Për kryeministrin Rama, procesi i integrimit evropian po ecën me një ritëm normal, duke mohuar kategorikisht ngadalësimin apo ngecjen e këtij procesi. 

Gjatë një bashkëbisedimi me një grup studentësh, mbi ecurinë e procesit të negociatave, kreu i qeverisë tha se ky moment duhet shfrytëzuar maksimalisht.

“Procesi që të ngadalësohet është që ose vendi që do të shkojë bën gabime dhe vendoset në një pozicion jo të favorshëm dhe Komisioni fillon e ngre rezerva, ose politika e një vendi ngre rezerva. Sot nuk jemi në këto kushte, por pyetja që duhet t’i bëjmë vetes është sa kohë kemi? Dera është hapur dhe mund të mbyllet. E rëndësishme është që ne të mos bëhemi sebep që të mbyllet”, tha Rama.

Korrupsionin, një nga betejat më të rëndësishme për t’u fituar në procesin e negociatave, kryeministri Rama e sheh tashmë në një tjetër këndvështrim.

“Korrupsioni është shumë më i madh në perceptim sesa në realitet. Jo se në realitet nuk është problem sepse akoma institucionet janë në formësim. Shpesh e ngatërrojnë korrupsionin me persona të këqinj që duhen çuar në ferr dhe të shpëtojmë. Patjetër që ata që kapen duke bërë korrupsion, duhen dënuar. Kjo nuk e çliron një vend nga korrupsioni. Duhet që korrupsioni të mos jetë një shërbim alternativ i suksesshëm", tha Rama.

Shqipëria po bën detyrat e saj, tha kryeministri Rama, për të përmbushur të gjitha kushtet dhe standardet evropiane, dhe kjo është faza e parë e procesit teknik për mbylljen e negociatave. Sipas tij, faza e dytë dhe më e rëndësishme është ajo politike, ku Shqipëria duhet të bindë 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian të votojnë pro anëtarësimit të vendit tonë.

“Nuk është një ëndërr që e kemi parë ne dhe po ua tregojmë njerëzve, por një plan që e kemi në tavolinë. Shpejtësia e hapjes së kapitujve është një plan. Është me dy faza kjo histori. Faza e parë është në dorën tonë në një masë shumë të madhe. Faza e dytë është në dorën e tyre në një masë shumë të madhe. Yjet janë bashkuar dhe të dyja palët kanë të njëjtin interes. Ne duam të hyjmë, ata të zgjerohen”, tha Rama.

Aktualisht vendi ynë është në pritje të një vlerësimi pozitiv të ndërmjetëm nga vendet anëtare në Këshillin e Bashkimit Evropian, për të filluar më pas mbylljen e kapitujve. Objektivi i Tiranës është përfundimi i negociatave për 16 kapituj brenda këtij viti dhe 17 të tjerëve në 2027-n.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 09:35
Largimi i të rinjve nga Shqipëria: S’ka mënyrë për ta ndaluar, jemi vend i hapur

Lidhur me largimet në rritje të të rinjve shqiptarë, kryeministri Rama tha se diçka e tillë s’mund të ndalohet kur tashmë jetojmë në një vend të hapur.

“Nuk ka një mënyrë për ta ndaluar. E dyta, çfarë mund t’i thuhet një të riu 20 vjeç që ka përpara gjithë botën në celular? Është në një realitet të një fshati dhe që thotë dua të shkoj ta provoj veten në Europë, SHBA apo Australi. I thua jo se do të rrish në vendin tënd? Jo, është gënjeshtër. Është në të drejtën e vet. Sa kohë kemi zgjedhur të jemi një vend i hapur dhe lavdi Zotit jo më si në kohën e mëparshme kur s’dilnim dot nga Shqipëria, kemi pranuar sfidën që njerëzit të lëvizin, disa nuk do të kthehen më, disa do të kthehen dhe s’ka një alternativë ndaj kësaj”, tha Rama.

