “Përparim i mëtejshëm nevojitet për të miratuar dhe zbatuar këto ligje. Administrimi i gjyqësorit vazhdon të jetë i ngadaltë dhe jo efikas: korrupsioni mbetet mbizotëruesë në të gjithë sektorin”.

Lufta kundër korrupsionit

Raporti vëren se “është miratuar ligji për mbrojtjen e bilbil-fryrësve. Prokurorët dhe punonjësit e policisë fituan më shumë akses në rregjistrat kombëtarë elektronikë, më qëllim që të shkëmbenin informacione sensitive dhe të rrisnin efikasitetin e hetimeve”. Por Brukseli kërkon “përparim të mëtejshëm për të konsoliduar një historik të qëndrueshëm të hetimeve, ndjekjeve penale dhe dënimeve. Më shumë përpjekje për të luftuar korrupsionin në nivele të larta. Hetimet proaktive, vlerësimet sistematike të rriskut dhe bashkëpunimi ndërinstitucional duhet të përmirësohen. Korrupsioni mbetet mbizotërues në shumë fusha dhe vazhdon të jetë një problem serioz”.

Lufta kundër krimit të organizuar

Në raport theksohet se “disa përparime janë bërë, në veçanti në identifikimin dhe shkatërrimin e plantacioneve me cannabis sativa. Policia është modernizuar dhe bashkëpunimi policor ndërkombëtar është intensifikuar”. Ndërkaq, sipas Komisionit “bashkëpunimi mes policisë dhe prokurorisë duhet forcuar më tej për të shkatërruar në mënyrë efikase rrjetet kriminale. Numri i dënimeve për rastet e krimit të organizuar mbetet ende i ulët, duke shënuar vetëm një rritje të lehtë vitet e fundit. Hetimet financiare ndaj grupeve të organizatave kriminale nuk përdoren sistematikisht dhe në mënyrë efikase. Historiku i ngrirjes apo konfiskimit të pasurive të vëna ilegalisht mbetet shumë i varfër”.

Lidhur me zhvillimet në Shqipëri raporti thekson se “duke kapërcyer polarizimin e mëparshëm, Parlamenti miratoi me unanimitet ndryshimet kushtetuese për të nisur një reformë të thellë dhe gjithëpërfshirëse të sistemit të drejtësisë dhe përjashtimin e shkelësve me rekorde kriminale nga funksionet publike”. Ndrësa lidhur me reformën zgjedhore nënvizon se “Në lidhje me zgjedhjet e ardhshme të 2017, Shqipëria pritet të adoptojë në kohën e duhur amendamentet e Kodit elektoral dhe reformat e lidhura me të. Këto duhet të adresojnë në veçanti mungesën e pavarësisë dhe profesionalizmit në administratën elektorale”.

Për të tretin vit me radhë Komisioni vlerëson politikën e jashtme shqiptare dhe qëndrimin e saj konstant në përputhje me atë të Bashkimit europian. Politika e jashtem e vendit vlerësohet të ketë “një nivel të mirë përgatitjeje” dhe se “ka bërë disa përparime gjatë vitit të fundit. Lidhur me politikën e jashte dhe të sigurisë së përbashkët, Shqipëria ka qenë de facto plotësisht në linjë me të gjithë deklaratat e rëndësishme të BE-së dhe vendimet e Këshillit. Shqipëria u përshtat me të gjitha masat kufizuese të ndërmarra nga BE-ja”.

Komisioni Europian




Raporti "shuplakë" Partisë Demokratike
Komisioni Europian publikoi këtë sot progres-raportin për Shqipërinë, i cili ishte më pozitivi që ka marrë ndonjëherë vendi ynë, përpos zbatimit të ligjit të Vetingut, i cili është ankimuar dhe kundërshtuar nga gjyqësori, PD dhe Presidenti i Republikës.

Raporti prej 90 faqesh flet kryesisht për progres.

Komisioni Evropian rekomandoi çeljen e negociatave për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, duke hedhur poshtë kushtet e Partisë Demokratike për bllokimin dhe shtyrjen e procesit në kalendat greke.

“Komisioni rekomandon hapjen e negociatave me Shqipërinë”, thuhet në përmbledhjen e raportit që Shqiptarja.com zbardh ekskluzivisht.

Konkretisht, Brukseli ka rrëzuar kushtet e opozitës për luftën ndaj kanabisit, zbatimin e dekriminalizimit dhe zgjedhjet e lira në 2017, por ka kërkuar me forcë zbatimin e ligjit të Vetingut, për spastrimin e drejtësisë nga prokurorët dhe gjyqtarët e korruptuar.
 
Në përmbledhjen e raportit prej 90 faqesh, të Komisionit Evropian, që ka siguruar Shqiptarja.com, mbi progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit në BE. Raporti që do të publikohet dhe miratohet sot nga Komisioni Evropian, rekomandon çeljen e negociatave për Shqipërinë, duke vlerësuar kësisoj reformat e qeverisë “Rama”, të cilat kanë mundësuar plotësimin e 5 prioriteteve kyçe.

