Gjatë një deklarate në kuadër të 30 vjetorit të themelimit të Shoqatës ‘Çamëria’, kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi deklaroi se personat që ulen me harta dhe laps në dorë duke marrë përsipër fatin e vendit janë tradhtarë të Shqipërisë.

Idrizi u shpreh Çamëria është e shkruar në ADN-në tonë dhe se Shqipëria pa të është e mangët. Gjithashtu ai shtoi se Çamëria është çështje identitetit kombëtar.

“Çamëria është e shkruar në ADN-në tonë ndaj ne nuk i arratisemi dot asaj. Na gjenin në politikë teksa mundohen të na zhduknin, por ne sërish çohemi. Na gjenin në librat e shkollës që dikush tenton ta heqë emrin çam dhe ne prapë do çohemi. Ne me trup jemi këtu por kokën e kemi nga Çamëria. Ju përmenda tekstet e shkollave që dikush i marrë kërkon ta heqë emrin Çamëri. Këto dritëshkurtër që duan të heqin Çamërinë nga tekstet e shkollave nuk e kuptojnë se është njësoj se të heqësh fjalën Shqipëri. Kur thua Shqipëri ke thënë Çamëri. Kur thua Dardan ke thënë Shqipëri. Shqipëria është një nga ‘Molla e kuqe’ deri në Prevezë e në Artë. Kur thua Kosovë ke thënë Çamëri sepse të gjithëve na bashkon një gjuhë dhe një komb, një flamur. Në vitin 1990 kur themelohej shoqata jonë disa thonë lart e poshtë se çështja çame është e vdekur por sot fatkeqësisht kanë vdekur ata dhe jo çështje çame. Sot është dita kur Skëndërbeu ka ndërruar jetë. Heroi jonë është gjallë dhe vetëm lartësohet në kohë. Ata që ulen në biseda me harta dhe laps në dorë dhe marrin përsipër fatin e vendit duken si idiotë të Athinës dhe tradhtarë të Shqipërisë.

Çamëria është çështje e identitetit kombëtar edhe në tregun ekonomik Çamëria dhe Kosova e bëjnë Shqipërinë shtet dhe komb. Copëtimin e mban Shqipërinë të varfër. Që të thuash “Çam jam” nuk ke nevojë të jesh çam por të jesh Shqiptar. Pa Çamërinë jeni sakat dhe jeni të mangut si shqiptar. Është biologjike për Shqipërinë që të ketë të gjithë pjesët e trupit të saj. Këto burra që 30 vite më parë ngritën shoqatën, në 2004 pasi u rrahën në dyert e parlamentit shqiptar krijuar PDIU sepse vetëm përmes politikës mund ta çojmë përpara çështjen e Shqipërisë. Ne nuk e donim përballjen por përballë do na kenë gjithmonë. Shoqata Çamëria dhe PDIU janë lëvizje kombëtare. Ata që duan të na fshijnë emrin le ta rrotullojnë si duan ligjin elektoral”, shtoi Idrizi.

Në fjalën e tij Idrizi u shpreh se kur ai para 30 vjetëve ishte ndër studentët e dhjetorit për të rrëzuar diktaturën, burra të mençur nisën të krijonin Shoqërinë Atdhetare Patriotike “Çamëria”.

“Sot, na gjeni në politikë, teksa mundohen të na zhdukin dhe ne prapë çohemi. Na gjeni tek librat e shkollës, ku na heqin madje emrin “çam” dhe “Çamëri” dhe ne prapë çohemi. Na gjeni tek zgjedhjet, kur na vjedhin dhe ne prapë çohemi. Na gjeni, kur na vrasin dhe rivrasin me paktet e errëta për të shitur atdheun dhe ne prapë çohemi.... derisa të gjejmë zgjidhje dhe prehje vetëm në tokën tonë”, u shpreh Idrizi.

Ai u shpreh se fitorja më e madhe sot është faktorizimi i Çështjes Çame.

“Jemi të fortë e besimplotë që sërish në Kuvendin e Shqipërisë do të kemi grupin tonë parlamentar, zërin tonë. Këto katër u përballëm me pushtetin që donte të na fshinte emrin. Por PDIU është lëvizje kombëtare, që do të çojë para Çështjen Shqiptare Çame, do të jemi bashkëkrijues të shumicës dhe qeverisë së nesërme”, përfundoi ai.

Këtë të dielë çeli siparin “Java Çame”, një seri aktivitetesh kushtuar 30 vjetorit të themelimit të Shoqatës Patriotike “Çamëria”. E krijuar në janar të vitit 1991, kjo shoqatë ka luajtur një rol të rëndësishëm për sensibilizimin mbarëkombëtar të Çështjes Çame dhe të drejtave të shqiptarëve të Çamërisë.

Më herët gjatë një interviste në Report Tv, Idrizi u shpreh se çështja Çame është në fokusin e PDIU. Teksa vijon negociatat me kreun e PD-së Lulzim Basha për të arritur një marrëveshje për një vend të sigurt në lista për zgjedhjet e ardhshme, ai thotë se çështja Çame do jetë pjesë e saj. Këtu ai i referohet premtimit për heqjen e ligjit të luftës nga Lulzim Basha.