Ora 09:33
Shqipëria në BE në 2030, Rama: S’është ëndërr, por plan! Interes i njëjtë, ne duam të hyjmë dhe BE të zgjerohet

Ëndrra e Shqipërisë në BE në 2030 nuk është ëndërr, por plan real, tha kryeministri Rama. Faza e parë varet kryesisht nga Shqipëria, kurse e dyta, procesi politik, nga BE. Pika e përbashkët është dëshira e Shqipërisë për t’u bërë pjesë e familjes europiane dhe e BE-së që të zgjerohet.

“Nuk është një ëndërr që e kemi parë ne dhe po ua tregojmë njerëzve, por një plan që e kemi në tavolinë. Shpejtësia e hapjes së kapitujve është një plan. Nuk e kemi bërë ne, e ka bërë Komisioni Europian dhe ka thënë e kapni, s’e kapni, është puna juaj. Bashkarisht do të mbyllim negociatat teknike. Komisioni, i cili ka si ambicie fundin e 2027 do t’i thotë Këshillit Europian, me këta ne s’kemi punë, me këta ne i kemi mbyllur negociatat. Pastaj nis procesi politik. Është me dy faza kjo histori. Faza e parë është në dorën tonë në një masë shumë të madhe. Faza e dytë është në dorën e tyre në një masë shumë të madhe. Yjet janë bashkuar dhe të dyja palët kanë të njëjtin interes. Ne duam të hyjmë, ata të zgjerohen”, tha Rama.

Ora 09:26
‘Korrupsioni është më i madh në perceptim sesa në realitet’, Rama: Vetëm dënimi i atyre që kapen nuk mjafton, duhet të mos jetë shërbim alternativ

I pyetur nga të rinjtë lidhur me korrupsionin, kryeministri Rama tha se perceptimi i tij është më i madh sesa realiteti. Kryeministri u shpreh se vetëm kapja nuk e çliron një vend nga korrupsioni, por ky i fundit s’duhet të jetë shërbim alternativ.

"Korrupsioni është shumë më i madh në perceptim sesa në realitet. Jo se në realitet nuk është problem sepse akoma institucionet janë në formësim sepse çfarë e bën korrupsionin aktiv dhe të suksesshëm në të keq, është hapësira që ai gjen si alternativë për personin ose subjektin që kërkon të marrë një shërbim, të fitojë një të drejtë që institucionet nuk ia garantojnë. Shpesh e ngatërrojnë korrupsionin me persona të këqinj që duhen çuar në ferr dhe të shpëtojmë. Patjetër që ata që kapen duke bërë korrupsion, duhen dënuar. Kjo nuk e çliron një vend nga korrupsioni. Duhet që korrupsioni të mos jetë një shërbim alternativ i suksesshëm", tha Rama.

Ora 09:21
‘E duam Shqipërinë si Europa’, Rama: Hera e parë që na u dha mundësia të themi ç’duam, BE është garancia më e madhe e një shteti

Kryeministri Rama tha se shprehja e dëshirës ‘E duam Shqipërinë si Europa’ ishte e para herë kur vendi pati mundësinë të fliste lirisht. Rama tha se BE është fuqia e institucioneve dhe garancia më e madhe e një kombi për të mos përjetuar situata tragjike.

“Hera e parë që na u dha mundësia të themi çfarë duam është kur thamë duam të jemi si Europa. Të jesh si Europa do të thotë të mos kërcënohesh nga një kthesë e fatit që të të vërë nën një thundër tjetër apo që nuk të garanton liritë e të drejtat dhe jeta e familjes, popullit tënd, të mos jetë e varur nga individë. Sot individi në Shqipëri ka shumë rëndësi dhe varet shumë nga një individ sesi funksionon një institucion. BE është fuqia e institucioneve dhe garancia më e madhe që ka një popull, komb, shtet për të mos përjetuar situata poshtëruese ose tragjike”, tha Rama.

