Prokuroria e Tiranës i ka kthyer telefonin e sekuestruar avokatit Ulian Barjami, i cili u lirua nga qelia dy ditë më parë pasi u ndalua nga Oficerët e Policisë Gjyqësore pas pretendimeve se kërcënoi prokurorin Gjergji Ceka gjatë seancës në Gjykatën e Elbasanit.

Vendimi për kthimin e telefonit u mor nga prokurorja e çështjes Esmeralda Keshi. Çështja fillimisht ishte në Prokurorinë e Elbasanit, por dje kjo prokurori shpalli moskompetencën për shkak të konfliktit të interesit, pasi prokurori i përfshirë në çështje, Gjergji Ceka, ushtron detyrën e tij në këtë institucion.

Gjithashtu lidhur me këtë çështje, Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë, ka nisur verifikimet me iniciativë për rastin e ndalimit të avokatit Ulian Barjami. Ky i fundit u lirua ditën e djeshme me urdhër të Prokurorisë së Elbasanit ku pas mbërritjes së materialeve për vlerësim, organi i akuzës ka konstatuar se nuk ishin kushtet dhe nevojat për vijimin e këtij ndalimi, apo caktimin e një mase sigurimi, dhe për rrjedhojë kanë urdhëruar lirimin e menjëhershëm të tij.

‘Do të merrem personalisht me ty’, është deklarata që Ulian Barjami ka bërë në seancë më 13 tetor, drejtuar prokurorit Gjergji Ceka, dëgjohet në audion e siguruar nga Report Tv. Avokati pretendonte se Ceka kishte paraqitur prova të pavërteta për klientin e tij, Maksim Suçi, i arrestuar së bashku me 13 persona të tjerë për armëmbajtje pa leje në Elbasan më 13 tetor, dhe këtu nisi dhe përplasja.