Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, thotë se Shqipëria ka përmbushur të gjitha detyrimet për Kapitullin 20 të negociatave me Bashkimin Europian dhe shprehet optimiste se ai do të mbyllet shumë shpejt.
Pas mbledhjes së qeverisë, Ibrahimaj u pyet për diskutimet në Bruksel në Grupin e Punës për Zgjerimin (COELA), nëse ka dhënë dritë jeshille për mbylljen e Kapitullit 20, që lidhet me sipërmarrjen dhe politikat industriale.
“Mbledhjet janë me dyer të mbyllura dhe ka një arsye pse janë të tilla. Ne jemi shpresëplotë që Kapitulli 20, për të cilin kemi përmbushur të gjitha detyrimet që kishim në kuadër të procesit të integrimit europian, do të mbyllet shumë shpejt. Shpresa jonë është që shumë shpejt ai të mbyllet”, tha Ibrahimaj.
Mbyllja e Kapitullit 20 është aktualisht në diskutim në COELA, grupi i punës i Këshillit të BE-së që përgatit negociatat e anëtarësimit dhe pozicionet negociuese të Unionit. Çështja ishte në rendin e ditës së mbledhjes së një dite më parë si “shkëmbim pikëpamjesh”, ndërsa mësohet se diskutimet kanë vijuar edhe gjatë ditës së sotme.
Kapitulli 20 lidhet me politikat e Bashkimit Europian për sipërmarrjen dhe industrinë, përfshirë klimën e biznesit, konkurrueshmërinë dhe politikat në mbështetje të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.
Shqipëria mbylli tre kapitujt e parë të negociatave me Bashkimin Europian: Kapitullin 25, “Shkenca dhe kërkimi”; Kapitullin 26, “Arsimi dhe kultura”; dhe Kapitullin 30, “Marrëdhëniet me jashtë.”