Ora 08:51
‘Nuk ka ngadalësim!’ Rama: Jemi propozuar e refuzuar 3 herë për hapjen e negociatave! Dera është hapur, të mos bëhemi sebep që të mbyllet

Kryeministri Rama tha se procesi i negociatave nuk ka ngadalësim. Për ta bërë më të thjeshtë për të rinjtë, ai shpjegoi sesi funksionon ndërsa theksoi se Shqipëria është refuzuar 3 herë për hapjen e negociatave. Rama theksoi se negociatat tashmë janë hapur dhe duhet shfrytëzuar koha që kjo derë të mos mbyllet.

“Absolutisht nuk jemi në kushtet kur ka ngadalësim. Raporti i një vendi të BE dhe jo anëtar kalon mes 2 katesh, Komisioni Europian. Europa bën zgjedhjet, zgjedh Parlamentin Europian dhe më pas zgjidhen presidentja e Komisionit, komisionerët dhe çdo vend anëtar ka qeverinë e BE. Qeveria e BE është e vetmja që s’ka asnjë metër katror të vetin. Ajo merret me buxhetin, programet europiane që janë përtej buxheteve nacionale dhe ka edhe një territor që mbikëqyr që është territori i marrëdhënieve me ata të tjerët që duan të bëhen anëtarë.

Në kat të dytë janë udhëheqësit e 27 vendeve anëtare, presidenti i Francës, kancelari i Gjermanisë, kryeministri i Polonisë, ata mblidhen dhe shikojnë raportin e Komisionit dhe mblidhen për të marrë vendim. Komisioni thotë duhet t’i hapim negociatat. Janë 27, mjafton njëri të thotë ‘jo’ dhe nuk hapen. BE është një organizëm që funksionon me konsensus dhe njëri të thotë ‘jo’ dhe nuk bëhet. Ne jemi propozuar 3 herë për të hapur negociatat dhe 3 herë jemi refuzuar. Na ka propozuar Komisioni sepse ne i kemi bërë të gjitha detyrat për të hapur negociatat, jo për t’u bërë anëtarë. Jemi refuzuar sepse një vend anëtar nuk na donte. Çfarë kishte me Shqipërinë? S’kishte asgjë, por kishte një problem të krijuar me shqiptarët, politikë. Procesi që të ngadalësohet është që ose vendi që do të shkojë bën gabime dhe vendoset në një pozicion jo të favorshëm dhe Komisioni fillon e ngre rezerva, ose politika e një vendi ngre rezerva. Sot nuk jemi në këto kushte, por pyetja që duhet t’i bëjmë vetes është sa kohë kemi? Dera është hapur dhe mund të mbyllet. E rëndësishme është që ne të mos bëhemi sebep që të mbyllet. Duhet të bëjmë maksimumin në këto vite që kemi përpara ku duket që dera është qartësisht dhe plotësisht e hapur”, tha Rama.

Ora 08:46
‘3 arsyet që kanë ngadalësuar procesin e negociatave?’ Hoxha: Jemi në ritmin e përcaktuar me Komisionin Europian, momenti i provimit më të rëndësishëm në histori

Një prej vajzave të pranishme në bashkëbisedimin e Ramës me të rinjtë, pyeti cilat janë 3 pengesat që po e ngadalësojnë procesin për të hyrë në BE. Përgjigjen ia ktheu ministri i Jashtëm Ferit Hoxha që tha se procesi përfshin 3 aktorë dhe procesi nuk është ngadalësuar, por është në ritmin e duhur.

“Zakonisht, tango bëhet me 2. Kjo tangoja jonë kërkon 3. Ne jemi ne që të bëjmë detyrat e shtëpisë, të jemi të besueshëm dhe i dyti është Komisioni Europian. Me ata punojmë nga mëngjesi deri në darkë. Është Komisioni i cili është i mandatuar nga 27 vendet anëtare që të bindet që të bëjë avokatin tonë te vendet anëtare. Shqipëria duhet të bindë vendet anëtare që marrim përgjegjësinë për të vepruar. Absolutisht asnjë gjë nuk është ngadalësuar. Jemi në ritmin që kemi përcaktuar bashkarisht me Komisionin Europian. Është avokati më i mirë që kemi pasur. Jemi në momentin kur duhet të japim provimin më të rëndësishëm në historinë e Shqipërisë”, tha Hoxha.

Ora 08:40
‘Pse qesh?’ Studenti i drejtësisë gëzohet që negociatat ‘do të hapen’, Rama i kap gabimin: Janë të tëra të hapura! (VIDEO)

Në bashkëbisedimin me të rinjtë, nuk munguan as batutat e kryeministrit Rama. Ai ‘piketoi’ një ‘të pavëmendshëm’ i cili po qeshte duke e pyetur cila ishte arsyeja dhe ai tha “për negociatat që do të hapen.” Ky lapsus i studentit të drejtësisë u vu në dukje nga Rama që i tha se “janë të tëra të hapura.”

Edi Rama: Pse po qesh?

Studenti: Po dëgjoja.

Edi Rama: Pse po qeshje se po dëgjoje, e dyshoj, të pashë.

Studenti: S’po qeshja.

Edi Rama: Po ça po bëje? Po qeshje vetvetiu.

Studenti: Jam i lumtur për negociatat që do të hapen.

Edi Rama: Negociatat janë hapur, s’e ke pasur mendjen! Janë të tëra të hapura!

Studenti: Që do të mbyllen pra!

Edi Rama: Çfarë hapet, hapet për t’u mbyllur, jo për të ndenjur hapur!

Ora 08:29
Rama plot optimizëm për integrimin: Shqipërisë i ka buzëqeshur fati si asnjëherë, yjet janë vënë në rresht

Kryeministri Rama tha se Shqipërisë i ka buzëqeshur fati si asnjëherë më parë. Tashmë të gjitha yjet janë bashkuar për të realizuar ëndrrën shekullore të shqiptarëve.

“Kurrë asnjëherë më parë Shqipëria nuk e ka pasur buzëqeshjen e fatit siç e ka sot. Kur them sot, në këto vite të fundit. Asnjëherë Shqipërisë nuk i ka buzëqeshur fati në sensin e të ardhmes së mundshme të njerëzve për të qenë të lirë, të barabartë para ligjit dhe për të pasur në dispozicion jo një vend 28 mijë km katrorë, por një kontinent të tërë si vendas. Kjo nuk është rruga drejt parajsës, por rruga e sigurt drejt një realiteti ku për herë të parë në historinë e tyre, shqiptarët do të jenë më të sigurt dhe të mbrojtur nga çfarëdo rrethane e historisë në dëm të tyre. Po na buzëqesh fati sepse janë bashkuar të gjitha yjet dhe janë vënë rresht në mbështetjen e kësaj ëndrre shekullore të shqiptarëve që kanë parë nga perëndimi, por gjithnjë pamja u është mbyllur. Nga një anë kemi bërë një punë të madhe për ta ndryshuar pozicionin e Shqipërisë që deri dje ishte e përbuzur dhe për këtë janë dëshmitarë gjithë shqiptarët që janë jashtë apo dilnin jashtë dhe mjafton të shikonin fytyrën e policit në kufi”, tha Rama.

Ora 08:26
Integrimi në BE, Rama me të rinjtë: Mundësi të barabarta si studentët europianë! Jeni vendas si në Tiranë, si në Varshavë

Përpara të rinjve, kryeministri Rama tha se integrimi i Shqipërisë në BE sjell mundësi të barabarta për arsimimin e tyre duke nisur nga pagesat, shërbimet apo tregu i punës, njësoj si studentët europianë.