Por, raporti i Komisionit Evropian është një shuplakë e dyfishtë për Partinë Demokratike. Së pari, raporti hedh poshtë të gjitha kushtet dhe pretendimet e PD për kanabisin, dekriminalizimin dhe rrezikun e pretenduar të zgjedhjeve të ardhshme.

Së dyti, Brukseli kërkon zbatimin me urgjencë të ligjit të Vetingut, ligj i cili po tentohet të sabotohet nga Partia Demokratike, me anë të Gjykatës Kushtetuese, Presidentit të Republikës dhe një grupi gjyqtarësh dhe prokurorësh.

Raporti
Shqipëria ka vijuar të bëjë përparim të qëndrueshëm drejt përmbushjes pesë prioritetet kyçe për hapjen e negociatave për anëtarësim. Ndryshimet kushtetuese u miratuan njëzëri në korrik 2016, duke filluar një proces të plotë dhe gjithëpërfshirës të reformës së sistemit gjyqësor. Ky proces do të përfshijë një ri-vlerësim të thelluar të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Reforma e administratës publike ka vijuar të zbatohet në mënyrë të vazhdueshme. Po punohet për krijimin e të dhënave solide të hetimeve proaktive, ndjekjeve penale dhe dënimeve në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Të drejtat themelore në vend vazhdojnë të respektohen gjerësisht. Në funksion të progresit të mësipërm në zbatim të prioriteteve kyçe, punë e cila duhet të vazhdojë, sidomos në progresin e besueshëm dhe të prekshëm në zbatimin e reformës në drejtësi, në mënyrë të veçantë të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve (Vetingut), Komisioni rekomandon hapjen e negociatave me Shqipërinë”, thuhet në përmbledhjen e raportit.

Raporti i KE, Nishani: Eshtë sinjal inkurajues dhe pozitiv
“Vendosja e Shqipërisë në agjendën aktive të BE-së, është një sinjal inkurajues dhe pozitiv si për vendin tonë ashtu edhe për rajonin ku ne gjendemi”. Kështu deklaroi Presidenti i Republikës, Bujar Nishani në takimin me Ambasadoren e Delegacionit të BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin, me rastin e dorëzimit të raportit vjetor të progresit të Komisionit Europian për Shqipërinë si dhe Komunikatën mbi politikën e zgjerimit të BE-së.

Presidenti Nishani vlerësoi rekomandimin e sotëm të Komisionit Europian për hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE, pas fillimit të zbatimit të reformës në drejtësi, çka përbën një lajm të mirë për Shqipërinë dhe për të gjithë popullin shqiptar.

Në këtë kontekst, Presidenti vlerësoi përpjekjet e Komisionit, Parlamentit Europian dhe të gjithë vendeve anëtare për afrimin gjithnjë e më të madh të Shqipërisë drejt BE-së.

Ndër të tjera, kreu i Shtetit përcolli shpresën që ky rekomandim i Komisionit të marrë miratimin e vendeve anëtare gjatë takimit që do të zhvillojë Këshilli i Ministrave, në mbështetje të aspiratës së shqiptarëve për integrim.

Presidenti Nishani gjithashtu theksoi domosdoshmërinë për të reflektuar dhe përqëndruar përpjekjet në sfidat e mëdha që ka përpara Shqipëria, në të ardhmen e afërt të saj.

Negociatat, Rama: Fruti më i bukur i 3 vjetëve beteja për reforma
"Fruti më i bukur i 3 vjetëve beteja për Reforma". Kështu e cilëson kryeministri Edi Rama rekomandimin pozitiv të Komisionit Europian për çeljen e negociatave me Shqipërinë.
 
Kreu i qeverisë reagoi përmes një statusi në Facebook menjëherë pas publikimit të progres-raportit të KE nga komisioneri Johannes Hahn.
 
"Vjen Lajmi i shumëpritur nga Komisioni EU: Rekomandim pozitiv për hapjen e negociatave. Fruti më i bukur i 3 vjetëve beteja për Reforma", shkruan Rama. 

rama ne fb
(Postimi i Ramës në Facebook)

Meta: Raporti, më shumë përgjegjësi për ne, Vettingu do zbatohet  
Ambasadorja e BE-së në vendin tonë Romana Vlahutin i dorëzoi pasditen e sotme kryeparlamentarit Ilir Meta raportin e Komisionit Europian, që rekomandon hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian.  

Në një deklaratë për mediat, Meta theksoi se pas kësaj dite pritshmëritë janë më të mëdha dhe qytetarët e BE-ja kërkojnë më shumë seriozitet dhe përkushtim.
Kryeparlamentari Meta shprehu bindjen se procesi i vettingut do të ndodhë së afërmi.