“Nuk keni të njëjtat kushte si të studentëve europianë dhe pavarësisht se mund të jeni shumë të zotë, nëse regjistroheni në shkollë, paguani shumë më tepër sesa studentët europianë sepse jeni të huaj. Me anëtarësimin në BE, kjo ndryshon krejtësisht. Ju jeni vendas si këtu në Tiranë, si në një auditor në Lisbonë apo Varshavë, si në një universitet në një nga qytetet e Shqipërisë apo në cilindo nga qytetet e Europës. Nuk paguani më shumë, nuk keni asnjë vështirësi më shumë për të pasur akses në shërbime dhe nuk jeni të huaj kur vjen fjala për tregun e punës dhe mund ta zgjidhni punën jo më thjesht brenda kufijve të Tiranës, Shqipërisë apo të një qyteti që mund të njihni dikë, por mund të kërkoni punë në çdo qytet të Europës. Askush nuk ju sheh dhe t’ju thotë nga je ti se këtu është BE. Kjo është një përpjekje që ka kuptim dhe impakt të drejtpërdrejtë për gjithsecilin prej jush. Nuk ëhet fjalë për një kapërcim formal, por për një ndryshim thelbësor të pozicionit dhe raporteve mes vendit e popullit shqiptar dhe popujve të tjerë europianë”, tha Rama.

Ora 08:13
Kryenegociatorja Dhuka u propozon ‘kontratë sociale’ të rinjve: Kemi nevojë për zërin tuaj, ideja ka 3 shtylla

Kryenegociatorja e Shqipërisë me BE, Majlinda Dhuka, u propozoi të rinjve një kontratë sociale për Shqipërinë 2030 në BE.

“Ne duam që të nënshkruajmë një kontratë sociale të re me të rinjtë për Shqipëria 2030 në BE. Ideja fillestare mban 3 shtylla. E para, të rinjtë si pjesë e transformimit europian, me idetë dhe angazhimin e tyre në 600 nismat e transformimit europian që po çojnë përpara këto dy vjet. Shtylla e dytë, të rinjtë si zhvillues mundësisht që nga pjesëmarrja te inovacioni etj. Shtylla e tretë, Të rinjtë si ambasadorët europianë. Ne kemi nevojë për zërin tuaj, në familje, në auditor, në rrjetet sociale, për komunitetet tuaja. “Let’s vibe up and set some trends.” Le ta kthejmë Shqipërinë 2030 në BE në një trend”, tha Dhuka.

Ora 08:11
Ministri Hoxha: Procesi na takon të gjithëve, ju duhet të kontribuoni!

1775109897_ferithoxha.jpg

Ministri i Jashtëm, Ferit Hoxha, tha se tashmë këto takime zhvillohen në kuadër të përfshirjes së të rinjve në këtë proces. Gjithashtu u shpreh se është një projekt që nuk ka ndalesë, ndërsa theksoi se të rinjtë duhet të kontribuojnë e të ndryshojnë mendësinë për t’iu përshtatur BE.

“Nuk duam të fasim për ju, duam të flasim me ju, duam tju dëgjojmë, të shikojmë si e perceptoni procesin sepse jemi bashkë. Këto takime do të mundohemi ti bëjmë në formë të tillë për të parë sa shihet, sa preket sepse integrimi në BE është proces për ta ribërë vetveten. Na takon të gjithëve të jemi të përfshirë sepse na prek të gjithëve. Dikur ishte ëndërr. Sot e kemi bërë projekt dhe duam ta kthejmë në rezultat. Nuk ka ndalesë, nuk ka pushim, nuk ka pauzë dhe duhet ta çojmë në destinacion. Ju jeni brezi që do ta shijojë BE. Do të jeni përfituesit dhe duhet të jeni edhe kontribuesit. Hyrja në BE është një mendësi dhe mendësia duhet ndryshuar sepse është një sistem vlerash që fillon te secili prej nesh”, tha Hoxha.