"Pas lajmit pozitiv me të cilët janë njohur qytetarët tanë, me rekomandimin pozitiv të prezantuar nga eurokomisioneri Hahn, e shohim më të mundshme dhe të prekshme aspiratën për anëtarësimin në BE. Ky vlerësim pozitiv është kontribut i të gjithë aktorëve në Shqipëri, edhe i parlamentit. Ky rekomandim vjen pas miratimit me konsensus të reformës në drejtësi. vlerësoj angazhimin e palodhur të komuniteti ndërkombëtar, për mbështetjen e ofruar në përmbushjen e detyrimeve tona. Dita e sotme sjell më shumë optimizëm, dhe më tepër përgjegjësi dhe detyrime për ne, si përfaqësues të zgjedhjeve të popullit shqiptar në mënyrë që të përmbushim angazhimet tona për anëtarësimet në BE. Nga sot detyrimet tona janë akoma më të mëdha, dhe kërkon më shumë përkushtim nga ne për të arritur rezultate të dukshme t ë shpejta, me implementimin e reformës në drejtësi. kjo është një nga rrugët më të rëndësishme për forcimin e shtetit ligjor në vendin tonë”, u shpreh Meta.

Fleckenstein: Të zbatohet "drejtësia", hapim negociatat
Raporteri për Shqipërinë në PE, Knut Fleckenstein, uron Shqipërinë për marrjen e rekomandimit pozitiv për çeljen e negociatave.
 
Në një status në Facebook, eurodeputeti gjerman thekson se negociatat do fillojnë pasi të jetë implementuar reforma në drejtësi. Sipas tij, vonesat për ligjin e vettingut, mund të kushtojnë në kohë procesin e integrimit.
 
"Urime Shqipërisë! Komisioni Europian do fillojë negociatat, kur të implementohet reforma në drejtësi. Diskutimet mbi ligjin e vettingut do kushtojë kohë", shkruan Fleckenstein në Facebook. 

postimi i fleckenstein

(Postimi i Fleckenstein në Facebook)

Gjosha: Çelja e negociatave varet nga zbatimi i ligjit të vettingut
Ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha, vlerësoi rekomandimin pozitiv të Komisionit Europian për çeljen e negociatave me Shqipërinë, duke e cilësuar këtë si kurorëzim të realizimit të 5 prioriteteve. Gjosha tha se rekomandimi i Brukselit do jetë në varësi të zbatimit të reformës në drejtësi, konkretisht ligjit të vettingut.
 
"Rekomandimi pozitiv ka ardhur pas realizimit të 5 prioriteteve kyçe. Rekomandimi do të jenë edhe në varësi të ecurisë së reformës në drejtësi. Kjo reformë specifikohet me zbatimin e ligjit të vettingut. Shpresojmë që në dhjetor, Venecia të sjellë vlerësimin e plotë për këtë ligj, në mënyrë që Shqipëria të përfitojë edhe negociatat e anëtarësimit.
 
Ishte një rekomandim që ka në varësinë e vet vazhdimësinë e realizimit të reformës në drejtësi dhe ligjit të vettingut. Ky kusht ne na bën mirë për të plotësuar ato rekomandime që i shërbejnë qytetarëve shqiptarë. Ishte një kërkesë e qytetarëve që kjo reformë të kalohej në Kuvendin e Shqipërisë. Vota konsensuale për reformën i ka dhënë shtysë çeljes së negociatave nga Komisioni Europian.
 
Ne duhet të vazhdojmë punën me ecurinë e 5 prioriteteve, të cilat do të vazhdojnë edhe pas çeljes së negociatave. Presim nga Komisioni i Venecias përgjigjen për ligjin e vettingut.
 
Për ne nuk ka rëndësi data, por për ne ka rëndësi procesi, për të çuar në vend ato reforma dhe të jeni të sigurt se çelja e negociatave për Shqipërinë do të jetë e afërt
". 



Eurodeputeti grek: Rama po shkatërron marrëdhëniet me Greqinë
Tensionimi i marrëdhënieve të Shqipërisë me Greqinë u përçua edhe në mbledhjen e Komisionit Europian, ku po diskutohej progres-raporti për Shqipërinë. Një eurodeputet grek akuzoi kryeministrin Edi Rama se po shkatërron marrëdhëniet me Greqinë, duke theksuar se ka fyer historinë e shtetit të tij.

Majlinda Bregu: Hapen negociatat per Shqiperine ne varesi te zbatimit te Vettingut
"Komisioni propozon hapjen e negociatave te anetaresimit me Shqiperine, ne varesi te zbatimit te besueshem dhe te prekshem te reformes ne drejtesi, ne menyre te vecante Vettingu ( Verifikimin) e Gjyqtareve dhe Prokuroreve!", citon Bregu ne rrjetin social, Facebook.

Deputetet greke kritika Shqipërisë 
/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave